Rajoni 8 Dhjetor 2024, 15:10 Nga VNA

Procesi gjyqësor në Hagë/ Fazliu deklarohet i pafajshëm, Thaçi dhe Smakaj nuk pranojnë të komentojnë për akuzat

Ndaje në Whatsapp
Procesi gjyqësor në Hagë/ Fazliu deklarohet i pafajshëm,

 Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm. Thaçi ishte ai që u paraqit i pari para Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjatë seancës tha se ai nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi.

Në paraqitjen e tij, Thaçi tha se "krejt papritmas para 2-3 ditësh" u njoftua për aktakuzën e re dhe nuk ka pasur kohë që ta diskutojë në thelb këtë dokument me ekipin e tij mbrojtës. "Krejt papritmas para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës", tha Thaçi. Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave që ngrihen ndaj tyre. "Ende nuk i kam lexuar në tërësi, prandaj duhet t’i lexoj që t’i kuptoj", tha Thaçi. Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t'i japë udhëzime atij.Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen. Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit. Mbrojtja tha se është dakord që më 7 janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës. Gjykatësja Marjorie Masselot tha se më vonë do të lëshojë një vendim për këtë çështje. Gjatë paraqitjes së parë, që zgjati pothuajse 45 minuta, Thaçi tha se ai, familja e tij dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij dhe tha se pret drejtësi. Gjykatësja Marjorie Masselot vendosi që Thaçi të qëndronte në qendrën e paraburgimit - ku gjendet tash e katër vjet për shkak të rastit tjetër kundër tij - pavarësisht se avokatja mbrojtëse, Nina Tavakoli, tha se nuk ka rrezik që klienti i tij të arratiset. Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor. Në nisje të seancës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, bëri përmbledhjen e rastit kundër pesë të akuzuarve dhe ai lexoi të drejtat Thaçit. Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u lexuan akuzat që rëndojnë ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë. mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar. Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë. Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani. Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë./REL

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme