Bota 2026-09-02 10:00:41 Nga VNA

Përmbytjet u morën shtëpitë, të mbijetuarit në Nepal luftojnë tani për të mos humbur edhe traditat

Ndaje në Whatsapp
Përmbytjet u morën shtëpitë, të mbijetuarit në

Për të mbijetuarit e përmbytjeve shkatërruese në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit, katastrofa nuk ka marrë vetëm shtëpi dhe njerëz të dashur. Familjet e zhvendosura kanë nisur të shqetësohen se bashkë me vendlindjet mund të humbasin edhe traditat dhe kulturën e ruajtur prej brezash.

Associated Press sjell historinë e Tsering Gelbu Lama, i cili është strehuar së bashku me vajzën e tij 4-vjeçare në një manastir budist në Kathmandu, ku kanë gjetur strehë qindra persona të evakuuar nga fshatrat e largëta.

Gruaja e Lamës u mor nga përmbytjet dhe humbi jetën. Ai ende nuk ka arritur t’i tregojë vajzës së vogël se nëna e saj nuk do të kthehet më. Ndërsa përpiqet të kujdeset për të bijën, babai mendon edhe për një tjetër humbje: si do t’ia përcjellë asaj kulturën me të cilën vetë është rritur, nëse komuniteti ku ajo praktikohej nuk ekziston më si më parë. 

Shumë prej familjeve të zhvendosura vijnë nga Rasuwa, një zonë malore pranë kufirit me Tibetin, ku jeta e komuniteteve është lidhur prej brezash me tokën, manastiret budiste dhe ritualet tradicionale.

Përpara katastrofës, banorët mblidheshin për ceremonitë fetare dhe festat, ndërsa traditat përcilleshin natyrshëm nga prindërit te fëmijët. Por largimi i të rinjve drejt qyteteve kishte nisur ta dobësonte këtë lidhje edhe përpara përmbytjeve.

Tani situata është bërë edhe më e vështirë. Familje të tëra janë shpërndarë, shumë prej tyre janë zhvendosur në Kathmandu dhe disa nuk e dinë nëse do të kenë mundësi të kthehen ndonjëherë në vendet ku kanë jetuar.

Tsering Sherpa, 36 vjeç, e përmblodhi situatën duke thënë se ata nuk kanë mbetur pa shtëpi vetëm sepse humbën tokën, por ndihen të pastrehë edhe në raport me kulturën dhe traditat e tyre. 

Shqetësimi është edhe më i madh për fëmijët që kanë humbur prindërit ose janë larguar nga komunitetet ku do të mësonin gjuhën, ritualet dhe zakonet e paraardhësve.

Për të mbijetuarit, rindërtimi nuk do të thotë kështu vetëm ngritja e shtëpive të reja. Sfida është të rindërtohet edhe komuniteti dhe të ruhet ajo pjesë e jetës që nuk mund të zëvendësohet me ndihma materiale.

Në një manastir të kthyer përkohësisht në strehë, familjet po përpiqen tani të shpëtojnë atë që përmbytjet nuk arritën ta marrin: kujtesën dhe traditat që i kanë mbajtur të lidhur për breza.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news