Rajoni 8 Janar 2025, 17:46 Nga VNA

Kosova mbyll edhe dy institucione serbe në veri, ja arsyet

Ndaje në Whatsapp
Kosova mbyll edhe dy institucione serbe në veri, ja arsyet

Policia e Kosovës më 8 janar mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë sigurimesh nga Serbia, Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Lista Serbe njoftoi se me mbylljen e Administratës Tatimore, 80 punëtorë “kanë mbetur në rrugë”, dhe e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon fushatën zgjedhore “në kurriz të popullit serb”, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se për rastin e Administratës Tatimore është informuar prokurori kujdestar dhe se punonjësve u është lejuar të marrin vetëm sendet e tyre personale.

Ndërsa, lidhur me kompaninë sigurimesh, ai tha se policia në këtë aksion asistoi zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se prokurori e cilësoi rastin si “shpërdorim të veprimtarisë ekonomike”.

Dunav Osiguranje është një shoqëri aksionare nga Serbia, e cila ofron mbi 100 shërbime në fushën e sigurimeve të jetës dhe të pasurisë. Në faqen e saj zyrtare, në listën e adresave të degëve përfshihet edhe ajo në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës.

Mbyllja e tyre është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se “aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona”.

“Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësishtë i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Lista Serbe njoftoi se gjatë ditës do të bisedojë me punonjësit e Administratës Tatimore dhe për mundësitë e ndihmës dhe mbështetjes.

“Asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa paga dhe të ardhura dhe ekzistenca e tyre do të mbetet e siguruar”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kosova filloi mbylljen e institucioneve serbe në janar të vitit 2024 dhe deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe në Dragash, Suharekë, Prizren, Rahovec, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Gjithashtu, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Hapësirave të Banimit dhe Biznesit dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore në Mitrovicën e Veriut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një adresim publik në mes të shtatorit të vitit të kaluar, tha se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, por se ata do të vazhdojnë të marrin paga.

Serbia refuzon të shuajë institucionet e saj për territorin e Kosovës dhe shumicën prej tyre i ka zhvendosur pranë pikave kufitare nga ana serbe./REL/

Video

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 qytetarëve të vrarë më 21 janar 2011, mbërrin në SPAK ku thotë se i ka kërkuar takim Alfred Shehut, prokurorit që po heton ngjarjet e dhunshme të 15 viteve më parë. SPAK po heton se kush dha urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit. https://www.vna.al/kronika/mark-nika-ne-spak-kerkon-takim-me-prokurorin-qe-heton-21-janarin-i19130

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë ardhur sërish në Vlorë. Vajza dhe dhëndri i presidentit Donald Trump sapo kanë mbërritur në qytetin bregdetar dhe janë shoqëruar me forca të shumta policie.

Adriatik Lapaj, i cili prej javësh po proteston para Kryeministrisë, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video ku shfaqet momenti kur Policia ndërhyn dhe heq plastmasin ku ai qëndron së bashku me mbështetës të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Në postimin e tij, Lapaj shkruan me ironi: “Sapo erdhën policat dhe sekuestruan arsenalin e radhës. Plot 10 m² plastmas. EDI plastmasi!” Më tej, ai ironizon duke thënë se policët e Edi Ramës, më 21 janar do të dalin të qajnë për protestuesit, ndërkohë që sot nuk e lejojnë atë të protestojë para Kryeministrisë.

Moti i keq ka goditur orët e fundit brigjet e Cala Gonone, në Sardenjë, duke shkaktuar dëme dhe shqetësime të mëdha për banorët. Sipas raportimeve të para, lartësia e dallgëve ka arritur në disa metra, duke bërë që uji i detit të vërshojë deri në brendësi të zonave të banuara.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme