Opinion 2025-11-06 20:46:00 Nga VNA

Çfarë do të sjellë ligji kundër diskriminimit gjinor?

Ndaje në Whatsapp
Çfarë do të sjellë ligji kundër diskriminimit gjinor?

Nga Ergys Mertiri

Projektligji për diskriminimin gjinor po kalon mes një kakofonie që sigurisht nuk flet për qëllime serioze në shërbim të shoqërisë. Sigurisht, mund të ketë ekzagjerim në alarmet që ngre opozita apo edhe përfaqësues të levizjes pro familjes, por nuk mund të mos dallojmë njëfarë arrogance dhe kodoshllëku tek ata që e kanë lobuar dhe po e miratojnë.

Unë nuk besoj se ky ligj do të shkatërrojë shoqërinë shqiptare, pasi mirë apo keq, kjo shoqëri, me njëmijë e një problemet që ka, ecën zakonisht në mënyrë të pavarur nga trillet eksperimentale të atyre që hartojnë projekte mbi këtë vend. Problemi qendron tek mungesa e thellë e shqetësimit që elitat shqitpare kanë ndaj nevojave për mbrojtjen dhe përmirësimin e shoqërisë. Vetë mënyra sesi po kalon ky projektligj, si një produkt axhendash e lobingjesh, dhe lehtësia e moskokëçarja me të cilat politika shqiptare pranon gjithçka që i kërkohet, është shqetësuese dhe një tregues i trishtë se përse kjo shoqëri nuk ndryshon dhe problemet e dramat e përditshme sociale vazhdojnë e mbeten të po njësoj.

Ky vend nuk ndryshon pra, se askujt nuk ia ndjen të bëjë diçka që gjërat të përmirësohen. Sepse hallin e shoqërisë shqiptare nuk e ka askush; OJQ-të kanë hallin e partnerëve donatorë, qeveria të ndërkombëtarëve që hartojnë raporte, media ka hallin të bëjë zhurmë për audiencë…

Në këto kushte debati bëhet pa interes dhe pa vlerë. Gjithsesi nuk mund të rri pa thënë se ky projektligj, si të gjithë të tjerët më parë, nuk reflekton problemet e shoqërisë shqiptare dhe as nevojën për ti zgjidhur ato. Ai reflekton vetëm interest e donatorëve të huaj për të shtyrë përpara projekte shoqërore konform ideo-estetikës së tyre sociologjike.

Në thelb, ajo që e karakterizon projektligjin, është perspektiva liberale majtiste, e madje vende-vende edhe wokeiste. Terminologjia, por edhe qasja ndaj fenomeneve, pavarësisht faktit se ndoshta nuk kanë shkuar aq larg sa do të dëshironin, në të vërtetë buron nga kjo perspektivë.

Pra në thelb, ky është një projektligj që ideologjikisht shtyn përpara axhendën liberale dhe i shërben ekspansionit të një lëvizjeje që ka për qëllim një shoqëri tjetër, krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të projektojë, imagjinojë apo dëshirojë pjesa tjetër e shoqërisë. Më tepër se termat për të cilat alarmohen aktivistët pro familjes, adresimi i projektligjit kundër atyre që ai i quan “stereotipe” dhe “role gjinore”, është një tregues i fuqishëm i impaktit të feminizmit radikal si dhe frymës agresive antitradicionale dhe antikonservatore që e shoqëron hartimin e këtij teksti.

Si i tillë ky projektligj nuk është aspak konsensual dhe nuk fton në mirëkuptim midis faktorëve të ndryshëm kulturorë në shoqëri, apo të paktën të ofrojë neutralitet si një garanci lirie dhe gjithpërfshirjeje. Vetë fakti që hartuesit, këmbëngulin që, megjithë reagimet e mëdha, të mos eleminojnë ato terma të cilët krijojnë alarm tek pala tjetër, tregon se këtu ka një kokëfortësi imponuese konfliktuale që nuk pranon tolerancë.

Përndryshe çfarë do kishte humbur shoqëria nëse projektligji negocionte zëvendësimin e termave të tillë si “identitete gjinore”, “shprehje gjinore”, apo “përkatësi të shumëfishta”, për të cilat vetë mbrojtësit e projektligjit thonë se janë keqkuptuar? Nëse janë keqkuptuar, zëvendësojini termat që të mos mbetet vend për keqkuptim! Përse nuk e bëjnë këtë? Sepse nuk pranojnë të bashkëndajnë hapësirën terminologjike të legjislacionit, që do të thotë se nuk pranojnë të bashkëndajnë mjedisin e përbashkët social ku jemi të detyruar të bashkëjetojmë.

Në fakt, shoqëria shqiptare ka mijëra probleme sociale të paadresuara, shumica prej të cilave buron nga modernizimi agresiv e zvetënimi vleror. Por gjithashtu, ka një sërë problemesh të krijuara sot në botën perëndimore me axhendat gjinore, të cilat ligjvënësit nuk pranojnë aspak ti diskutojnë dhe reflektojnë për t’i rregulluar para se të mbërrijnë deri këtu.

Nga e gjithë kjo, është e qartë se projektligji, ndonëse nuk do të sjellë apokalips, nuk pritet të sjellë as ndonjë gjë të dobishme. Duke mos trajtuar në kompleksitet fenomenet problematike të shoqërisë shqiptare ai nuk do të ndihmojë aspak as në frenimin e diskriminimit gjinor, e as në përmirësimin e problemeve shoqërore. E vetmja gjë që ai do të sjellë është rritja e konfliktualitetit ideologjik me bazë kulturore, duke shërbyer si instrument për avancimin e një axhende kundër tjetrës.

Video

Presidenti amerikan Donald Trump priti të enjten në Zyrën Ovale një grup pastorësh ungjillorë dhe klerikësh të krishterë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga një ndihmës i tij, Trump shihet i ulur me sytë mbyllur ndërsa pastorët, luten për të dhe për ushtarët amerikanë “në këto kohë sfiduese”.

Ç’të jetë kjo “pik pik pik” që prek Borën dhe gratë e PS?

Video-animacion i publikuar nga ushtria izraelite që tregon bunkerin nëntokësor të Ali Khameneit, i ndërtuar nën kompleksin e udhëheqjes iraniane në Teheran, i cili sipas Izraelit u godit dhe u çmontua gjatë një sulmi ushtarak.

Një re e madhe tymi u pa duke u ngritur mbi horizontin e Riadit, mes konfliktit të vazhdueshëm në rajonin e Gjirit, të enjten, më 5 mars. Pamjet e filmuara nga një banor që po udhëtonte me makinë në një autostradë në kryeqytetin e Arabia Saudite tregojnë një re të errët tymi që ngrihet mbi një ndërtesë aty pranë të enjten. Arabia Saudite ka deklaruar se ka kapur tre raketa balistike të lëshuara drejt një baze ajrore, ndërsa Irani ka intensifikuar sulmet në të gjithë rajonin e Gjirit. “Tre raketa balistike të lëshuara drejt Prince Sultan Air Base u kapën dhe u shkatërruan”, njoftoi ministria saudite e Mbrojtjes në X. Marrë nga TRT Balkan

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news