
Bllokimi i transportit detar të naftës në ngushticën e Hormuzit po reflektohet edhe në qiellin e aviacionit global. Me zgjatjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, frika për furnizimin me karburant po detyron kompanitë ajrore të ndryshojnë strategjitë e tyre.
Rritja e çmimit të karburantit të avionëve – që në disa raste është dyfishuar – dhe rreziku që furnizimet të mos jenë të mjaftueshme në muajt e ardhshëm po i shtyjnë kompanitë të marrin masa: nga ulja e numrit të fluturimeve deri te rritja e çmimit të biletave dhe shërbimeve shtesë.
Ndikimi është ndjerë fillimisht te kompanitë aziatike që operojnë në rajonet e përfshira nga tensionet. Emirates, Qatar Airways dhe Etihad Airways janë përballur me ndërprerje të përkohshme të operimeve, duke ndikuar në rrjedhën e fluturimeve dhe në çmimet e biletave. Përmes qendrave ajrore të Dubait, Dohas dhe Abu Dhabit kalon rreth 10 për qind e trafikut ajror global.
Rritja e tarifave është ndjerë edhe në kompani të tjera si Qantas, Cathay Pacific, Air India dhe Air New Zealand. Ndërkohë grupi Air France-KLM ka paralajmëruar një rritje prej rreth 50 euro për biletat ekonomike vajtje-ardhje në fluturimet ndërkontinentale.
Edhe kompanitë me kosto të ulët po përgatiten për skenarë të vështirë. Ryanair po shqyrton mundësinë e anulimit të 5 deri në 10 për qind të fluturimeve gjatë verës dhe një rritje të kostove për pasagjerët me rreth 4 për qind, nëse konflikti vazhdon dhe furnizimi me karburant bëhet më i pasigurt.
Sipas drejtuesve të industrisë, nëse kriza në Gjirin Persik zgjatet, disa kompani mund të detyrohen madje të mbajnë një pjesë të flotës në tokë, për të përballuar rritjen e kostove.
Ndërkohë pasagjerët mund të përballen me një verë shumë më të shtrenjtë: përveç çmimeve të biletave, disa kompani po rrisin edhe tarifat për bagazhet dhe shërbimet shtesë, për të kompensuar rritjen e kostove të karburantit.






















