Rajoni 17 Dhjetor 2024, 21:19 Nga VNA

Cilat do të jenë pasojat nëse SHBA-ja i vë sanksione industrisë së naftës të Serbisë?

Ndaje në Whatsapp
Cilat do të jenë pasojat nëse SHBA-ja i vë sanksione

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara “nuk i paralajmërojnë publikisht sanksionet”.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë, si dhe rrjetet e saj të prokurimit dhe financiare, që përdoren për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ajo pason njoftimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se SHBA-ja do t’i vendosë sanksione ish-kompanisë shtetërore, Industria e Naftës e Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse.

Radio Evropa e Lirë nuk mori detaje konkrete as nga kompania NIS, as nga Ministria e Minierave dhe e Energjisë e Serbisë, se çfarë do të sillnin sanksionet e mundshme dhe si do t’i preknin ato qytetarët.

“Biznesi i NIS-it aktualisht zhvillohet pa pengesa dhe kompania mbetet e përqendruar në vazhdimin e realizimit të investimeve të nisura”, thuhet në përgjigjen e NIS-it për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, tha më 16 dhjetor se ai nuk mund të konfirmojë vendosjen e mundshme të sanksioneve amerikane ndaj NIS-it, por shtoi se ka “shqetësim të madh se Rusia është duke përfituar” prej se ka blerë ish-ndërmarrjen shtetërore.

Në vitin 2008, shteti i Serbisë ia shiti 51 për qind të aksioneve të kompanisë NIS kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft, me një çmim prej 400 milionë eurosh, pa tender.

Millosh Zdravkoviq, ekspert i energjisë në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë të supozohet se për çfarë sanksionesh mund të bëhet fjalë.

“Skenari më i keq që ne analistët mund ta shohim, është të sanksionohet importi i NIS-it përmes JANAF-it. Ky do të ishte një lajm shumë i keq”, thotë Zdravkoviq.

Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni të naftës me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari dhe Serbi.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore të Energjisë në Serbi, për vitin 2023, gati 80 për qind e naftës në Serbi është siguruar nga importet.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

Raporti i Agjencisë serbe të Energjisë tregon se paketat e mëparshme të sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kanë ndikuar në importin e naftës ruse dhe në operacionet e kompanisë NIS.

Çka u paralajmërua?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 13 dhjetor se Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione industrisë serbe të naftës “për disa ditë”.

Vuçiq tha se sanksioneve do t’u bashkohet edhe Britania e Madhe.

Ai tha se vendimi për sanksionet do të hyjë në fuqi më 1 janar, 2025, dhe se bëhet fjalë për “ndoshta sanksionet më të rënda”.

Ai, po ashtu, tha se do ta diskutojë këtë çështje me zyrtarë rusë dhe amerikanë.

“Do të bisedojmë me Rusinë për të parë nëse [pronësia] mund të ulet nën 50 për qind… ta blejmë ne një pjesë. Ose jo, nuk e di”, tha Vuçiq.

Më 14 dhjetor, ai tha se nuk e ka parë ende dokumentin zyrtar me të cilin SHBA-ja do t’i vendosë sanksione NIS-it, por se ka “një lloj konfirmimi zyrtar”.

Ai shtoi se “nuk është gati në këtë moment që të flasë për sanksionet e mundshme kundër Moskës”.

Serbia është një nga vendet e pakta kandidate për anëtarësim në BE, që nuk iu bashkua sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Çka tha Departamenti i Shtetit e çka NIS-i?

Në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë thuhet se SHBA-ja do të vazhdojë t’i marrë “masat e duhura për t’i mbajtur përgjegjës ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta ilegale e Rusisë”.

Aty, po ashtu, thuhet se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë “me vende dhe kompani në mbarë botën, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji dhe për të zbutur goditjet nga çmimet që ndikojnë në ekonominë globale”.

