Bota 3 November 2024, 23:14 Nga VNA

Harris dhe Trump për Ballkanin – luftë kundër korrupsionit dhe ndikimeve keqdashëse

Ndaje në Whatsapp
Harris dhe Trump për Ballkanin – luftë kundër korrupsionit

Kandidatët presidencialë amerikanë thanë se lufta kundër korrupsionit dhe trysnive nga jashtë do të jenë përparësi e administratave të tyre në Ballkanin Perëndimor, ndërsa rajoni synon integrimet evropiane.

Një zëdhënës i fushatës së nënpresidentes Kamala Harris, i tha Zërit të Amerikës se ajo ka mbrojtur vazhdimisht avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe një nga arsyet pse nënpresidentja Harris është plotësisht e përkushtuar për të çuar përpara aspiratat euro-atlantike të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbështeten në vlerat e përbashkëta demokratike, duke përfshirë institucione të forta, të pavarura dhe të përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit, sipas të cilit “vlerat tona gjithashtu mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e qytetarëve dhe vendeve për të shprehur lirisht identitetin e tyre kombëtar”.

Ndërkaq në një letër drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në prag të zgjedhjeve, zonja Harris vuri theksin te lidhjet e veçanta ndërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve prej më shumë se një shekulli, që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore.

“Deri më sot, shqiptaro-amerikanët kujtojnë që ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që u angazhuan në atë moment vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë. Dua të konfirmoj partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e qëndrueshme e NATO-s, dhe unë e vlerësoj Shqipërinë për promovimin e qëndrueshmërisë në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas fillimit të agresionit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në letër.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë shumetnike, demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar”, thekson në letër zonja Harris.

Ndërkaq Christos Marafatsos, nga fushata e ish Presidentit Donald Trump, i tha Zërit të Amerikës se politika e jashtme e Presidentit Trump ndaj Ballkanit Perëndimor “do të theksonte partneritetet pragmatike, të orientuara nga veprimet e përqendruara në qëndrueshmërinë, mundësitë ekonomike dhe luftimin e korrupsionit”.

Sipas zotit Marafatsos një Shtëpi e Bardhë e udhëhequr nga zoti Trump nuk do të nxiste thjesht deklarata të gjera mbi demokracinë, por do të nxirrte rezultate reale dhe të përgjegjshme duke punuar drejtpërdrejt me udhëheqësit lokalë dhe qytetarët në rajon.

“Presidenti Trump e kupton se paqja e vërtetë vjen nga kombe të forta dhe të vetë-qëndrueshme. Administrata e tij do të përqendrohej në forcimin e ekonomisë dhe sigurisë së vendeve të Ballkanit, duke u mundësuar atyre t'i rezistojnë si korrupsionit ashtu edhe trysnisë së jashtme. Kjo nënkupton mbështetjen e marrëveshjeve strategjike të tregtisë ekonomike dhe masave kundër korrupsionit, jo vetëm me fjalë, por përmes partneriteteve vepruese, ndarjes së burimeve dhe trajnimeve që forcojnë institucionet vendore. Për më tepër, administrata e tij do t'i jepte përparësi lirive individuale dhe do të shkurtonte burokracinë që pengon përparimin në këto vende, duke ndihmuar në avancimin e vlerave të vërteta demokratike duke fuqizuar qytetarët dhe institucionet lokale”, tha ai.

Fushata e zotit Trump kritikoi politikën e Jashtme të administratës së Presidentit Joe Biden për mosveprim dhe mungesë angazhimi për të kuptuar vërtetë sfidat e veçanta të rajonit. Sipas saj, mungesa e angazhimit jo vetëm që ka penguar përparimin ekonomik, por gjithashtu ka bërë që shumë vende të Ballkanit të ndjehen të anashkaluar dhe të pavlerësuar ndërsa tensionet ziejnë.

“Një administratë e zotit Trump do të sillte një qasje të re dhe të vendosur. Presidenti Trump do t'i jepte përparësi angazhimit të drejtpërdrejtë, duke punuar ngushtë me udhëheqësit lokalë dhe palët e interesuara për të trajtuar çështjet urgjente në secilin prej këtyre kombeve. Administrata e tij do të ndërmerrte hapa aktivë për të parandaluar që ndikimet e huaja të destabilizojnë rajonin, duke siguruar që Ballkani të përparojë në një rrugë të qëndrueshme dhe të begatë”, thuhet në përgjigjen e fushatës së zotit Trump në të cilën theksohet se “stili dhe angazhimi vendimtar i tij për të ndërtuar aleanca të forta të mbështetura në përfitimet dhe respektin e ndërsjellë, do të qëndronin në kontrast të plotë me politikat pasive të administratës aktuale, duke u dhënë shpresë atyre që besojnë në një të ardhme më të ndritshme për Ballkanin”.

Vendet e Ballkanit po ndjekin më vëmendje fushatën për zgjedhjet e 5 nëntorit, rezultati i të cilave po pritet me shqetësim nga shumë evropianë, për shkak të ndikimit që mund të kenë në të ardhmen e NATO-s, luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe të ardhmen e demokracisë në kontinent./VOA/

Video

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme