
Në një kohë kur pothuajse çdo cep i botës është bërë i arritshëm për turistët, ekzistojnë ende vende që mbeten jashtë itinerareve të zakonshme. Një prej tyre është Mauritania, një shtet i vendosur pothuajse tërësisht në shkretëtirën e Saharasë, i njohur për qytetet e lashta, oazet e fshehura dhe një bregdet me një aktivitet peshkimi aq të madh, sa mund të shihet edhe nga hapësira.
Rreth 90% e territorit të Mauritanisë shtrihet në Sahara, ndërsa vendi është një nga më pak të populluarit dhe më pak të vizituarit në botë. Çdo vit, atje mbërrijnë më pak se 10 mijë turistë të huaj, kryesisht për shkak të infrastrukturës së kufizuar turistike dhe perceptimit për sigurinë.
Megjithatë, vendi nuk ka regjistruar asnjë sulm terrorist që prej vitit 2011 dhe, sipas Indeksit Global të Terrorizmit, konsiderohet më pak i prekur nga terrorizmi sesa shumë shtete evropiane.
Nouadhibou, qyteti ku mijëra varka krijojnë një pamje të dukshme nga hapësira
Udhëtimi zakonisht nis në Nouadhibou, qytetin e dytë më të madh të Mauritanisë dhe portin kryesor të peshkimit.
Falë Rrymës së Kanarie, ujërat pranë brigjeve të vendit janë jashtëzakonisht të pasura me peshq dhe oktapodë. Si rezultat, mijëra varka tradicionale grumbullohen çdo ditë në port, duke krijuar një panoramë aq të madhe sa dallohet edhe në imazhet satelitore.
Nouakchott, kryeqyteti që ngrihet mes rërës së Saharasë
Rreth një e treta e pesë milionë banorëve të Mauritanisë jetojnë në kryeqytetin Nouakchott.
Edhe pse ka ndërtesa moderne qeveritare dhe xhami të mëdha, pjesa më e madhe e rrugëve mbetet e mbuluar nga rëra e shkretëtirës, duke i dhënë qytetit pamjen e një fshati gjigant të ngritur në zemër të Saharasë.

Devetë, simboli i jetës në Mauritani
Mauritania numëron rreth dy milionë deve, të cilat vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së banorëve.
Ato përdoren për transport, prodhimin e qumështit dhe mishit, ndërsa ushtria i përdor ende për patrullimin e zonave të largëta kufitare.
Pranë kryeqytetit ndodhet edhe tregu i deveve Beila, i konsideruar i dyti më i madh në Afrikë, ku çmimi i një deveje mund të kalojë 1 mijë dollarë.
Një udhëtim që zgjat mbi dy ditë
Për të arritur në qytetin historik Oualata, udhëtarët duhet të përshkojnë më shumë se 1.100 kilometra nëpër shkretëtirë.
Autobusët ndalojnë rregullisht që pasagjerët myslimanë të falen, ndërsa gjatë natës shumë prej tyre flenë jashtë, mbi rërën e Saharasë, nën qiellin plot yje.
Pas rreth 51 orësh udhëtim nga Nouakchott, mbërritja në Oualata shënon hyrjen në një nga vendbanimet më të izoluara dhe më historike të Afrikës.
Oualata, qyteti i lashtë që po zbrazet
Oualata është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe dikur ishte një ndalesë e rëndësishme për karvanët që udhëtonin drejt Timbuktusë.
Sot, për shkak të pasigurisë në kufirin me Malin, qytetin e vizitojnë më pak se 30 turistë ndërkombëtarë në vit.
Vendbanimi është i njohur për shtëpitë prej balte të kuqe, të zbukuruara me motive gjeometrike të punuara nga gratë vendase. Megjithatë, mungesa e mundësive ekonomike ka bërë që shumë të rinj të largohen, duke lënë pas dhjetëra ndërtesa historike të braktisura.
Dorëshkrime të ruajtura për shekuj

Një nga pasuritë më të çmuara të Oualatës janë dorëshkrimet e lashta të karvanëve trans-saharianë.
Për breza me radhë, familjet i kanë ruajtur këto dokumente në shtëpitë e tyre, larg bibliotekave apo institucioneve shtetërore, duke mbrojtur kështu një pjesë të rëndësishme të historisë së rajonit.
Chinguetti, qyteti i shenjtë që po mbulohet nga dunat
Një tjetër perlë e Mauritanisë është Chinguetti, gjithashtu pjesë e UNESCO-s dhe një nga qytetet më të rëndësishme historike të Saharasë.
I themeluar në shekullin e VIII, ai u kthye më vonë në një qendër të madhe tregtare dhe fetare përgjatë rrugëve të karvanëve që transportonin ar, kripë dhe dorëshkrime.
Sot, qyteti rrezikohet nga përparimi i dunave të Saharasë, të cilat kanë mbuluar tashmë një pjesë të banesave të vjetra.
Një nga qytetet më të shenjta të botës islame
Minarja e xhamisë së lashtë të Chinguettit konsiderohet si një nga më të vjetrat në botën islame që vazhdon të përdoret edhe sot.
Qyteti njihet shpesh si “qyteti i shtatë më i shenjtë i Islamit”, pasi për shekuj ka qenë një qendër e rëndësishme studimi dhe pelegrinazhi.
Bibliotekat që ruajnë thesare mesjetare
Chinguetti strehon disa biblioteka private ku ruhen dorëshkrime shekullore mbi astronominë, mjekësinë, matematikën, poezinë dhe ligjin islam.
Shumë prej tyre mbërritën me karvanët që kalonin Saharanë, ndërsa të tjera u shkruan nga dijetarët vendas. Sot këto biblioteka janë të hapura për vizitorët dhe konsiderohen ndër atraksionet më të veçanta të vendit.
Oazi Terjit, mrekullia e gjelbër mes shkretëtirës
Pas qindra kilometrash nëpër rërën e Saharasë, oazi Terjit ofron një pamje krejt ndryshe.
I rrethuar nga palma dhe burime natyrore uji, ai është një nga vendet më të bukura të Mauritanisë dhe simbolizon mënyrën sesi jeta ka arritur të mbijetojë në një nga mjediset më të ashpra në planet.
Për shekuj me radhë, udhëtarë, tregtarë dhe dijetarë kanë ndaluar në këtë oaz për t’u çlodhur, për të shkëmbyer histori dhe për të vazhduar udhëtimin nëpër shkretëtirën e pafund të Saharasë.






















