
Brian Syzo, 35 vjeç, i cili mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur më 30 qershor në Pogradec, është arrestuar për të vuajtur një dënim të formës së prerë. Në pranga ka përfunduar edhe Edison Agolli, vëllai i autorit të dyshuar Nikolla Agolli, i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në ngjarje.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, 22-vjeçari Edison Agolli u kap një ditë më parë nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Hetimet dyshojnë se ai ndodhej së bashku me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë në momentin kur u tentua vrasja me armë e Brian Syzos.
Agolli ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes. Mbi të rëndon akuza për "vrasje me paramendim, e kryer për interes dhe hakmarrje", e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim.
Burimet bëjnë me dije se arrestimi i tij lidhet edhe me një episod tjetër, atë të vendosjes së një kamere pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Drenovë, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të Brian Syzos.
Ndërkohë, arrestimi i 35-vjeçarit Brian Syzo nuk lidhet me atentatin, por me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Pogradecit të vitit 2023. Syzo është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale "prodhim dhe shitje e narkotikëve".






