Kompania NIS nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë se çfarë do të nënkuptonin sanksionet e paralajmëruara për këtë kompani, si do të ndikonin në biznesin e saj dhe nëse ka mënyra për t’i anashkaluar ato.

NIS-i tha se furnizimi i zinxhirit të pikave të karburanteve të NIS-it vazhdon në mënyrë të rregullt dhe se Rafineria e Naftës e Pançevës – pjesë e NIS-it, ku përpunohet nafta bruto – është duke funksionuar në gjendje normale dhe “duke i dërguar në treg të gjitha derivatet e nevojshme të naftës”.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

“Kompania NIS vazhdon ta monitorojë situatën aktuale dhe t’i analizojë të gjithë skenarët e mundshëm dhe pasojat e mundshme për funksionimin e kompanisë. Aktualisht, nuk ka kufizime ligjore për aktivitetet e kompanisë dhe të partnerëve tanë”, thuhet në përgjigjen e NIS-it.

Cilat do të ishin pasojat e mundshme?

Zdravkoviq thotë se pasoja më e madhe për Serbinë do të ishte ndërprerja e furnizimit me naftë përmes JANAF-it.

“JANAF-i është kryesisht në pronësi të Republikës së Kroacisë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe këto sanksione nuk duhet të ndikojnë në operacionet e një kompanie anëtare të BE-së”, thotë ai.

Zdravkoviq shton se JANAF-i do të ishte në telashe të mëdha në atë rast, sepse NIS-i është “konsumatori kryesor”.

E pyetur për sanksionet e paralajmëruara, kompania JANAF tha se NIS-i është prej kohësh partneri më i madh biznesor i JANAF-it, me të cilin ka të lidhur një “kontratë 3-vjeçare për transportin e 10 milionë tonëve naftë deri në fund të vitit 2026”.

Zdravkoviq thotë se pa këtë import, Serbia do të kishte rezerva për rreth dy muaj.

Si ndikuan sanksionet e mëparshme perëndimore në NIS?

Sipas raportit të Agjencisë për Energji të Serbisë, për vitin 2023, në atë vit, për herë të parë në historinë e industrisë serbe të naftës, nuk ka pasur import të naftës bruto me origjinë ruse.

“Kjo është pasojë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Federatës Ruse, nga maji i vitit 2022, e cila ka paraparë ndalimin e përdorimit të infrastrukturës evropiane për transportin dhe përpunimin e naftës bruto me origjinë ruse”, thuhet në raport.

Atë vit, sipas raportit, Serbia importoi naftë kryesisht nga Azerbajxhani, Iraku, Kazakistani dhe Norvegjia.

Sipas të dhënave të mëparshme nga Ministria e Minierave dhe e Energjisë e Serbisë, rreth një e treta e naftës së importuar, është prodhuar në Rusi dhe Kazakistan, ka raportuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë në vitin 2022.

Ndërsa Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, prodhuesi më i madh i gazit në botë, Gazprom, nuk është subjekt i embargos.

Kur Bashkimi Evropian vendosi sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë në vitin 2022, Serbia dhe Hungaria ranë dakord në tetor të atij viti për të ndërtuar një tubacion nafte, që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur me tubacionin e naftës, Druzhba”.

Atë kohë, presidenti i Serbisë tha se vendi i tij nuk e konsideron Kroacinë furnizuese të besueshme dhe se do t’i duhet ta diversifikojë furnizimin me naftë.

Sipas një njoftimi të mëhershëm të ministres së Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ndërtimi i atij gazsjellësi do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.

(Radio Evropa e Lirë)

 

Video

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

? Jasir Asani po shkëlqen në Iran! Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti sërish rrugën e rrjetës me Esteghlal, duke shënuar në ndeshjen e tretë radhazi. ⚽ Gol nga pika e bardhë dhe festë në stilin e tij: shqiponja ? dhe “Siuuu” si Cristiano Ronaldo!

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme