
Një raport i publikuar nga Qendra Burimore e Mjedisit mbi rolin e Prokurorisë në drejtësinë mjedisore në Shqipëri evidenton faktin se shumica e procedimeve penale lidhur me rastet e krimeve mjedisore nuk përfundojnë në gjykim, por mbeten pezull ose mbyllen pa ndëshkim efektiv.
Një raport i Qendrës Burimore të Mjedisit (REC Albania), i publikuar në kuadër të projektit “Drejtësia Mjedisore në Shqipëri”, evidenton shqetësimin lidhur me numrin e lartë të kallëzimeve penale mbi krimet mjedisore në Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të Tiranës, Elbasanit, dhe Korçës, të cilat nuk përfundojnë në gjykim, por pushohen ose pezullohen pa ndjekje të mëtejshme.
“Në vitin 2024 në Tiranë nga 62 kallëzime për ndotje të ajrit, asnjë nuk u dërgua në gjykatë dhe vetëm 1 procedim u pushua, pjesa tjetër mbetën pezull apo në hetim”, shkruajnë gjetjet e raportit mbi numrin e ulët të ndjekjeve penale efektive.
“Kjo vë në pikëpyetje jo vetëm kapacitetin hetimor të prokurorisë, por edhe funksionimin praktik të drejtësisë për krimet mjedisore”, citon raporti mbi realitetin shqetësues që haset në prokuroritë e vendit.
Sipas raportit, shkaqet kryesore që pengojnë në ndjekjen efektive të këtyre çështjeve penale mjedisore janë mungesa e ekspertizës së posaçme në prokuroritë përkatëse, fokusi i zhvendosur ndaj çështjeve të tjera penale pas reformës në drejtësi, mungesa e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore që mbulojnë shkeljet mjedisore, si edhe transparenca dhe llogaridhënia e dobët e aktorëve të përfshirë në proces.
“Shumë çështje nisin, por pezullohen ose pushohen për arsye të ndryshme si mungesë provash, pengesa proceduriale, mungesë ekspertizash”, citon raporti i Qendrës Burimore të Mjedisit, duke shtuar se shkalla e lartë e mospërfundimit të hetimeve me ndëshkim gjyqësor dëmton perceptimin publik mbi drejtësinë mjedisore.
Sipas studimit, Prokuroritë e rretheve nuk kanë sektorë të posaçëm të profilizuar vetëm për krimet mjedisore dhe çështjet mjedisore u caktohen zakonisht prokurorëve të sektorëve të përgjithshëm.
“Përjashtim bën Prokuroria e Tiranës, e cila që prej korrikut të vitit 2023 ka krijuar një seksion për krimin mjedisor, i cili megjithatë nuk është i dedikuar ekskluzivisht për këtë fushë, pasi mbulon edhe vepra të tjera penale”, shkruhet mbi konstatimet e autorëve të raportit.
Kjo mungesë ekspertize sjell më tej vështirësi në mbledhjen e provave dhe si rrjedhojë pushimin e rasteve të shumta pasi nuk arrihet të dokumentohet shkencërisht dëmi apo lidhja shkak-pasojë me veprën penale.
Në këto kushte prokurorive u lind nevoja e ekspertimit shkencor të specializuar për krimin mjedisor, të cilat detyrohen t’i gjejnë privatisht.
“Prokurorët detyrohen të kontraktojnë ekspertiza pranë subjekteve private, të cilat shpesh kanë kosto shumë të larta financiare dhe ekziston problem me paanshmërinë e ekspertizës private”, thekson raporti, duke nënkuptuar se kjo sjell më tej dyshime për komprometimin e procesit të ekspertizës, nga i cili varet dhe fati i hetimit.
Jo vetëm mungesa e ekspertizës, por edhe mungesa e pajisjeve monitoruese kur bëhet fjalë për kuantifikimin e dëmit mjedisor, sjell një pamundësi për mbledhjen e provave të pakundërshtueshme që nevojiten për një ndjekje penale efektive.
Nga ana tjetër, reforma në drejtësi është një tjetër faktor që ka ndikuar në zhvendosjen e fokusit të çështjeve penale me përparësi, duke vënë në plan të parë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe duke lënë në hije krimet mjedisore.
Edhe ulja e numrit të prokurorëve aktiv nga procesi i ‘Vettingut’ ka sjellë një rritje të ngarkesës për prokurorët e mbetur të cilët trajtojnë jo vetëm çështjet mjedisore, por njëkohësisht edhe krimet e rënda.
“Kjo mund të shpjegojë pse në Tiranë asnjë nga procedimet për ndotje ajri nuk u çua në gjykatë, pasi ndjekja e tyre kërkonte kohë dhe burime që prokuroria e mbingarkuar nuk i ka të mjaftueshme”, citon raporti.
Një tjetër faktor që ndikon në shkallën e ulët të ndjekjes penale efektive është edhe mungesa e bashkëpunimit midis institucioneve përkatëse që merren me shkeljet mjedisore.
Të dhënat e raportit tregojnë se Policia e Shtetit është referuesi i vetëm i veprave penale mjedisore pranë Prokurorisë, teksa institucionet e tjera si bashkitë apo inspektoriatet janë pothuajse inekzistente në rolin e tyre denoncues.
“Mungesa e kontributit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dhe agjencive të tjera si ato të pyjeve, ujërave, dhe mbetjeve në referimin e veprave penale flet edhe për një ngërç serioz në bashkëpunimin ndërinstitucional”, citojnë gjetjet.
“Ligjërisht, inspektorati duhet të kallëzojë penalisht shkeljet e rënda mjedisore që konstaton; në praktikë, ose këto raste nuk po identifikohen prej tij, ose nuk po ndiqet procedura për t’i përcjellë në prokurori”, tregojnë të dhënat e monitorimit.
Ngjashëm, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës nga bizneset dhe aktivitetet e raportuara si shkelëse apo të përfshira në veprën penale ndikon në mungesën e provave të pakundërshtueshme.
Raporti tregon se shpeshherë bizneset private fshehin provat për ndotjen që kryejnë ndaj mjedisit, teksa qytetarët që duhet të dëshmojnë mbi to shpesh tremben prej aktorëve të ndryshëm.
“Konstatohet se krimet mjedisore mund të jenë të lidhura me qëllime fitimi nga kompanitë ose të ndërthurura me vepra të tjera penale si përfitimi ekonomik nga kursimet e kostos së trajtimit të ujërave, korrupsioni, apo mungesa e masave të sigurisë industriale”, theksojnë të dhënat mbi shkaqet e mungesës së llogaridhënies nga bizneset private që kryejnë shkelje mjedisore./BIRN/





















