Histori të harruara 6 August 2025, 18:04 Nga VNA

Dora e hekurt e Partisë në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe shkrimtarët: Dokumenti që shkaktoi pushimin nga puna të kineastëve Mit’hat Fagu dhe Piro Milkani

Ndaje në Whatsapp

Dora e hekurt e Partisë në Kinostudion “Shqipëria e

Në klimën represive të krijuar pas Plenumit IV të PPSH (qershor 1973), kur Enver Hoxha dhe Partia e Punës shpallën luftë të hapur ndaj “liberalizmit” në kulturë dhe kërkoi nënshtrim të plotë të artit ndaj vijës ideologjike, Ministri i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deliana, hartoi një shkresë zyrtare që ndalonte dhe pezullonte dy vepra artistike: filmin dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, dhe romanin “Një emër në katër rrugë” të Petro Markos, botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.

Të dyja veprat u akuzuan për devijime ideologjike, për deformim të realitetit socialist, mungesë force revolucionare, përshkrime erotike dhe trajtim të papërshtatshëm të figurës së gruas dhe të udhëheqësit Enver Hoxha, dhe u bënë objekt i një serie ndëshkimesh mes kineastësh dhe artistësh. Regjisori Mithat Fagu u dërgua për riedukim në prodhim jashtë Tiranës dhe iu referua organeve për ndjekje penale; ish-nëndrejtori artistik Piro Milkani u kritikua, u pushua si drejtor artistik për aprovim skenarësh ideologjikisht të gabuar dhe mungesë përgjegjësie gjatë realizimit; ndërsa Petro Markos iu kërkua kthimi i pagesës për romanin e ndaluar.

Në të njëjtën kohë, drejtues të Kinostudios dhe të shtëpisë botuese morën masa disiplinore, si shkarkime, vërejtje dhe paralajmërime. Ky dokument arkivor është një dëshmi konkrete e mënyrës se si udhëzimet politike të Plenumit IV u zbatuan në praktikë me rigorozitet dhe dhunë administrative, duke shndërruar artin në objekt kontrolli ideologjik dhe artistët në shënjestra të përhershme të Partisë.

Teksti:

I N F O R M A C I O N

 

MBI FILMIN DOKUMENTAR “NË SHTIGJET E REVOLUCIONIT TEKNIKO-SHKENCOR” DHE ROMANIN E PETRO MARKOS “NJË EMËR NË KATËR RRUGË”

 

Kohët e fundit janë pregatitur dy vepra me gabime ideo­re (filmi dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe romani “Një emër në katër rrugë” nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”), të cilët janë pezulluar dhe nuk kanë dalë në qarkullim.

Filmi deformon realitetin tonë socialist e diskrediton revo­lucionin tekniko-shkencor që zhvillohet në vendin tonë.

Romani, i cili përshkohet nga shthurja e degjenerimi moral, nga përshkrime e skena erotike, nuk e pasqyron me vërtetësi e me forcën e duhur regjimin e Zogut, kurse femrën shqiptare dhe figurën e shokut Enver nuk i paraqet drejt.

 

Për këto dy vepra me gabime ideo­re organizatat bazë të partisë të të dy institucioneve kanë bërë analizat përkatëse dhe kanë nxjerrë përgjegjësitë në rrugë partie e pushteti.

 

a) Për Kinostudion “Shqipëria e re”

 

Në mbledhjen e organizatës bazë të Kinostudios, ku merrnin pjesë shokët Foto Çami e Dashnor Mamaqi, iu bë një analizë e thellë kritike filmit dhe sistemit të punës të këtij institucioni.

Drejtori i Kinostudios, Vangjush Zallëmi, i cili është njohur me materialet e filmit më 31 gusht të këtij viti, i ka bërë autorëve vërejtje të rëndësishme. Por, duke mos qenë konsekuent e i prerë deri në fund, nën presionin e autorëve, lejoi të vazhdohet puna për montimin e mëtejshëm të filmit dhe të shfaqej në kolektiv për diskutim.

Ish nëndrejtori artistik, Piro Milkani, ka aprovuar skenarin e gabuar ideologjikisht “Shokët grindavecë” dhe nuk ka ndjekur punën në proces, gjatë të cilit janë bërë gabime edhe më të rënda. Redaksia, në shqyrtimin, diskutimin dhe aprovimin e këtij filmi, ka bërë një punë të cekët e me të meta të theksuara.

Organizata bazë e partisë ka marrë këto masa:

              1.           Drejtorit të Kinostudios, Vangjush Zallëmit, t’i jepet vërejtje në kartën e regjistrimit;

              2.           Nëndrejtorit artistik, Piro Milkani, për dobësi të tjera të këtij karakteri para disa kohësh u pushua nga kjo detyrë;

              3.           Regjisori Mithat Fagu të largohet nga Kinostudio dhe të dërgohet për riedukim në prodhim jashtë Tiranës;

              4.           Redaktorit të filmit, Muharrem Skënderit, t’i jepet vërejtje me paralajmërim;

              5.           Shefi i redaksisë së skenarëve, Peçi Dado, të shkarkohet nga detyra;

              6.           Kryetarit të degës së prodhimit, Teodor Siliqit dhe sekretarit të organizatës bazë të partisë të degës së prodhimit, Pashko Çomos, t’u jepet vërejtje në kartën e regjistrimit;

              7.           Të gjithë redaktorëve që morën pjesë në diskutimin e skenarit dhe operatorit të zërit, Lavdí Fortuzi, t’u jepet vërejtje.

 

Konkluzionet e organizatës bazë të partisë dhe masat që ka marrë ajo iu shtruan kolektivit i cili i aprovoi.

Për këto masa bisedova me shokun Hysni e me shokun Ramiz dhe mendimi i tyre ishte të qëndrojmë në masat që ka marrë organizata bazë e partisë; kurse regjizorin Mitat Fagu do ta vëmë para përgjegjësisë materiale dhe do t’ja japim organeve gjyqësore për ndjekje penale.

 

b) Për Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”

 

Organizata e partisë, në analizën që i bëri këtij romani, vendosi të shkarkohen nga detyra ish drejtori, Ali Abdihoxha dhe shefi i redaksisë së prozës, Dhurata Xoxe.

Nuk morëm masa për përgjegjësitë materiale ndaj drejtuesve për arsye se vendimi i qeverisë “Mbi përgjegjësinë materiale të personelit drejtues administrativ dhe letraro-artistik” hyn në fuqi më 1 Janar 1974. Autorit të romanit, redaktorit dhe recensentëve do t’u kërkojmë që të kthejnë të hollat që kanë marrë.

 

Tiranë, më 18.12.1973

 

MINISTRI:

(Thoma Deliana)

Dora e hekurt e Partisë në Kinostudion “Shqipëria e

 

Dora e hekurt e Partisë në Kinostudion “Shqipëria e

Dora e hekurt e Partisë në Kinostudion “Shqipëria e

 

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme