Sociale 4 Shtator 2024, 13:48 Nga VNA

Qyteti familje – një vështrim shpirtëror mbi Gjakovën

Ndaje në Whatsapp
Qyteti familje – një vështrim shpirtëror mbi Gjakovën

Qyteti familje – një vështrim shpirtëror mbi Gjakovën

Nga Ermal Hasimja

U desh pak kohë dhe shumë këmbëngulje për të bindur kamarierin e restorantit që të pranonte bakshishin 5 eurosh. Jo për krenari besoj, por kamarieri ndoshta mendon se ti po harxhon më shumë sesa duhet. Në këtë qytet puna është burim respekti dhe paraja trajtohet si njësi matëse pune që duhet vlerësuar e jo shpërdoruar. Kjo i ka sjellë qytetit stereotipin e dorështrënguarit, por vetë banorët e konsiderojnë si virtyt kursimi e respekti ndaj djersës së derdhur në punë. Në mbrëmje, në një kafe tjetër, teksa dëgjojmë Petrit Çarkaxhinë e grupit Jericho të këndojë «unplugged» të mrekullueshmen «Dul behari» për një grup të kufizuar miqsh, një fytyrë e njohur na qeras me birra. Është kamarieri ynë i dashur. E pamundur ta shoh më veten si klient. Kamarieri tashmë është një mik. Në fakt, me shumë gjasa jo vetëm mik. Këtu të gjithë janë “ilake”, një term që nënkupton “i afërm” në kuptimin më shpirtëror e gjenetik të mundshëm. I gjithë qyteti është një ndërthurje lidhjesh familjare të disafishta. Nuk ka rëndësi sa e largët është lidhja. Ajo regjistrohet përmes katalogimit oral familjar dhe konsiderohet e afërt. Në këtë qytet askush nuk mburret se është i afërm i një personi të famshëm. Thjesht sepse të gjithë konsiderohen të afërm të të gjithëve. Gjyshja ime gjakovare e quante “dajë” Bajram Currin, pavarësisht se askush prej fëmijëve të saj nuk e dinte saktësisht lidhjen familjare me të. Por kjo lidhje ishte mjaftueshëm e fortë për gjyshen time sa për t’u kujdesur gjatë gjithë jetës për bijën e heroit në Tiranë. Mjafton të thuash mbiemrin tënd dhe personi përballë teje do të gjejë patjetër një apo disa nga këto fije të shumta. Kështu ti mund të ndjesh thellë në asht e gjak gjallimin e gjithë të shkuarës dhe të tashmes së qytetit. Kështu çdo emër i njohur i qytetit, dhe … oh sa shumë ka nxjerrë ky qytet, është në fakt një “i afërm” yti. Ndërsa ti nuk je thjesht nënprodukt i dy prindërve, por i gjithë qytetit. Ky nuk është qytet, por qenie e gjallë. Aq e vërtetë është kjo sa ky ishte i vetmi qytet gjatë luftës së 1999’s që ngriti një brigadë të vetën urbane për të luftuar kriminelët e Milosheviçit. Një brigadë me fëmijët e vet, studentë, juristë, ekonomistë, nga të cilët plot janë tashmë në panteonin e dëshmorëve. Në studiot e televizionit SYRI Vizion TV, gazetarja e buzëqeshur me emrin domethënës Janina të tregon fotot nëpër muret e korridorëve. Nuk janë foto VIP-ash. Janë fotot e burrave e grave që kanë dhënë më shumë, nganjëherë edhe jetën për qytetin e dashur. Të duhen vetëm pak minuta bisedë me Ednorin, një djalë hiperenergjik, për të mbetur me gojë hapur nga lista e aktiviteteve kulturore që organizon çdo vit vullnetarisht bashkë me të tjerë. Një grup tjetër vullnetarësh, nga të cilët vetëm një pjesë jetojnë aktualisht në qytet, janë organizuar për të krijuar “Ditët e shqiptarit”, një shfaqje shumëpërmasore kulturore me koncerte, filma, gastronomi vendase e poezi. Fokusi: më e mira e qytetit, më e mira e shqiptarisë. Një tjetër pinjoll i qytetit, Shkëlzen Doli, rikthehet çdo vit në vendlindje për koncerte me plot të ftuar. Nuk është dhe aq e çuditshme të ndeshësh në kafet e Çarshisë edhe Lorik Canën, brezi i dytë i një familje të njohur futbollistësh dhe i pazëvendësuar ende moralisht si Kapiten i