
Sulm me dronë ndaj tubacionit strategjik të Arabisë Saudite, Rijadi pezullon përkohësisht operimin
Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik Lindje–Perëndim, pasi infrastruktura energjetike u godit nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Sulmi ka shkaktuar dëme materiale dhe disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa autoritetet saudite kanë nisur vlerësimin e pasojave.
Rijadi bëri të ditur se pezullimi i funksionimit të tubacionit është ndërmarrë si masë paraprake. Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite ka deklaruar se nuk planifikon, të paktën për momentin, të ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj Irakut.
Ministria e Jashtme saudite njoftoi se mbretëria do të mbështesë përpjekjet e qeverisë irakiane për të parandaluar sulme të tjera që mund të nisen nga territori i saj.
Tubacioni Lindje–Perëndim, me një gjatësi prej rreth 1,200 kilometrash, konsiderohet një nga infrastrukturat më të rëndësishme energjetike të Arabisë Saudite. Ai mundëson transportimin e naftës drejt porteve në Detin e Kuq, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike për furnizimin botëror me energji.
Sipas të dhënave të cituara nga Reuters, përmes këtij tubacioni është transportuar një sasi nafte e barasvlershme me rreth 4–5% të furnizimit global, çka ka shtuar shqetësimet për pasojat që një ndërprerje e zgjatur mund të shkaktojë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Iraku ka pranuar se dronët e përdorur në sulm ishin nisur nga territori i tij. Zyra e kryeministrit irakian njoftoi se komandanti i operacioneve në provincën Maysan është shkarkuar nga detyra, pasi u konfirmua se sulmi kishte origjinën në këtë zonë pranë kufirit me Iranin. Autoritetet irakiane kanë nisur gjithashtu një hetim për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka paralajmëruar se rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, infrastrukturës strategjike, si dhe qytetarëve dhe banorëve të saj.
Sulmi është dënuar edhe nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një kërcënim të papranueshëm ndaj sigurisë dhe infrastrukturës jetike të Arabisë Saudite.






















