Mijëra gra në rrjetet sociale po flasin për një fenomen të quajtur “luteal uglies”, një term jozyrtar që përshkruan ndryshimet fizike dhe emocionale që shumë prej tyre përjetojnë gjatë fazës luteale të ciklit menstrual.
Videot në TikTok, ku gratë shprehen se ndihen “më pak tërheqëse”, të fryra ose emocionalisht të rënduara para menstruacioneve, kanë grumbulluar miliona shikime dhe kanë nxitur diskutime mbi ndikimin e hormoneve në mirëqenien e tyre.
Çfarë është faza luteale?
Faza luteale është gjysma e dytë e ciklit menstrual dhe zgjat nga ovulacioni deri në fillimin e menstruacioneve.
Sipas mjekes Louise Newson, specialiste e hormoneve femërore, gjatë kësaj periudhe bien nivelet e estrogjenit, ndërsa progesteroni rritet, duke shkaktuar ndryshime të dukshme në organizëm.
“Këto hormone ndikojnë te lëkura, kolagjeni, gjumi dhe humori. Lëkura mund të bëhet më e thatë, të humbasë shkëlqimin, mund të shfaqen puçrra, fryrje dhe ndryshime në gjoks,” shpjegon ajo.
Çfarë simptomash përjetojnë gratë?
Shumë gra tregojnë se gjatë kësaj faze ndihen më të fryra, më të lodhura dhe më pak të sigurta në pamjen e tyre.
Elena Spaven, 25 vjeç, thotë se gjatë ditëve para menstruacioneve fytyra i duket më e lodhur, lëkura humbet shkëlqimin, ndërsa gjoksi bëhet më i rëndë dhe i ndjeshëm.
Përveç ndryshimeve fizike, ajo përjeton mungesë energjie, vështirësi në përqendrim dhe ndjesinë se “truri punon me ritëm më të ngadaltë”.
Ndikimi nuk është vetëm fizik
Ekspertët theksojnë se faza luteale mund të ndikojë edhe në gjendjen emocionale dhe marrëdhëniet me të tjerët.
Gazetarja Henrietta, 30 vjeç, thotë se gjatë kësaj periudhe irritohet më lehtë, ka tendencë të izolohet ose të reagojë ndryshe me partnerin dhe miqtë.
Ajo përjeton gjithashtu ndjenja dëshpërimi, vështirësi në përqendrim, harron fjalë të thjeshta gjatë bisedave dhe ndonjëherë ka shikim të turbullt.
Ndërsa Charlotte Dodds, 36 vjeç, nënë e dy fëmijëve dhe sipërmarrëse, thotë se fryrja, puçrrat dhe mungesa e përqendrimit ndikojnë edhe në vetëbesimin e saj gjatë punës.
Pse ndodh kjo?
Sipas profesoreshës Helen O’Neill nga University College London, rënia e estrogjenit dhe rritja e progesteronit bëjnë që organizmi të mbajë më shumë lëngje, duke shkaktuar fryrje të fytyrës dhe trupit.
Po ashtu, progesteroni stimulon prodhimin e yndyrës në lëkurë, gjë që mund të favorizojë shfaqjen e akneve.
Si mund të lehtësohen simptomat?
Specialistët këshillojnë që gratë të kuptojnë se faza luteale është një periudhë e përkohshme dhe e parashikueshme.
Për të zbutur simptomat rekomandohet:
të konsumojnë mjaftueshëm ujë;
të kufizojnë ushqimet me shumë kripë dhe produktet e përpunuara;
të reduktojnë alkoolin;
të vazhdojnë aktivitetin fizik të lehtë;
të ndjekin një regjim ushqimor të balancuar.
Mjekët theksojnë se nëse simptomat bëhen të forta dhe ndikojnë në jetën e përditshme, gratë duhet të konsultohen me një profesionist të shëndetit.
Sipas tyre, këto shqetësime nuk duhen minimizuar si “thjesht sindromë premenstruale”, pasi për shumë gra ato ndikojnë realisht në punë, marrëdhënie dhe cilësinë e jetës./BBC






















