Editorial 2026-02-23 16:35:00 Nga VNA

Imuniteti si provë morali: a guxon opozita të vendosë “standartin” që kërkon nga PS?

Ndaje në Whatsapp

Imuniteti si provë morali: a guxon opozita të vendosë

Nga Desada Metaj

Gazment Bardhi nuk e fshehu gëzimin pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve se më në fund prokurorët e kishin ngritur stekën e akuzave ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, kundërshtare e tij politike por dhe rivalja e tij në garën e humbur keqas në Fier. Ndryshe nga linja e partisë në të cilën ai është kryetar i grupit parlamentar, zoti Bardhi nuk i kurseu as komplimentat për grupin e prokurorëve që sipas tij kishin punuar pa ndikim politik.

Deri këtu duket se opozita tashmë është në një revansh të plotë ndaj mazhorancës që qartas ka hyrë në spiralen e hetimeve ku as vendimi i Gjykatës Kushtetuese apo imuniteti i deputetit nuk duken se i ndihmon dot. Por politika është diçka më shumë se një deklaratë publike triumfatore në shkallët e Kuvendit. Madje dhe shumë më tepër se një protestë kombëtare e mbështetur masivisht vetëm nga militantët e PD.

Të mundësh një mazhorancë si kjo e Edi Ramës duhet dhe pak strategji, standart për të mos përmendur fjalën peshërëndë “moral”. Dhe në këtë rast deputetët e opozitës kanë një rrugë të qartë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të PS për të mos dorëzuar imunitetin e Ballukut: të dorëzojnë imunitetin e tyre. Ta bëjnë këtë në formë të qartë dhe publike si një akt të qartë politik dhe moral se dikush që hetohet nga SPAK, qoftë ky dhe deputet i çfarëdo force politike duhet të dorëzojë imunitetin. Si princip i qartë se mbështet punën dhe hetimet e SPAK dhe si shenjë besimi tek institucionet e drejtësisë.

Me gjasë kjo nuk do të ndodhë asnjëherë për sa kohë energjitë e partisë më të madhe në opozitë janë përqendruar tek gjetja e adoleshentëve që do hedhin fishekzjarre dhe molotovë në protestën e 28 shkurtit. Një parti që strategjinë e vetme të komunikimit politik e sheh tek konferencat për shtyp të Sali Berishës dhe jehona në media e protestave (që s’e kanë hedhur ende qeverinë e Edi Ramës) vështirë se mund të përqafojë një akt të mirëfilltë politik që ndoshta mund të rrezikojë dhe ndonjë deputet të saj.

E gjitha duket dhe më e vështirë duke patur parasysh qëndrimin që PD mbajti kur SPAK kërkoi imunitetin e Sali Berishës. Në 21 dhjetor të vitit 2023 salla e Parlamentit ku PS votoi pro heqjes së imunitetit për Berishën, mbështetësit e këtij të fundit dogjën sallën parlamentare ndërsa jashtë kishte qindra mbështetës që protestuan. Asokohe në një reagim në X Gazment Bardhi do të shkruante:

“Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por barazia duhet të ekzistojë edhe në të drejta. Një standart për bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe një tjetër standart tërësisht i ndryshëm për kundërshtarët e Edi Ramës, nuk është as barazi dhe as drejtësi”.

Sot deputetët e Sali Berishës në Parlament kërkojnë me ngulm heqjen e imunitetit dhe janë në të drejtën e tyre të ngrenë zërin e t’i kërkojnë Edi Ramës që ta lejojë drejtësinë të veprojë pa u penguar nga imuniteti i deputetit. Por të ngresh zërin e të zësh radhën në banakët televizivë për të dhënë mend është më “u gjend Kola në punë”. Të jesh i gatshëm të dorëzosh në grup imunitetin dhe t’i tregosh jo vetëm militantëve por dhe njerëzve të lirë të këtij vendi se ky është standart dhe jo lojë meskine është të bësh opozitë me moral.

Dhe meqë kjo është një fjalë e madhe në politikën shqiptare, ndoshta do ishte mirë që të përdornim fjalën “standart”. Kaq i duhet sot PD që të tregojë se e ka seriozisht betejën me korrupsionin.

Video

Presidenti amerikan Donald Trump priti të enjten në Zyrën Ovale një grup pastorësh ungjillorë dhe klerikësh të krishterë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga një ndihmës i tij, Trump shihet i ulur me sytë mbyllur ndërsa pastorët, luten për të dhe për ushtarët amerikanë “në këto kohë sfiduese”.

Ç’të jetë kjo “pik pik pik” që prek Borën dhe gratë e PS?

Video-animacion i publikuar nga ushtria izraelite që tregon bunkerin nëntokësor të Ali Khameneit, i ndërtuar nën kompleksin e udhëheqjes iraniane në Teheran, i cili sipas Izraelit u godit dhe u çmontua gjatë një sulmi ushtarak.

Një re e madhe tymi u pa duke u ngritur mbi horizontin e Riadit, mes konfliktit të vazhdueshëm në rajonin e Gjirit, të enjten, më 5 mars. Pamjet e filmuara nga një banor që po udhëtonte me makinë në një autostradë në kryeqytetin e Arabia Saudite tregojnë një re të errët tymi që ngrihet mbi një ndërtesë aty pranë të enjten. Arabia Saudite ka deklaruar se ka kapur tre raketa balistike të lëshuara drejt një baze ajrore, ndërsa Irani ka intensifikuar sulmet në të gjithë rajonin e Gjirit. “Tre raketa balistike të lëshuara drejt Prince Sultan Air Base u kapën dhe u shkatërruan”, njoftoi ministria saudite e Mbrojtjes në X. Marrë nga TRT Balkan

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news