Një marrëveshje e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, deklaroi gjatë fundjavës këshilltari diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash.
Ai paralajmëroi se një marrëveshje që nuk kufizon programin bërthamor të Iranit, si dhe prodhimin e raketave dhe dronëve, do të hapte rrugën për “një Lindje të Mesme më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme”.
Gargash theksoi se Ngushtica e Hormuzit – një nga arteriet më të rëndësishme të furnizimit global me energji – nuk mund të përdoret si mjet presioni. Sipas tij, siguria e saj nuk është çështje rajonale për negociata, por një domosdoshmëri për ekonominë globale.
“Ngushtica e Hormuzit nuk mund të mbahet peng nga asnjë vend”, u shpreh ai, duke shtuar se liria e lundrimit duhet të jetë pjesë integrale e çdo marrëveshjeje për zgjidhjen e konfliktit.
Ai shtoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin përfundimin e luftës, por paralajmëroi për rreziqet e një armëpushimi që nuk adreson shkaqet themelore të tensioneve në rajon.
“Nuk duam përshkallëzim të mëtejshëm, por as një armëpushim që lë të pazgjidhura çështje kyçe që do të krijonin një mjedis edhe më të rrezikshëm, sidomos programi bërthamor i Iranit, raketat dhe dronët që vazhdojnë të godasin vendet e rajonit”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me pasoja të rënda ndaj Teheranit nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit brenda afatit të vendosur. Në një postim në platformën Truth Social, ai paralajmëroi goditje të tjera ndaj infrastrukturës energjetike dhe të transportit të Iranit.
Gargash deklaroi se Emiratet janë të gatshme të marrin pjesë në çdo përpjekje ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon çdo ditë përmes kësaj rruge detare në kushte normale. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë kufizuar ndjeshëm qarkullimin, duke nxitur një krizë energjetike globale.
Konflikti shpërtheu më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli goditën Iranin pas dështimit të bisedimeve për një marrëveshje bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit.
Sipas zyrtarëve rajonalë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pësuar goditjet më të rënda krahasuar me vendet e tjera të Gjirit.
Gargash theksoi se për dekada me radhë skenari më i keq për Emiratet ishte një sulm i plotë nga Irani – një skenar që tashmë po materializohet. Megjithatë, ai nënvizoi se vendi po e përballon situatën me qëndrueshmëri dhe kapacitet përshtatës.
Ai shtoi se ekonomia e Emirateve mbetet e fortë dhe në rrugë rimëkëmbjeje, edhe pse kjo do të kërkojë përpjekje të konsiderueshme.
Sipas tij, strategjia e Iranit pritet të forcojë më tej bashkëpunimin e vendeve të Gjirit me SHBA-në në fushën e sigurisë, duke konsoliduar praninë ushtarake amerikane në rajon dhe duke rritur ndikimin e Izraelit.
Gargash theksoi se SHBA do të mbetet partneri kryesor i sigurisë për Emiratet dhe se Abu Dhabi do të investojë më tej në këtë marrëdhënie, përballë rritjes së kërcënimeve rajonale.
Ai shtoi se sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike dhe rrugëve detare synojnë të rrisin presionin mbi aleatët arabë të SHBA-së, duke i detyruar ata të ndikojnë në ndalimin e operacioneve ushtarake amerikane.
Në fund, Gargash u shpreh se Irani po lufton për të mbajtur regjimin dhe jo vendin, duke theksuar se Emiratet nuk kërkojnë përplasje me Teheranin, por besimi mbetet i pamundur në kushtet aktuale.
Ai falënderoi gjithashtu partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen, duke veçuar Francën dhe SHBA-në për rolin e tyre në forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit.






















