
Në Radio Televizionin Shqiptar duket se paratë nuk mjaftojnë asnjëherë. Edhe pasi institucioni ka nënshkruar një kontratë me vlerë mbi 1 miliard lekë për mirëmbajtjen e rrjetit digjital, drejtuesit e tij janë paraqitur përpara deputetëve për të kërkuar miliona lekë shtesë për këtë shërbim. Një kërkesë që mund të dukej e zakonshme në diskutimet për buxhetin, nëse pas saj nuk do të qëndronte një tender i kontestuar prej muajsh, i shoqëruar me dyshime për standarde të dyfishta dhe pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurave.
Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, në prani edhe të drejtoreshës së përgjithshme, Eni Vasili, ka kërkuar në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik një fond shtesë prej 37 milionë lekësh për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2.
Sipas Hoxhallit, kostoja reale e mirëmbajtjes së këtij rrjeti arrin në 287 milionë lekë në vit, ndërsa buxheti parashikon vetëm 250 milionë lekë.
“Rrjeti digjital ka një kërkesë shtesë prej 37 milionë lekësh. RTSH e mban rrjetin DVB-T2 në funksion mbi 99.8% të kohës. Kostoja reale vjetore e kësaj mirëmbajtjeje është 287 milionë lekë në vit. Ndërsa buxheti parashikon vetëm 250 milionë lekë”, deklaroi Hoxhalli.
Por ajo që drejtuesi i Këshillit Drejtues nuk e shpjegoi në këtë deklaratë është marrëdhënia mes kërkesës për para shtesë dhe kontratës që RTSH kishte firmosur vetëm pak ditë më parë për mirëmbajtjen e po këtij rrjeti.
Kontrata mbi 1 miliard lekë që ngre pikëpyetje për kërkesën e re
Më 30 tetor 2026, RTSH nënshkroi kontratën me bashkimin e operatorëve ekonomikë “IDEA-TEL” sh.p.k. dhe “REAL COM” sh.p.k., në kuadër të tenderit për mirëmbajtjen e rrjetit DVB-T2 për një periudhë katërvjeçare. Procedura, me numër reference REF-78347-03-05-2026, kishte një fond limit mbi 906 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 1.08 miliardë lekë me TVSH.
Pra, nga njëra anë, RTSH ka përmbyllur një procedurë prokurimi me një fond limit mbi një miliard lekë për katër vite, ndërsa nga ana tjetër, drejtuesit e tij kërkojnë financim shtesë nga buxheti për mirëmbajtjen e të njëjtit rrjet.
Kjo nuk provon automatikisht se kërkesa prej 37 milionë lekësh është e pajustifikuar. Por e bën të domosdoshëm një shpjegim publik, çfarë mbulon konkretisht kontrata e sapolidhur, cilat janë kostot që mbeten jashtë saj dhe përse fondet e parashikuara nuk mjaftojnë?
Nëse shërbimi është kontraktuar tashmë për katër vite, qytetarët duhet të dinë përse kërkohen para të tjera dhe mbi çfarë përllogaritjesh mbështetet kjo kërkesë.
Aq më tepër kur kontrata në fjalë nuk është një procedurë e pakontestuar.
Tenderi i kontestuar dhe dyshimet për standarde të dyfishta
VNA ka raportuar më herët për tenderin e RTSH-së, i cili u shoqërua me ankesa nga bashkimi i operatorëve “R & T” dhe “TBS 96”, të skualifikuar nga gara. Kompanitë ngritën pretendime për trajtim të pabarabartë të pjesëmarrësve dhe për kritere teknike që, sipas tyre, kufizonin konkurrencën.
Në qendër të kundërshtimeve ishte pretendimi se RTSH kishte kryer verifikime të hollësishme të dokumentacionit të operatorëve të skualifikuar, deri te kontaktimi i prodhuesve dhe distributorëve jashtë vendit, ndërsa bashkimit të kompanive fituese pretendohej se i ishte lejuar plotësimi i dokumenteve të rëndësishme jashtë sistemit elektronik.
Pas rreth pesë muajsh shqyrtimi, Komisioni i Prokurimit Publik, me vendimin nr. 1334, datë 8 tetor 2026, nuk pranoi kundërshtimet e operatorëve të skualifikuar.
Por edhe pas këtij vendimi, pikëpyetjet nuk përfunduan.
Kontrata e firmosur brenda katër ditëve, a u respektuan procedurat?
Sipas dokumentacionit të referuar në këtë çështje, RTSH e nënshkroi kontratën më 30 tetor, vetëm katër ditë pas publikimit të njoftimit të fituesit në Buletinin e Njoftimeve Publike, më 26 tetor.
Ndërkohë, në materialet e disponueshme nuk është identifikuar një akt i veçantë i Komisionit të Prokurimit Publik për heqjen e pezullimit të procedurës përpara nënshkrimit të kontratës.
Nëse një akt i tillë ka qenë i nevojshëm, duhet sqaruar nëse është nxjerrë dhe komunikuar rregullisht. Kjo është një çështje që kërkon përgjigje si nga RTSH, ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse për prokurimet publike.
Përse kontrata u nënshkrua kaq shpejt? A ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore? Dhe mbi të gjitha, a është garantuar konkurrenca e barabartë për një shërbim që kushton qindra milionë lekë?
Këtyre pyetjeve u shtohet tashmë edhe kërkesa për 37 milionë lekë të tjera.
Shifrat që kërkojnë shpjegim: 287 milionë lekë në vit për mirëmbajtjen
Një element që meriton vëmendje është edhe krahasimi i shifrave. Fondi limit i tenderit, i ndarë në katër vite, përfaqëson mesatarisht rreth 226.5 milionë lekë në vit pa TVSH. Ndërkohë, Hoxhalli ka deklaruar një kosto reale vjetore prej 287 milionë lekësh.
Diferenca kërkon sqarim, edhe pse shifrat nuk janë domosdoshmërisht drejtpërdrejt të krahasueshme për shkak të TVSH-së dhe shërbimeve që mund të përfshihen në secilën përllogaritje.
Sepse kur drejtuesit e televizionit publik dalin përpara deputetëve dhe thonë se u mungojnë 37 milionë lekë, ndërkohë që sapo kanë firmosur një kontratë me fond limit mbi një miliard lekë për të njëjtin rrjet, pyetja që lind është e thjeshtë, ku përfundojnë paratë e kontratës dhe për çfarë duhen milionat e tjera?






















