Kronika 15 Qershor 2025, 10:39 Nga VNA

Zbardhet padia e gjyqtarëve për rritje pagash që përplasi Ramën me Kushtetuesen. Argumentat e plota të magjistratëve

Ndaje në Whatsapp
Zbardhet padia e gjyqtarëve për rritje pagash që përplasi

VNA zbardh padinë e Unionit të Gjyqtarëve për rritje page, që shkaktoi përplasje mes Kryeministrit të vendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Padia është depozituar në mars të vitit 2025 në Kushtetuese dhe si palë të interesuara janë Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Kërkesa ka si objekt: “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, që parashikojnë:

1- “a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës”;

2- “Për vitin 2023 paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet sipas këtij ligji nga data 1 prill, duke u bazuar, për efekt të përllogaritjes, në pagën e Presidentit të Republikës me vlerë 425 000 (katërqind e njëzet e pesë mijë) lekë”.

Në dokument thuhet se Kuvendi, në kuadër të reformës në drejtësi, miratoi edhe ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, përmes të cilit bëri një rregullim dhe përmirësim tërësor të statusit të magjistratëve. Ndër aspektet e rregulluara ishte edhe paga, sipas kategorisë së magjistratëve.

Gjyqtarët pretendojnë se trajtimi i ri financiar do të niste për magjistratët që në janar të vitit 2019, pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pas hyrjes në fuqi, filloi edhe trajtimi i ri financiar, i cili pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit u konstatua si jo në përputhje me ligjin. Ky kontroll konstatoi se referenca në pagat përkatëse prej KLGJ-së ishte e gabuar dhe rekomandoi në përfundim të raportit rillogaritjen e pagës dhe pagimin e diferencave ndaj magjistratëve”, theksohet në padi.

Por ndonëse KLGJ kishte detyrimin ligjor të zbatonte rekomandimet e KLSH-së, nuk ndërmori asnjë veprim.

“Në vijim, me propozim të një grupi deputetësh, për të mos u zbatuar ligji siç ishte dhe për të mos u paguar magjistratët me pagën që u takonte, u propozua ndryshimi i nenit 12 të ligjit, duke u riformuluar në atë mënyrë siç ishte përllogaritur paga prej KLGJ-së, deri përpara konstatimeve të auditit të KLSH-së”, thuhet më tej.

Gjyqtarët pretendojnë se pagat e tyre u cenuan me ligjin nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Çështja u dërgua në Kushtetuese dhe kjo e fundit vendosi shfuqizimin e nenit përkatës, duke arsyetuar se cenonte të drejtat e magjistratëve.

Në pjesën arsyetuese të vendimit, Kushtetuesja i ka sugjeruar Kuvendit që brenda hapësirës së tij normuese, në formulimin e normës së re ligjore për pagën e magjistratëve, ka diskrecionin t’i referohet formulës aktuale të referencës në shërbimin civil, ose çdo formule tjetër që referon në legjislacionin në fuqi për pagat e funksionarëve publikë, duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij.

Në reflektim të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi më datë 25.05.2023 miratoi ligjin nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve’”.

Ky nuk ishte ligji i vetëm – sipas gjyqtarëve – që rregulloi nivelin e pagave të zyrtarëve në Republikën e Shqipërisë. Koha e ndryshimit të pagës së referencës përkon me iniciativën e Këshillit të Ministrave për rritje të ndjeshme të pagave të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e tij, si dhe nismën ligjore, të propozuar nga po ky organ, për rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, që mandej do të afektonte me rritje pagat e të gjithë funksionarëve shtetërorë.

“Rritja e pagave të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, përfshin edhe “Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri”. Në këtë drejtim, rezulton se për sa ishte planifikuar rritje e pagës edhe për këtë kategori të nëpunësve civilë, në mënyrë të tërthortë, ishte planifikuar edhe rritja e pagës së gjyqtarëve për vitin 2023.

Për të respektuar formalisht vendimin nr. 35, datë 22.11.2022 të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi, pasi pjesëtoi pagën bazë për magjistratët të konkluduar në këtë vendim (153 000 lekë), me pagën e re të Presidentit të Republikës (425 000 lekë), përcaktoi një pagë bazë të magjistratëve në ligj me 0.36 të pagës së Presidentit të Republikës”, thekson Unioni.

Kuvendi në këtë mënyrë pretendoi jo vetëm që ka respektuar orientimin e Gjykatës Kushtetuese, por madje e ka tejkaluar atë me 570 lekë, duke e përmirësuar statusin financiar të magjistratëve.

Por gjyqtarët thonë se ligji i miratuar në 2023, ku “paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës”, në fakt nuk është zbatuar, por paga e gjyqtarit është ulur.

Sipas tyre, kjo bie ndesh me Kushtetutën.

“Ndryshimet kushtetuese në nenin 138 kanë parashikuar tre kritere që justifikojnë uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera, ku kriteri i parë nuk lidhet me vullnetin apo sjelljen e gjyqtarit, kriteri i dytë është rrjedhojë e ligjit (mbarimi i mandatit ipso lege), kurse kriteri i tretë lidhet ngushtësisht me sjellje/situata të tilla që përbëjnë shkelje disiplinore apo me cilësitë profesionale të magjistratit (pamjaftueshmëria profesionale)”, theksohet në padi.

Sipas Unionit të Gjyqtarëve, ndryshimi në ligjin nr. 33/2023 erdhi për të zbatuar vendimin nr. 35, datë 22.11.2022 të Gjykatës Kushtetuese.

“Vlen të theksohet se për shkak të rritjes ekonomike të vendit, kanë pësuar rritje të ndjeshme jo vetëm pagat e Presidentit të Republikës dhe deputetëve, por edhe të gjithë administratës. Kjo rritje varionte për këta të fundit nga 20-40%. Ndërkohë, për magjistratët, ligjvënësi me ligjin nr. 33/2023, e parandaloi këtë rritje”, argumentojnë më tej ata.

Sipas nenit 138 të Kushtetutës – theksohet në padi – paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen.

“Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse, me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë. Statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elemente këto që priten në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve”, argumentohet më tej.

“Pavarësisht standardeve të mësipërme të elaboruara prej Gjykatës Kushtetuese në jurisprudencën e saj, prej Kuvendit është ndërmarrë një iniciativë ligjvënëse dhe miratuar një ligj, i cili cenon haptazi këto standarde. Është evidente se parashikimet ligjore objekt kërkese cenojnë statusin e magjistratëve dhe nuk janë kryer në kushtet e përjashtimeve që vetë Kushtetuta parashikon dhe për këtë arsye duhen deklaruar antikushtetuese”, argumentojnë më tej gjyqtarët në padinë e dorëzuar në Kushtetuese.

“Garancia e vendosur nga neni 138 i Kushtetutës mbron pagën e gjyqtarëve nga ulja absolute dhe relative e saj. Në rastin konkret, kjo mbrojtje kushtetuese është shpërfillur nga Kuvendi, i cili me ndërhyrjen nëpërmjet ligjit nr. 33/2023, ka cenuar de facto në trajtë absolute pagën e gjyqtarëve”, theksojnë gjyqtarët.

Gjyqtarët kërkojnë që paga e tyre të barazvlerësohet me pagën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri.

“Nëpërmjet ndryshimeve në sistemin e përgjithshëm të pagave të nëpunësve dhe funksionarëve publikë, diferenca ndërmjet pagës së gjyqtarëve me atë të funksionarëve të tjerë është zvogëluar. Kështu, paga në administratën shtetërore është rritur me rreth 40% të pagës mesatare buxhetore në vitin 2023 dhe 2024, ndërsa ajo e Presidentit, që mandej ka afektuar edhe rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë të tjerë shtetërorë, me 50%. Ndërkohë, paga e gjyqtarëve ka mbetur e pandryshuar, pasi rritja prej 0.192% që ka pësuar për shkak të 570 lekëve që janë shtuar pagës së referencës, nuk mund të konsiderohet si rritje page”, argumentohet më tej.

Në këtë këndvështrim, ulja e pagës për gjyqtarët, sipas Unionit, ka cenuar parimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, si dhe pronën e gjyqtarëve.

“Në përpjekje për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve, Kushtetuta ndalon uljen e pagës apo të përfitimeve të tjera të njohura gjatë mandatit të tyre. Mbrojtja e pagave dhe e garancive sociale të gjyqtarëve përbën një garanci më tepër për të siguruar parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Prandaj, pavarësia e gjyqtarëve, paprekshmëria e mandatit, siguria, paga e përshtatshme, kushtet e shërbimit, pensionet dhe mosha e daljes në pension duhet të sigurohen nga legjislacioni në një mënyrë të përshtatshme. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe në rast se preket ndonjë prej tyre, atëherë edhe administrimi i drejtësisë është i cenuar”, argumentojnë gjyqtarët.

 

 

Video

?Shqipëri -Letoni Asllani shënon në 11 metërsh, kuqezinjtë kalojnë në avantazh

Anija me të cilën aktivistja Greta Thunberg po transportonte ndihma për Gaza, u godit nga një dron në ujërat tuniziane. ? Pamjet tregojnë shpërthimin dhe tymin mbi jelekët e shpëtimit. Autoritetet tuniziane mohojnë sulmin, duke thënë se zjarri mund të ketë ardhur nga një çakmak ose cigare, por pamjet e shpërndara tregojnë se ishte dron. ⚓ Anija ishte ankoruar në portin e Sidi Bou Said dhe aktivistët deklarojnë: “Këto akte frikësimi nuk do të na ndalojnë.”

VIDEO/ Ministrja e Shëndetësisë në Suedi humb ndjenjat, rrëzohet gjatë konferencës Ministrja e Shëndetësisë në Suedi Elisabeth Lann, ka humbur ndjenjat ndërsa ishte live në një konferencë për shtyp. Pak minuta pas prezantimit të panelit, ajo ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar në tokë. Anëtarë të tjerë të pranishëm nxituan menjëherë për ta ndihmuar, ndërsa iu dha edhe ndihma e parë. Në një njoftim të dytë, u raportua se gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar.

Një shpërthim i dëgjuar në Doha të Katarit në orën e fundit është një tentativë për vrasje kundër një zyrtari të Hamasit, i tha një zyrtar izraelit gazetarit të Axios, Barak Ravid. Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se disa shpërthime u dëgjuan në qytet. Tymi u pa duke u ngritur mbi distriktin Katara në kryeqytet, tha një dëshmitar okular. Kanali 12 i Izraelit raporton se shpërthimet ishin një përpjekje për vrasjen e udhëheqësve të Hamasit . “Ne sulmuam udhëheqjen e Hamasit në Katar, përfshirë Khalil al-Haya dhe Jabarin. Po presim rezultatet e sulmit”, tha një zyrtar izraelit. https://www.vna.al/bota/izraeli-on-me-rakete-ne-doha-te-katarit-udheheqesit-e-larte-te-hamasit-i14285

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme