Politika 2026-09-17 16:06:00 Nga VNA

Kuvendi bashkohet për UÇK-në pas vendimit të Hagës, Peleshi: Besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve të Kosovës

Ndaje në Whatsapp

Kuvendi bashkohet për UÇK-në pas vendimit të Hagës,

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklarata, e mbështetur nga mazhoranca dhe opozita, u lexua në seancën plenare nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Kuvendi shprehu “indinjatën e thellë” dhe mosdakordësinë me vendimin, të cilin e konsideroi të padrejtë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Në deklaratë ritheksohet qëndrimi se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, e zhvilluar për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes së shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

Sipas deklaratës, UÇK-ja ishte një forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës, ndërsa Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi cilësohen si figura të pandashme nga kjo histori dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Kuvendi theksoi se një vendim gjyqësor nuk mund të rishkruajë historinë e Kosovës, të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës apo të barazojë agresorin me viktimën.

Në qëndrimin e përbashkët shprehet gjithashtu solidariteti me Kosovën, institucionet dhe popullin e saj, si dhe me katër ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre. Kuvendi deklaroi se mbetet i palëkundur në bindjen për pafajësinë e tyre dhe kërkoi që të ndiqen deri në fund të gjitha mjetet juridike të parashikuara për kundërshtimin e vendimit.

Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me Serbinë dhe Rusinë. Kuvendi u shpreh kundër çdo përpjekjeje të këtyre dy vendeve për ta instrumentalizuar politikisht procesin në Hagë, për të relativizuar krimet e regjimit të Millosheviçit apo për të vënë në pikëpyetje luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Parlamenti shqiptar u angazhua gjithashtu që në forumet dhe institucionet ndërkombëtare të vijojë denoncimin e krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë. Në deklaratë kërkohet edhe koordinim institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës për veprimet që do të ndërmerren në vijim lidhur me këtë çështje.

Deklarata erdhi një ditë pasi Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, duke e çuar dënimin e përgjithshëm në 81 vite burg. Të katërt ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre.

Qëndrimi përfundimtar i Kuvendit erdhi pas dakordësisë mes grupeve parlamentare për një deklaratë të përbashkët, duke bashkuar mazhorancën dhe opozitën në qëndrimin ndaj vendimit të Hagës.

Lexo gjithashtu

Video

SHISH “fshin” Vlora Hysenin nga historiku zyrtar

I shënoi kush u largua nga salla! ???? Pamjet nga OKB-ja tregojnë zyrtarë të delegacionit izraelit duke kaluar nga një tavolinë te tjetra dhe duke evidentuar delegacionet që u larguan nga salla gjatë fjalimit të Benjamin Netanyahu-t. Dhjetëra delegacione u larguan sapo kryeministri izraelit mori fjalën, duke lënë pas shumë vende bosh në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Skandali po kthehet në biznes, “radarët” e Vlora Hysenit përfundojnë në bluza

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news