
Muaji gusht, i cili përfaqëson kulmin e sezonit turistik dhe periudhën me hyrjet më të mëdha të valutës në ekonominë shqiptare, ka nisur me një tjetër zhvlerësim të fortë të euros kundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro zbriti sot në 93.13 lekë, duke prekur një tjetër nivel historik të ulët dhe duke vijuar trendin e forcimit të monedhës kombëtare.
Rënia nuk është kufizuar vetëm te euro. Edhe pothuajse të gjitha monedhat kryesore ndërkombëtare kanë humbur terren ndaj lekut. Dollari amerikan ra në 80.70 lekë, paundi britanik në 108.65 lekë, ndërsa franga zvicerane zbriti në 99.75 lekë. Në të njëjtën linjë u zhvlerësuan edhe dollari kanadez, dollari australian, korona norvegjeze, korona daneze, korona suedeze, si edhe juani kinez.
Ky është një zhvillim tipik për muajin gusht, kur hyrjet masive të valutës nga turistët, emigrantët dhe aktiviteti i shtuar në sektorin e turizmit rrisin ofertën e euros dhe valutave të tjera në tregun vendas. Si pasojë, leku forcohet dhe kursi i këmbimit zbret.
Megjithatë, niveli aktual i euros është ndër më të ulëtit e regjistruar ndonjëherë në tregun shqiptar, duke rikthyer debatin mbi ndikimin që një kurs kaq i fortë i lekut ka tek eksportuesit, industria fason, bujqësia dhe bizneset që realizojnë të ardhurat në euro, por paguajnë kostot në lekë.
Në anën tjetër, zhvlerësimi i valutave sjell përfitime për importuesit dhe për qytetarët që kanë kredi në euro, pasi ulen kostot e shlyerjes në monedhën vendase. Gjithashtu, importi i mallrave bëhet relativisht më i lirë, duke ndihmuar në frenimin e presioneve inflacioniste./ekofin.al/























