Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e së hënës një apartament në katin e nëntë të një pallati në një kompleks turistik në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në plazhin e Golemit.
Sipas Policisë, rreth orës 20:30, flakët kanë shpërthyer në apartamentin në pronësi të shtetasit E. Sh. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit dhe vënien e situatës nën kontroll.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik. Si pasojë e tymit të dendur, gjashtë persona janë transportuar në spital pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Aktualisht, turistët dhe banorët nuk lejohen ende të kthehen në apartamentet dhe dhomat e tyre, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e zjarrit.






















