Bota 13 Nëntor 2024, 09:45 Nga VNA

Kë po emëron Presidenti i zgjedhur Donald Trump në postet kyçe?

Ndaje në Whatsapp

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po vepron me shpejtësi për të plotësuar postet në administratën e tij të sapolindur me zyrtarë republikanë, të cilët kanë qenë më besnikët politikisht ndaj tij gjatë katër viteve që ai nuk ishte në detyrë.

 

Presidenti i zgjedhur Trump, sipas njoftimeve të ndryshme të mediave amerikane, synon të emërojë Senatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar të shtetit.

 

Të martën në mbrëmje, ai njoftoi se guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, do të jetë drejtuesja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ndër të përzgjedhurit e tjerë për anëtarë të kabinetit qeveritar është edhe Pete Hegseth, i cili do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes. Zoti Hegseth është ish-ushtarak dhe ka drejtuar emisione në kanalin televiziv Fox News.

Zoti Rubio dhe zonja Noem radhiteshin në listën e kandidatëve të mundshëm për nënpresident disa muaj më parë. Ndërsa zoti Trump më vonë përzgjodhi senatorin e Ohajos JD Vance, tashmë nënpresidenti i zgjedhur, si zoti Rubio ashtu edhe zonja Noem vazhduan ta mbështesin zotin Trump, që fitoi bindshëm zgjedhjet javën e kaluar përballë Nënpresidentes demokrate Kamala Harris.

Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi gjithashtu se do të emërojë ish-drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Ratcliffe për të shërbyer si drejtor i CIA-s. Zoti Ratcliffe ishte drejtuesi i gjashtë i zbulimit kombëtar, që shërbeu gjatë tetë muajve të fundit të administratës së ish-Presidentit Trump. Zoti Trump njoftoi gjithashtu të martën se ka përzgjedhur zotin William McGinley si këshilltar ligjor të Shtëpisë së Bardhë.

Ndër njoftimet e tjera të bëra nga presidenti i zgjedhur, është se dy sipërmarrësit Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy do të bashkëdrejtojnë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë. Në njoftim thuhet se ata do të ofrojnë këshilla dhe udhëzime "për të drejtuar reformën strukturore në shkallë të gjerë" të qeverisë federale.

Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu vendosi të emërojë si këshilltar për sigurinë kombëtare ligjvënësin nga Florida, Michael Waltz. Zoti Waltz në fillim të këtij viti mbështeti një përpjekje të ligjvënësve republikanë për t’i vënë emrin e zotit Trump aeroportit ndërkombëtar të Uashingtonit.

Ligjvënësi Michael Waltz

Ligjvënësi Michael Waltz

Presidenti i zgjedhur Trump të hënën emëroi edhe Thomas Homanin, ish-drejtuesin për emigracionin, si "drejtuesin kombëtar për çështjet e kufirit", për të drejtuar përpjekjet për të deportuar drejt vendeve të origjinës ndoshta miliona emigrantë pa dokumente që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Mediat njoftuan se Stephen Miller, një tjetër këshilltar i zëshëm kundër emigracionit, që shërbeu në mandatin e parë të ish-Presidentit Trump, do të emërohej si zëvendës shefi i kabinetit të presidentit të zgjedhur për politikat.

 

Presidenti i zgjedhur përzgjodhi një tjetër mbështetëse të vendosur, ligjvënësen nga Nju Jorku, Elise Stefanik, si ambasadoren e re amerikane në Kombet e Bashkuara. Ai emëroi ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee, si ambasador në Izrael.

Elise Stefanik

Elise Stefanik

Pak përpara zgjedhjeve, zoti Trump, i cili rrallë pranon publikisht gabime, i tha drejtuesit të një emisioni podcast Joe Rogan se gabimi i tij më i madh gjatë mandatit të tij nga 2017 deri në 2021 ishte punësimi i "njerëzve të këqij, ose njerëz jo besnikë".

 

"Përzgjodha disa njerëz që nuk duhej t'i kisha zgjedhur", tha ai.

 

Disa nga zyrtarët e lartë që ish-Presidenti Trump zgjodhi në atë kohë, përfshirë ish-shefin e kabinetit John Kelly dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton, u bënë kritikë të ashpër publikë të zotit Trump, pasi ai i hoqi nga detyra. Zoti Kelly tha gjatë fushatës së këtij viti se ish-Presidenti Trump përmbushi përkufizimin e një sundimtari fashist. Ish-Presidenti Trump i sulmoi të dy ish-zyrtarët, duke e quajtur zotin Kelly "një ngacmues, por një person të dobët" dhe duke e nënçmuar zotin Bolton si "një idiot".

 

Përpara zgjedhjeve, zoti Bolton tha se: “Ajo që Trump-i do të kërkojë nga kandidatët për postet e larta në një mandat të dytë është besnikëria. Ai dëshiron burra që thonë vetëm ‘po’ dhe gra që thonë vetëm ‘po’.”

 

Senatori Rubio u përplas ashpër me zotin Trump gjatë kandidimit të tyre në vitin 2016 për marrjen e kandidaturës zyrtare për president të Partisë Republikane, që u fitua nga zoti Trump. Zoti Rubio bëri shpoti ndaj zotit Trump duke i thënë se kishte duar të vogla dhe një nxirje të lëkurës ngjyrë portokalli, ndërsa zoti Trump e nënçmoi duke e quajtur "i vogli Marko".

 

Marco Rubio duke folur gjatë Kuvendin Republikan

Marco Rubio duke folur gjatë Kuvendin Republikan

Por senatori Rubio, si shumë kritikë të tjerë të dikurshëm të zotit Trump, ishte një mbështetës i vendosur i tij gjatë fushatës së këtij viti. Vitet e fundit, zoti Rubio ka mbajtur haptazi një linjë të ashpër në politikën e jashtme, duke mbajtur qëndrime të ashpra për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën, Iranin, Venezuelën dhe Kubën.

 

Ai ka qenë ndonjëherë në mosmarrëveshje me republikanët që ishin skeptikë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktet e largëta, si ndihmat për financimin e luftës së Ukrainës ndaj sulmit të Rusisë në vitin 2022. Por kohët e fundit, ai votoi kundër dërgimit të ndihmave të mëtejshme ushtarake amerikane në Ukrainë, ndërsa zoti Trump ka shprehur gjithashtu skepticizëm për vazhdimësinë e ndihmave amerikane për Kievin.

 

Zoti Rubio i tha kanalit NBC News në shtator se, “Mendoj se ukrainasit kanë qenë kaq të guximshëm dhe të fortë në përballjen me Rusinë. Por në fund të fundit, ajo që po financojmë këtu është një luftë në ngërç dhe duhet të arrihet në një përfundim, ose ai vend do të kthehet 100 vite prapa”.

 

"Unë nuk jam në anën e Rusisë - por për fat të keq, realiteti është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar", tha zoti Rubio.

 

Zonja Noem mori vëmendje në nivel kombëtar dhe fitoi lëvdata nga konservatorët pasi refuzoi të miratonte një urdhëresë për mbajtje maskash gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2021.

Zonja Noem me Presidentin e zgjedhur Trump

Zonja Noem me Presidentin e zgjedhur Trump

Presidenti i zgjedhur Trump mendohet se po e shqyrtonte madje emrin e saj si kandidate për nënpresidente. Por ajo u përball me kritika të gjera, pasi shkruajti në një libër kujtimesh se pati vrarë me armë një qen "të patrajnueshëm" që ajo "e urrente", në fermën e familjes së saj.

 

Zoti Waltz është një ish-ushtarak i njësive të forcave speciale të ushtrisë amerikane, i cili ndan pikëpamjet e Presidentit të zgjedhur Trump për emigracionin e paligjshëm dhe skepticizmin për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës për Ukrainën.

 

Zoti Waltz, i cili gjithashtu ka shërbyer në Gardën Kombëtare me gradën kolonel, ka kritikuar aktivitetin e Kinës në rajonin Azi-Paqësor dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë gati për një konflikt të mundshëm në rajon.

 

Po aq të rëndësishëm sa përzgjedhjet fillestare të Presidentit të zgjedhur Trump janë edhe emrat e dy ish-zyrtarëve që ai i ka refuzuar deri më tani për postet kryesore në administratën e tij të re: Nikki Haley, ish-ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Zonja Haley kandidoi përballë zotit Trump për të marrë kandidimin zyrtar republikan për president në vitin 2024 dhe zoti Pompeo shqyrtoi mundësinë e kandidimit përballë zotit Trump, por më pas u tërhoq.

 

Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkon në Uashington të mërkurën për t'u takuar me Presidentin Joe Biden, që fitoi përballë zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020. Bisedat pritet të përqëndrohen tek transferimi i pushtetit kur Presidenti i zgjedhur Trump të inaugurohet më 20 janar. Zoti Trump po planifikon të takohet edhe me ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA

 

Video

Një ngjarje e rrezikshme është regjistruar në qytetin Timon të Brazilit, ku një burrë hodhi shkrepësen në tokë pranë një pike karburanti, duke shkaktuar flakë që për pak do ishte kthyer në tragjedi. Pamjet filmike tregojnë momentin kur flaka përhapet me shpejtësi pranë pompave dhe një kamioni që po furnizohej me karburant. Fatmirësisht, falë reagimit të shpejtë të një punonjësi që përdori menjëherë zjarrfikësin, askush nuk u lëndua. Sipas mediave lokale, punonjësit kishin paralajmëruar më herët klientët të qëndronin larg zonës së rrezikshme gjatë furnizimit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta për mungesën e kujdesit dhe rrezikun që mund të kishte përfunduar në tragjedi.

Nga poshtë ballkonit tek zyra e Ramës- Berisha paralajmëron revolucionin e ri demokrat.

Rama: “Kushtetuesja duhet ta kthejë Veliajn në detyrë, Tirana nuk mund të jetë trup pa kokë”

Tajfuni Kalmaegi ka goditur tashmë Vietnamin, pas një stuhie të shkatërrimtare që përmbyti Filipinet dhe vrau të paktën 114 persona. Erërat e fuqishme, që arrijnë deri në 149 km/orë (92 mph), kanë shpërthyer në plazhin Quy Nhon dhe në disa provinca të Vietnamit qendror, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke vënë në rrezik jetën e qindra mijëra njerëzve. Përpjekjet e shpëtimit janë intensifikuar me shpalljen e gatishmërisë nga ushtria e Vietnamit, e cila ka dislokuar mbi 260,000 ushtarë dhe më shumë se 6,700 automjete për të ofruar ndihmë pas stuhisë. Aeroportet janë mbyllur dhe disa fluturime janë anuluar për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme