Sociale 7 June 2024, 14:00 Nga VNA

Biznesi nga Kosova po shton praninë në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
Biznesi nga Kosova po shton praninë në Shqipëri

Sipërmarrja nga Kosova po shfaq interes në rritje për tregun shqiptar. Së fundmi, kompania më e hershme e shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit), Top Shop (Studio Moderna Albania) është blerë nga kompania SMA Holding, në pronësi të biznesmenit nga Kosova, Xhevdet Rexhepi.

Xhevdet Rexhepi është pronari i Viva Fresh, rrjetit më të madh të supermarketeve në Kosovë. SMA Holding ka blerë njëkohësisht degët e Studio Moderna edhe në Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Shitësi ishte Studio Moderna Holdings Investments B.V, një shoqëri holding e regjistruar në Hollandë, në pronësi të biznesmenit slloven, Sandi Češko.

Studio Moderna Albania nisi aktivitetin e tij në Shqipëri në vitin 2003 dhe u bë e njohur nëpërmjet tregtimit të markave të veta nëpërmjet spoteve televizive.

Shuma e shitjes nuk është bërë publike, ndërsa transaksioni është miratuar në fund të tremujorit të parë të këtij viti edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas pasqyrave të fundit financiare të publikuara, aktiviteti i Studio Moderna Albania erdhi në rënie gjatë vitit 2022, ndërsa edhe rezultati financiar u përkeqësua. Xhiroja totale kishte vlerën e 623 milionë lekëve, në rënie me pothuajse 35% krahasuar me një vit më parë. Viti u mbyll me një humbje neto në vlerën e 59 milionë lekëve, përkundrejt një fitimi prej rreth 50 milionë lekësh për vitin 2021.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2023, Kosova u rendit si investitori i pestë më i madh i huaj në Shqipëri, me një fluks investimesh të reja prej 73 milionësh euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Investimet kosovare në vitet e fundit po ndjekin një tendencë të dukshme në rritje.

Kompani të rëndësishme kosovare janë të pranishme kryesisht në sektorin e tregtisë. Stoku i investimeve kosovare ka arritur në 307 milionë euro, në rritje me 45% gjatë vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vitin e kaluar në Shqipëri vepronin 519 biznese me aksionarë shtetas nga Kosova.

Numri i ndërmarrjeve me aksionarë nga Kosova u rrit me 11% krahasuar me një vit më parë. Kosova renditej si investitori i dytë për nga numri i kompanive të regjistruara në Shqipëri, pas Italisë. 80% e ndërmarrjeve nga Kosova vepronin në sektorin e shërbimeve dhe 20% në aktivitete të prodhimit të mallrave. /E.Shehu

Marre nga Monitor

Video

Një muze në Bremen të Gjermanisë ka hapur një ekspozitë të pazakontë kushtuar qenve të racës dachshund, të njohur për trupin e gjatë dhe këmbët e shkurtra. Ekspozita The Dachshund: An Icon off the Leash përfshin piktura, fotografi, skulptura dhe objekte të frymëzuara nga kjo racë, mes tyre edhe punime të artistëve të njohur si Picasso, Andy Warhol dhe David Hockney. Por risia më e madhe është se vizitorët mund të marrin me vete edhe qentë e tyre të vegjël. Muzeu ka përcaktuar orare të posaçme dhe hapësira ku kafshët mund të lëvizin e të eksplorojnë.

Policia që duam

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme