Rajoni 27 August 2026, 20:47 Nga VNA

Vuçiç sulmon sërish boshtin Tiranë–Prishtinë–Zagreb: Serbia do të forcojë ushtrinë përballë “aleancave kundër saj”

Ndaje në Whatsapp
Vuçiç sulmon sërish boshtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar forcim të mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të vendit të tij, ndërsa ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Duke folur të enjten, më 27 gusht, gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare të Çminimit në Velika Moštanica, Vuçiç deklaroi se Serbia nuk po përgatitet për luftë, por po investon në ushtri me qëllim, sipas tij, parandalimin e një agresioni të mundshëm.

Deklaratat erdhën pas shqetësimeve të shprehura nga zyrtarë të lartë kroatë për ritmin e armatosjes së Serbisë dhe karakterin e disa prej sistemeve ushtarake që po siguron Beogradi.

“Qëllimi ynë është parandalimi. Ne nuk duam luftëra, nuk duam konflikte, por nuk do të lejojmë askënd të shkatërrojë vendin tonë”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb iu përgjigj drejtpërdrejt Zagrebit, pasi kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandroković, kishte paralajmëruar më 25 gusht se Serbia po pajiset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me sisteme me karakter ofensiv. Jandroković kërkoi që për këtë çështje të informohen aleatët perëndimorë të Kroacisë.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke kërkuar informimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe ushtrimin e presionit politik ndaj Beogradit lidhur me armatosjen e Serbisë.

Vuçiç i hodhi poshtë kritikat dhe e akuzoi Zagrebin se po aplikon standarde të dyfishta. Ai përmendi blerjet ushtarake të Kroacisë, mes tyre obusët vetëlëvizës gjermanë PzH 2000 dhe helikopterët OH-58D Kiowa Warrior të pajisur me raketa Hellfire.

Sipas presidentit serb, Serbia ka studiuar kapacitetet ushtarake të vendeve fqinje dhe ka synuar të zhvillojë sisteme edhe më të avancuara.

“Kur morën 16 obusët Panzer, a na pyeti njeri ne? Kur morën helikopterët Kiowa me raketa Hellfire, ishin ato për mbrojtje apo për veprime sulmuese?”, deklaroi ai.

Vuçiç rikthen në fokus Tiranën, Prishtinën dhe Zagrebin

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së presidentit serb iu kushtua bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Vuçiç e paraqiti këtë bashkëpunim si një sfidë serioze sigurie për Serbinë dhe deklaroi se Beogradi do t’i përgjigjet në planin diplomatik, politik dhe ushtarak.

“Le të vazhdojnë punën e tyre me Prishtinën, Tiranën dhe në NATO sa të duan. Ne u urojmë çdo të mirë, por Serbia është që sot dhe nesër do të jetë një arrë shumë më e fortë për të gjitha koalicionet dhe aleancat e tyre të krijuara vetëm kundër Serbisë”, deklaroi Vuçiç.

Ai tha gjithashtu se Serbia e konsideron bashkëpunimin mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës një kërcënim serioz dhe se forcimi i ushtrisë serbe është pjesë e politikës së frenimit të një agresioni të mundshëm.

Megjithatë, dokumentet zyrtare të tri vendeve e përkufizojnë ndryshe nismën.

Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes u nënshkrua në Tiranë më 18 mars 2025 nga ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Ajo parashikon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, bashkëpunimin në industrinë dhe teknologjinë ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë, edukimin, trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta, si dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Dokumenti përcakton shprehimisht se deklarata “nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve”, çka do të thotë se nuk bëhet fjalë për një aleancë të re ushtarake me klauzolë të mbrojtjes së ndërsjellë.

Bashkëpunimi megjithatë ka vazhduar të konkretizohet. Në shkurt 2026, shefat e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilluan në Shkodër një takim trepalësh, ku u diskutuan mekanizma konkretë koordinimi, trajnime dhe stërvitje të përbashkëta për vitin 2026 dhe më tej.

Zagrebi ngre alarmin për armatosjen e Serbisë

Polemikat e fundit nisën pasi kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandroković, deklaroi më 25 gusht se zhvillimet ushtarake në Serbi duhet t’u bëhen të qarta partnerëve perëndimorë.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë sulmuese. Kjo duhet t’u thuhet aleatëve tanë perëndimorë”, deklaroi Jandroković në konferencën e ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anušić, kërkoi që partnerët ndërkombëtarë të Zagrebit të informohen për zhvillimet në Serbi, me synimin që ndaj Beogradit të ushtrohet presion politik.

Vuçiç reagoi duke pretenduar se qëllimi i zyrtarëve kroatë është pengimi i modernizimit të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Serbia paralajmëron demonstrim të kapaciteteve të reja

Presidenti serb deklaroi gjithashtu se modernizimi i ushtrisë po ecën me shpejtësi dhe se publiku do të ketë mundësi të shohë një pjesë të kapaciteteve të reja më 13 dhe 14 shtator në poligonin ushtarak të Pešterit.

“Një pjesë do të mund ta shihni më 13 dhe 14 shtator në Pešter, por vetëm një pjesë; një pjesë tjetër është ende duke ardhur”, tha Vuçiç.

Ai pretendoi se niveli i zhvillimit të ushtrisë serbe është më i madh nga sa perceptohet publikisht, pasi Beogradi, sipas tij, nuk publikon të gjitha detajet e programeve të modernizimit.

Deklaratat e fundit tregojnë një përplasje gjithnjë e më të hapur retorike mes Beogradit dhe Zagrebit për çështjen e armatimeve, ndërsa bashkëpunimi i mbrojtjes Shqipëri–Kosovë–Kroaci vazhdon të jetë një prej pikave kryesore të kundërshtimit të Serbisë.

Nga njëra anë, Tirana, Prishtina dhe Zagrebi e paraqesin nismën si mekanizëm për forcimin e sigurisë, ndërveprueshmërisë dhe stabilitetit rajonal. Nga ana tjetër, Vuçiç vazhdon ta interpretojë atë si një strukturë të drejtuar kundër Serbisë dhe përdor këtë argument për të justifikuar politikën e forcimit të mëtejshëm ushtarak të Beogradit.

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme