Bota 2026-02-13 18:40:00 Nga VNA

Politikat e Trump, sa afër jemi drejt një rendi të ri botëror

Ndaje në Whatsapp
Politikat e Trump, sa afër jemi drejt një rendi të ri

Atmosfera e përgjithshme ndër udhëheqësit europianë në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC 2026) mund të përshkruhet më shumë deziluzionuese sesa shpresëdhënëse. Pak më shumë se një vit pasi Donald Trump nisi mandatin e tij të dytë si President i SHBA-së, marrëdhëniet transatlantike konsiderohen si të tronditura. Politika e jashtme çorientuese e Trump-it po hedh hije mbi takimin e nivelit të lartë (13. 02. - 15.02. 2026) të njohur ndërkombëtarisht si Konferenca e Sigurisë në Mynih.

Cënimi i tiparit kryesor të politikës aktuale

Konferenca prej dekadash e cilëson veten si transatlantike. Por ndërkohë në fakt mbizotëron një "krizë e paparë ndonjëherë besimi", u shpreh kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger. "Munich Security Report", raporti që publikohet krahas Konferencës së Sigurisë sivjet mban titullin shumë domethënës "Në shkatërrim".

Donald Trump në raport klasifikohet në kategorinë e "demolition men", pra një kreu shteti që me politikën e tij të "gjyles që shemb" po shkatërron rregullat në fuqi dhe institucionet e respektuara. Vërejtja e Trumpit, se atij nuk i duhet e drejta ndërkombëtare, është vetëm një ndër shumë dëshmi për këtë.

Ndonëse nën një shenjë të vështirë si kurrë më parë Konferenca e Sigurisë, e themeluar para më shumë se 60 vjetësh, vazhdon të shërbejë si një forum për shkëmbime dhe dialog. Ndër rreth njëmijë pjesëmarrësit mbi 200 janë përfaqëuses qeverish nga 120 shtete.

Në hotelin prestigjoz me traditë "Bayerischer Hof", ku zhvillohet konferenca, do të priten presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, presidenti francez Emmanuel Macron, ministri i Jashtëm kinez Vang Yi dhe Mette Frederiksen, kryeminstrja daneze, e cila së fundi me kurajo i tha stop Donald Trumpit, kur ky ngriti pretendimet për pronësinë ndaj Groenlandës, që i përket Danimarkës.

Qeveria e SHBA-së dërgon ministrin e Jashtëm Marco Rubio 

Pavarësisht tensioneve në raportet transatlantike edhe sivjet nga SHBA-ja vjen një delegacion i madh, ndonëse administrata Trump përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Marco Rubio. Drejtuesi i konferencës Ischinger thotë, se pret që Rubio të flasë për "politikën e jashtme amerikane dhe jo për temat, që nuk kanë të bëjnë direkt me dikasterin e tij." Thënë kjo nisur nga fjalimi i zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance vitin e kaluar që irritoi publikun në konferencë.Vance, i cili sivjet nuk bën pjesë në listën e pjesëmarrësve, në fjalimin e tij kritikoi gjoja mungesën e lirisë së shprehjes në Europë.

Por delegacioni nga SHBA-ja nuk përbëhet vetëm nga mbështetësit e Trumpit. Ndër pjesëmarrësit janë edhe kundërshtarët të presidentit të SHBA-së, si Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë. Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ai bëri të qartë, se në të ardhmen pret "më shumë shtyllë kurrizore" dhe qendrueshmëri nga europianët - sepse po gjunjëzohen shpejt përpara Trumpit.

Europa përpara një epoke të re të vetafirmimit?

Me këtë fjalim Newsom preku thelbin e njërës prej temave që do të luajnë një rol të rëndësishëm sivjet në konferencë: Si duhet të riorientohet Europa në situatën e ndryshuar botërore? Çfarë roli mund të luajë Gjermania në këtë drejtim? Lidhur me këtë do të flasë Friedrich Merz, i cili të premten (13.02.2026) do të hapë konferencën, për herë të parë në pozitën e kancelarit.

Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, Merz së fundi u bëri thirrje europianëve, "të mësojnë vet ta flasin gjuhën e politikës së pushtetit." Këtu bëjnë pjesë investime masive në aftësitë mbrojtëse europiane si dhe ndërtimi i partneriteteve të reja.

Kudo në botë ka "demokraci në ekspansion me tregje të hapura në rritje, që kërkojnë pikërisht atë që ne mund të ofrojmë", theksoi Merz në Bundestag. Duke iu referuar SHBA-së, ai shtoi: "Si demokraci ne jemi partnerë dhe aleatë, dhe jo të nënshtruar." Në Mynih kancelari mund t'i shpjegojë edhe më në detaje këto mendime - duke vendosur theksin për një debat, në të cilin kriza aktuale konsiderohet edhe si një katalizator për ndryshime strategjike.

Përfaqësuesit e regjimit të Iranit të padëshiruar

Ftesat për në Konferencën e Sigurisë në Mynih janë mjaft të preferuara, por ato jepen të menduara mirë. Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet nuk janë të mirëseardhur në Mynih përfaqësuesit e qeverisë së Iranit. Arsyeja: Dhuna masive, me të cilën udhëheqja në Teheran i mposhti demonstratat e fundit në vend. Në konferencë do t'u jepet fjala përfaqësuesve të opozitës iraniane dhe të shoqërisë civile.

Edhe pse lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë një temë qendrore në konferencë, përfaqësues të qeverisë ruse nuk do të jenë të pranishëm. Në vitin 2022, pak para fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, delegacioni rus anuloi pjesëmarrjen në mënyrë kolektive, kujton drejtuesi i konferencës Ischinger. Qysh atëherë, thotë ai, nuk kam dëgjuar më "asnjë zë" nga Moska për një pjesëmarrje të mundshme.

Duke iu referuar bisedimeve për mundësinë e fundit të luftës, Ischinger thekson, se Rusia ndonëse bën sikur është e gatshme për bisedime, vazhdon njëkohësisht të sulmojë me terror popullsinë civile ukrainase. Çmimi Ewald-von-Kleist i Konferencës së Sigurisë në Mynih për këtë arsye sivjet nuk i akordohet një personaliteti të vetëm, por "të gjithë popullit të guximshëm ukrainas"./DW Shqip

Video

Protestat e nxënësve dhe studentëve në Francë janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, me përplasje të forta mes demonstruesve dhe policisë së ndërhyrjes. Lëvizja, e nisur në rajonin e Parisit, është zgjeruar tashmë në disa qytete të vendit, mes kërkesave për më shumë financim për arsimin, kushte më të mira mësimore dhe zgjidhje për mungesën e mësuesve. Demonstratat kanë prekur qytete si Lille, Lyon, Marseille dhe Strasbourg, ndërsa në dhjetëra shkolla janë vendosur bllokada. Në disa raste, protestat janë shoqëruar me djegie koshash, barrikada dhe hedhje objektesh drejt forcave të rendit, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës dhe masa të tjera për shpërndarjen e turmave. Sipas autoriteteve franceze, mbi 600 persona u ndaluan vetëm gjatë së mërkurës, ndërsa protestat kanë prekur 356 shkolla. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ka raportuar gjithashtu se 83 efektivë të policisë dhe xhandarmërisë janë plagosur gjatë përleshjeve.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në fshatin Piraj të Lezhës, ndërsa flakët po afrohen pranë banesave dhe kishës së fshatit. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke shtuar rrezikun për zonën e banuar. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e vatrave. Ndërhyrja është përqendruar në frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave e të objekteve të tjera të rrezikuara.

Kreu i qeverisë u hyri në dhomë pacientëve të shtruar për t’i pyetur për kushtet moderne të spitalit të ri të Kardiologjisë. Vizitat në dhomat e të sëmurëve dhe bisedat me pacientët u përcollën përmes pamjeve të publikuara nga vetë qeveria.

“Zilia” për kullat/ Rama i jep leje për 77 kate Luan Muçës në Tiranë dhe 23-kate për deputetin e PS në Pogradec

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news