Libri që vendosni në valixhe për pushimet verore mund të thotë më shumë për ju sesa mendoni. Sipas studiuesve, zgjedhja e zhanrit nuk është rastësore, por lidhet ngushtë me mënyrën si e përjetoni botën, emocionet dhe shqetësimet tuaja.
Edgar Dubourg, shkencëtar njohës në École Normale Supérieure në Paris, thotë se lista e librave që lexojmë është si një “hartë e personalitetit”.
“Kur zgjidhni një thriller, një roman romantik, horror apo fantashkencë, nuk po i shpëtoni psikologjisë suaj. Përkundrazi, po aktivizoni instinkte dhe emocione të rrënjosura thellë,” shpjegon ai.
Edhe studimet e psikologes Valerie van Mulukom nga Oxford Brookes University tregojnë se zgjedhjet tona në lexim lidhen me pasiguritë dhe shqetësimet e brendshme.
Ajo i ndan lexuesit në katër kategori kryesore.
Nëse zgjidhni romane kriminale ose thriller…
Adhuruesit e romaneve policore, thrillerëve, horrorit apo historive me spiunazh priren të jenë më të tërhequr nga temat që lidhen me rrezikun dhe pasigurinë.
Sipas studiuesve, këta lexues janë më të ndjeshëm ndaj kërcënimeve ose kanë një kuriozitet më të madh për situatat e rrezikshme dhe mënyrën si zgjidhen ato.
Nëse preferoni romancat…
Lexuesit e romaneve romantike ose dramave që fokusohen te marrëdhëniet njerëzore kanë tendencë të shqetësohen më shumë për jetën sociale, marrëdhëniet sentimentale, miqësinë dhe mënyrën si perceptohen nga të tjerët.
Këta libra u ofrojnë një mënyrë për të eksploruar emocionet dhe lidhjet mes njerëzve.
Nëse zgjedhja juaj është fantashkenca ose fantasy…
Ata që preferojnë botë imagjinare, aventura epike, fantashkencë apo romane distopike shpesh kanë shqetësime më të mëdha për të ardhmen e njerëzimit.
Sipas studiuesve, këta lexues mendojnë më shpesh për çështje si ndryshimet klimatike, luftërat, teknologjia apo e ardhmja e planetit.
Nëse lexoni biografi ose libra historikë…
Ata që zgjedhin libra me fakte, histori apo autobiografi nuk kërkojnë domosdoshmërisht arratisje nga realiteti, por përgjigje dhe kuptim.
Sipas Dubourg, njerëzit kanë nevojë për rrëfime, pavarësisht nëse ato janë të vërteta apo trillim. Për këtë kategori, leximi është një mënyrë për të kuptuar më mirë botën dhe për të mësuar nga përvojat e të tjerëve.
Në fund, ekspertët theksojnë se libri që merrni me vete në pushime nuk është thjesht një zgjedhje për të kaluar kohën. Ai mund të zbulojë shumë për personalitetin, emocionet dhe mënyrën se si e shihni botën, edhe kur vetë nuk e kuptoni.






















