Erjon Goxhara e mbajti kokën ulur në Gjykatën e Tiranës ku u njoh për masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Lorenc Kostës. Ai shfaqi pendesë, ndërsa siç relatoi prokurori dyshohet se krimi kishte motiv tradhtinë e bashkëshortes së tij me Lorenc Kostën.
Në dosjen hetimore është zbardhur dëshmia e gruas së Goxharës, e cila ka pranuar tradhtinë, ndërsa i biri rrëfen çdo lëvizje të babait pasi plagosi Lorenc Kostën.
Në dosje po ashtu flitet edhe për një ballafaqim të çiftit në një qendër tregtare, një muaj para se të ndodhi plagosja e rëndë, e pas këtij momenti, gruaja e Goxharës ishte larguar nga banesa e tyre dhe kishte shkuar në shtëpinë e prindërve.
Dëshmia e bashkëshortes
G.Goxhara tha se fillimisht ka patur marrëdhënie të mira, korrekte me bashkëshortin, me ulje dhe ngritjet e saj, si çdo çift tjeter. ”Rreth një vit pasi fillova punë si juriste e Entit Rregullator të Energjise krijova afrimitet me Lorenc Kostën. Ai kishte pëlqim për mua dhe në një moment dobësia pata një raport intim me Lorenc Kostën”, tregon ajo.
Kjo ndodhi vetëm një herë - shton më tej ajo - pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për cështje pune.
”Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhëtoja. Fillimisht pretendimet e tij për tradhëti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhëtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhëtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, Lorenc Kosta. Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do m’i falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflitki, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”, përfundon dëshminë gruaja, e cila është dhe molla e sherrit që bashkëshorti i saj oficer kufiri Erjon Goxhara qëlloi me 5 plumba Lorenc Kostën.
Dëshmia e të birit
”Rreth ores 14:35 kur isha bërë gati për të dalë nga shtëpia dhe te shkoja në punë më ka marrë në telefon babai dhe më tha se kishte plagosur Lorenc Kostën. E kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Ne kemi biseduar disa herë pas kësaj telefonate ku më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozes dhe të shkonim në zonën e Freskut.
Gjatë kohës që ne kemi komunikuar ne telefon unë kam vënë re që ai ishte në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe mua mu duk që ai gjatë tërë kohës ishte në panik”, tregon i biri.
Më tej ai tregon se ka dalë në vendin ku i kishte thënë se e priste dhe gjatë rrugës e ka pyetur disa herë nëse ishte mirë.
“Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozes ne këmbë ne kemi marrë një taxi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. I kemi rënë nga rrugicat ku banon ish-presidenti Bamir Topi kemi dalë te restorant Fresku dhe më pas kemi marrë rrugën për nga zona e thesarit në Fresk. Gjatë rrugës, pasi dhe une kam qenë shume i tronditur nga çfare kishte ndodhur mesa mbaj mend babai im ka biseduar disa herë në telefon, mesa unë kuptova me drejtues policie, të cilët e pyesnin se ku ai ndodhej. Por, babi u ka thënë që nuk ua tregonte se ku ndodhej. Sapo ne kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste, kurse mua me tha që ta ndiqja nga pas. Në këtë moment sapo ne kemi zbritur na janë afruar 2 punonjes policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim Erjon dhe ai sapo i pa u largua me vrap në drejtim të rrugicave të pallateve pranë Thesarit duke u thënë këtyre personave që “më mirë vras veten sesa te kalbem në burg”. Këta persona e kane thirrur: Erjon hajde me ne, por babi u largua me vrap dhe këta të dy e kanë ndjekur me vrap nga pas”, tregon i biri.
Djali tregon se taksia u largua, ndërsa pranë tij u afrua një mjet tip BMW X5 ngjyrë e bardhë, në të cilën ndodhej daja i tij oficer policie, që në dijeninë e tij punon në Strukturat Operacionale te Policise. “Ai mu afrua mua dhe më mori dhe sëbashku ne hipëm në mjetin BMV X5 për të cilin pasi e pyeta ai me tha se është mjet i punes. Mua dajua pasi kam hipur ne mjetin në fjalë më ka thënë se do të shkonim te Drejtoria e Policisë ku une do të jepja deklarime për çfarë dija dhe se çfarë kishte ndodhur. Pak a shume ky është intenerari i lëvizjeve të mia sot dhe se cfarë ka ndodhur, une kaq arrij të mbaj mend pasi jam dhe shumë i tronditur psikologjikisht nga e gjitha cfarë ka ndodhur”, tha ai.
Djali i Erjon Goxharës ka shpjeguar se mes prindërve kishte një muaj që kishin lindur debate e mosmarrëveshje. “Mesa une kam kuptuar dhe kam dëgjuar këto debate kanë lindur pasi im atë dyshonte se mamaja ime e tradhëtonte atë me një koleg të punës. Mamaja ime prej afro 5 vitesh punon si specialiste pranë ERE-s. Pasi im atë e ka provokuar në lidhje me një koleg të sajin të quajtur Lorenc mami ja ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin te vërteta dhe se ajo e kishte tradhetuar”, përfundon ai.
Rrëfimi i nipit dhe debati mes ciftit në qendër tregtare
L.B iu tha oficerëve se daja i tij shtetasi Erjon Goxhara pasi ka mësuar se gruaja e tradhtonte ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë tregonte se do vriste veten. “Më datën 19.08.2024 në prezencën e tij Erjoni dhe e shoqja janë takuar ku kanë pirë kafe në një lokal në hyrje të TEG dhe kanë biseduar për të ardhmen ku Erjoni ka kërkuar që bashkëshortja e tij t’i kërkonte falje. “Erjoni tentoi ta godiste, por unë se lejova. E kam shoqëruar G për në shtëpi, ndërkohë që gjatë kësaj kohe ajo godiste veten me grushte në fytyrë, gërvishte dhe qëllonte veten në pjesë të ndryshme të trupit”, përfundon dëshminë L.B.






















