Rajoni 30 November 2024, 19:51 Nga VNA

Kosova arreston 8 persona në veri pas sulmit terrorist ndaj kanalit Ibër-Lepenc

Ndaje në Whatsapp
Kosova arreston 8 persona në veri pas sulmit terrorist ndaj kanalit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar arrestimin e tetë personave të dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist të së premtes, ku kanali i Ibër-Lepencit u dëmtua me eksploziv. Në aksionet e zhvilluara në veri të vendit janë konfiskuar një arsenal i konsiderueshëm armësh dhe pajisjesh ushtarake.

Në një deklaratë për mediat, Sveçla e cilësoi këtë sulm si më të rëndin ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës që nga përfundimi i luftës. “Këto sulme dirigjohen nga Serbia. Është një akt terrorist i organizuar nga grupe profesioniste me synimin për të shkaktuar dëme maksimale ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj,” tha ai.

Ministri theksoi se hetimet intensive kanë çuar në realizimin e kontrolleve në 10 lokacione në orët e mëngjesit, në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Gjatë aksioneve janë sekuestruar armë, eksplozivë, uniforma dhe pajisje të tjera që pritet të ndihmojnë hetimin.

Sveçla gjithashtu bëri të ditur se shumica e pajisjeve të konfiskuara janë të prodhimit serb, ndërsa disa prej tyre janë ekskluzive ushtarake dhe nuk gjenden në tregun e zi. Ai siguroi se institucionet e Kosovës do të punojnë për të parandaluar aktet e tilla terroriste dhe për të siguruar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Video

Policia që duam

Pas përplasjes, protestuesit rikthehen sërish tek Kryeministria

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme