Rajoni 3 Janar 2025, 22:51 Nga VNA

Beteja ligjore mes LVV-së dhe Listës Serbe

Ndaje në Whatsapp
Beteja ligjore mes LVV-së dhe Listës Serbe

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk heq dorë nga qëllimi për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe të enjten ka paraqitur përsëri ankesë kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për ta certifikuar këtë parti dhe ka kërkuar anulimin e tij.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili është përgjegjës për përgjigje në ankesën e Vetëvendosjes, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse do ta shqyrtojë atë.

Më herët, ky Panel kishte marrë vendim në favor të Listës Serbe, duke vepruar mbi ankesën e kësaj partie - më të madhes së serbëve në Kosovë - pasi anëtarët e KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan certifikimin e saj. Më pas, LVV bëri ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila po ashtu mori vendim në favor të Listës Serbe.

Një nga arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja qeverisëse është fakti që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë "kundërshtarin më të madh".

“Ndërsa Kurti dhe të vartësit e tij na sulmojnë dhe nuk na lejojnë të marrim pjesë në zgjedhje, ne e dimë se jemi në rrugën e duhur. Lista Serbe është mburoja e qëndrimit dhe mbijetesës së serbëve në këto hapësira, dhe për këtë arsye Kurti na sheh si rrezikun më të madh. Ai do të bëjë gjithçka për të na penguar të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Elek më 3 janar për Radiotelevizionin publik të Serbisë (RTS).

Lëvizja Vetëvendosje, në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ka deklaruar se kërkon anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, bazuar në nenin 119 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në këtë nen thuhet se një person, që konsideron se të drejtat e tij janë shkelur lidhur me procesin zgjedhor të rregulluar nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ose rregullat zgjedhore, mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas kësaj partie, certifikimi i Listës Serbe, pa u kryer procesi i votimit në KQZ, përbën "sulm ndaj rendit tonë ligjor".

“Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Nga ana tjetër, kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, deklaroi se, bazuar në nenin 118 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë të detyrueshme për institucionin që drejton, nëse Gjykata Supreme e Kosovës nuk vendos ndryshe.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin se procesi i verifikimit të subjekteve politike është “i motivuar politikisht”, duke theksuar se “është e domosdoshme që votuesit, dhe jo trupat politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”.

Para certifikimit të Listës Serbe, më 31 dhjetor nga KQZ-ja, Bashkimi Evropian ka deklaruar se është e nevojshme të sigurohet pjesëmarrja e lirë e të gjithë kandidatëve dhe partive politike të kualifikuara.

Ata shtuan se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standardet dhe procedurat ligjore, në përputhje me ligjet në fuqi, pa ndërhyrje politike.

Vendimin për konfirmimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e mirëpriti Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush do të zgjidhet brenda sistemit demokratik të Kosovës, ndërsa të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo përpjekje për politizimin e procesit zgjedhor”, thuhet në postimin e ambasadës në një postim në platformën X – të njohur më parë si Twitter.

Pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe për këtë arsye nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje, Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë (ECMI) ka vlerësuar se në një shoqëri demokratike duhet të ekzistojë një dallim i qartë midis platformës ideologjike ose programore të një partie politike.

Pjesëtarë të Qendrës vlerësojnë se është detyrë e partive politike të veprojnë brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të shtetit ku ekzistojnë, por gjithashtu kanë të drejtë të promovojnë reforma kushtetuese ose politike.

“Kufizimi i shprehjes së tillë vetëm mbi bazën e pikëpamjeve ideologjike, bart rrezikun e minimit të vlerave themelore demokratike”, deklaruan nga ECMI, një organizatë që merret me promovimin e mbrojtjes dhe fuqizimit të komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Megjithatë, ata theksuan se të gjitha subjektet politike duhet t’i respektojnë dispozitat ligjore dhe kushtetuese të Kosovës.

“Nëse përcaktohet se një parti vepron jashtë këtyre kufijve – duke rrezikuar stabilitetin ose integritetin kushtetues të shtetit – mund të merren masa të ligjshme”.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL/

 

Video

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në qarkun e Fierit, në aksin “Levan–Tepelenë”, ku si pasojë ka humbur jetën një grua 39-vjeçare. Nga përplasja e dy automjeteve kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Forcat amerikane dhe izraelite zgjeruan bombardimet ndaj Iranit të shtunën në mbrëmje, duke goditur edhe depo karburanti pranë Teheranit. Ndërkohë, udhëheqja iraniane u zotua se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse dhe se armiqtë e vendit do të “paguajnë çmimin” për sulmin ndaj Iranit.

Një burrë pakistanez është vrarë në Dubai pasi fragmente metalike nga një ndërhyrje ajrore ranë mbi automjetin e tij në zonën Al Barsha, kanë konfirmuar autoritetet. Zyra e mediave e Dubait njoftoi gjithashtu se autoritetet kanë menaxhuar edhe një incident tjetër ku mbetje nga qielli ranë mbi fasadën e një prej kullave në zonën Dubai Marina, si pasojë e një ndërhyrjeje të suksesshme ajrore. Sipas autoriteteve, nga ky incident nuk pati të lënduar. Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se kishte shënjestruar një bazë ushtarake amerikane në zonën e marinës.

Mediat ndërkombëtare raportojnë shpërthime dhe flakë mbi qytetin e Teheranit, Iran. Sipas raportimeve, ka pasur goditje ajrore intensive që synuan aeroportin Mehrabad të Teheranit dhe zona të tjera kyçe të infrastrukturës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme