Pas sulmit me një thikë të improvizuar ndaj Denis Vasos alias Brajovic në burgun e Fierit, prokuroria në kuadër të hetimit ka sekuestruar librat e hyrje-daljeve në IEVP. Hetuesit janë duke analizuar me kujdes takimet e të paraburgosurve të përfshirë në ngjarje, Aldo Gjini e Jurgen Zoto, të cilët dyshohet se e sulmuan Vason për llogari të Ibrahim Licit, kundërshtarit të përbetuar të grupit kriminal Bajri, pjesë e të cilit është dhe shënjestra. Të gjithë personat që kanë marrë takim me Gjinin e Zoton, si dhe me Denis Vason alias Brajovic do të pyeten nga hetuesit.
Paralelisht janë marrë kamerat e burgut, për të parë të gjitha lëvizjet e palëve dhe sjellja e zyrtarëve të burgut, por edhe efektivëve të planifikuar për të garantuar sigurinë në regjimin e brendshëm. 8 prej tyre janë përjashtuar dhe po hetohen për shpërdorim detyre.
Jurgen Zoto në praninë e Aldo Gjinit sulmoi Vason me thikë të improvizuar. Gjatë përleshjes të dy mbetën të plagosur dhe morën ndihmë në spital.
Pas kësaj ngjarjeje Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke analizuar të gjitha elementet e sigurisë në burgun e Fierit.






















