
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Gjykatën Administrative pas vendimit për zhbllokimin e pagave të gjyqtarëve, duke e akuzuar se ka vepruar me shpejtësi për një çështje që prek drejtpërdrejt interesat financiare të magjistratëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se gjykata ka “hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit”, ndërsa vë në pikëpyetje edhe shpejtësinë me të cilën është marrë vendimi.
Kreu i qeverisë e krahason këtë vendimmarrje me vonesat në shqyrtimin e mijëra dosjeve të qytetarëve, duke ironizuar se nëse Gjykata Administrative do të vepronte me të njëjtën shpejtësi për çdo qytetar apo institucion, shqiptarët do të ishin të gatshëm t’u falnin gjyqtarëve “një gjysëm rroge”.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese”, shprehet Rama.
Kryeministri kundërshton gjithashtu faktin që çështja prek fondet e Buxhetit të Shtetit, duke argumentuar se kompetenca për të vendosur mbi to i takon pushtetit legjislativ.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ”, thekson Rama, duke bërë të ditur se Kuvendi do ta trajtojë çështjen më 17 shtator, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sulmi i Ramës vjen pasi Gjykata Administrative urdhëroi Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit Tiranë të zhbllokojnë menjëherë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.






















