Bota 2026-09-12 15:48:33 Nga VNA

Qindra azilkërkues të kthyer nga Britania “zhduken” në Francë/ Mes tyre dyshohet se janë edhe dhjetëra fëmijë

Ndaje në Whatsapp
Qindra azilkërkues të kthyer nga Britania “zhduken”

Marrëveshja mes Britanisë dhe Francës për kthimin e emigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla është vënë nën presion, pasi organizatat humanitare thonë se qindra persona të kthyer në Francë nuk janë më në kontakt me autoritetet.

Bëhet fjalë për skemën e njohur si “one in, one out”, e krijuar në vitin 2025 nga ish-kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Sipas marrëveshjes, persona që mbërrijnë ilegalisht në Britani nga Franca mund të kthehen, ndërsa Londra pranon në mënyrë të ligjshme një numër tjetër azilkërkuesish nga Franca. 

Organizatat për të drejtat e emigrantëve thonë se nga rreth 1,400 persona të kthyer në Francë, vetëm rreth 200 vazhdojnë të jenë në kontakt të rregullt me autoritetet.

Pjesa tjetër besohet se është shpërndarë në Francë ose vende të tjera europiane, shpesh duke jetuar në mënyrë të parregullt nga frika e deportimit të mëtejshëm.

Por shqetësimi më serioz lidhet me të miturit.

Organizatat thonë se të paktën 41 persona që pretendojnë se janë fëmijë të pashoqëruar janë kthyer në Francë dhe më pas nuk janë lokalizuar.

Sipas rregullave të skemës, të miturit e pashoqëruar nuk duhet të përfshihen në kthime të tilla.

Home Office britanik i kundërshton akuzat dhe thotë se personat e kthyer janë kontrolluar sipas procedurave për përcaktimin e moshës.

Megjithatë, borde të pavarura monitorimi kanë identifikuar afro 100 raste personash të regjistruar fillimisht si të rritur, por që pretendonin se ishin të mitur.

Organizatat paralajmërojnë gjithashtu për probleme psikologjike mes personave të kthyer, disa prej të cilëve kanë kaluar disa herë Kanalin e La Manshit dhe kanë përjetuar ndalime ose deportime.

Marrëveshja aktuale skadon më 1 tetor, por Britania dhe Franca po diskutojnë mundësinë e zgjatjes ose zgjerimit të saj.

Video

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news