- Shqipëria pa avionë. Vetëm sot pritet të ndërhyhet nga ajri. Deri tani zjarrëfikësit kanë vepruar me mjete rrethanore
Prej tetë ditësh Parku i Prespës, konkretisht në Malin e Thatë, janë disa vatra zjarri të cilat kanë djegur me dhjetëra hektarë. Deri tani ka qenë e pamundur ndërhyrja, teksa sot kanë mbërritur në Shqipëri dy avionë rumunë për ndërhyrje në vatrat më kritik. Avionët vijnë në vendin tonë, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria. Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t'u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike. Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve dhe, tjetri, C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim.

