Kombëtares.Ky qytet ka historinë e Krujës, muzikën e vjetër qytetare dhe humorin e Shkodrës, mikpritjen dhe kuzhinën e Dibrës, qytetarinë dhe pazarin e Korçës, traditat dhe pastërtinë e Gjirokastrës, arkitekturën e shtëpive të Beratit, patriotizmin e Vlorës, krenarinë e Dukagjinit dhe njerëzit e vet unikë. Po flasim për Gjakovën, natyrisht. Historinë e vjetër e të re e ndesh kudo në qytet, sepse gjurmët e saj janë ruajtur. Çarshia e Madhe është më e madhja ndër shqiptarët. Dhe më e ruajtura. Rruga kryesore është mbushur me lokale. Një pjesë kombinojnë kafet me restorantet. Monumenti kryesor është Xhamia e Hadum Agës. Ngritur në shekullin e XVI nën pushtimin osman kompleksi i xhamisë u pasurua me hamam e mejtep dhe shpejt mblodhi rreth vetes mbi 2.000 shtëpi dhe 300 dyqane zejtarësh. Struktura origjinale e esnafëve është ruajtur e ndarë sipas rrugicave. Kulla është forma autentike e shtëpisë, sepse qyteti është furnizuar me ADN malësie. Gjakova ka rreth 18 kulla të ruajtura brenda e rrotull saj, teqe, nga të cilat më e veçanta ajo pranë Çarshisë, ura të ndërtuara nga esnafët (si ajo e ngritur mbi lumin Erenik) e shumë të tjera. Kur ngjitesh në katin e dytë të Hanit të Haraçisë, tashmë restorant i njohur, dërrasat e vjetra të errëta kërcasin nën këmbë si për të të rrëfyer histori të vjetra me gjuhën e tyre. Qyteti shërben edhe si porta e alpeve shqiptare, vetëm 50 minuta larg Valbonës. Lumi Krena përshkon qytetin, por në fakt lumi më i dashur për vendasit është Ereniku, produkt i alpeve dhe gjithashtu edhe plazhi i gjakovarëve. Kafja mbi liqenin mbresëlënës të Dukagjinit (Radoniqit) pihet me pamjen e murit të alpeve që rri zbardhur nga bora shumicën e vitit. Shpella e Kusarit është një tjetër atraksion natyror jo larg prej qytetit. Kodra e Çabratit, e njohur për betejën mes formacioneve të UÇK-së dhe forcave serbe, i rri Gjakovës mbi krye dhe të kujton se një qytet mund të jetë i bukur pa patur nevojë për kulla 40 katëshe. Gjakova ka kuzhinën e vet tipike të dallueshme ku shkëlqejnë tavat me perime e mish. Përgatitja e tyre merr rreth 12 orë. Amvisat i përgatisin tavat në shtëpi, por zakonisht i pjekin në furra druri në qytet. Vetë procesi i gatimit është një spektakël më vete. Samunat me suxhuk e jagliat janë të famshme dhe të paimitueshme. Gjakova ka muzikën e vet të vjetër qytetare. Një pjesë të saj në Shqipëri e njohin mirë dhe me shumë gjasa mendojnë se është nga Shqipëria e Mesme. Një pjesë të këtyre këngëve në ekranet e para 40 viteve i sillte Esat Bicurri, i ekzekutuar nga trupat e Milosheviçit gjatë luftës. Çdo fundjavë këtë repertor e shpalos ëmbël nëpër lokalet e Çarshisë grupi “Ashikët”, siç e do tradita me raki dhe meze përpara. Nuk janë të vetmit në fakt. Nezafete Shala me grupin e saj familjar ruan në mënyrë fanatike të njëjtat thesare gjakovare.Në Shqipëri njihet ndoshta më tepër Shkëlzen Jetishi dhe i ndjeri Ismet Peja. E veçanta është në fakt grupi “Rilindja” i përbërë prej adoleshentësh 13-14 vjeçarë gjakovarë të pasionuar pas trashëgimisë së paraardhësve të tyre. Zanatet e vjetra, që nga zejet e deri te muzika trashëgohen ende brez pas brezi. Po ashtu edhe traditat dhe normat shoqërore. Çfarë ndjesie kur dëgjon djem e vajza të vegjël a të rinj t’i drejtohen një të panjohuri me terma familjarë si “dajë” a “axhë”, varësisht prej moshës! Duket se qyteti përpiqet fort që t’i rezistojë tundimeve të modernitetit. Paradoksi qëndron në faktin se qyteti me njerëzit më të arsimuar e emancipuar në Kosovë (këtë e pranojnë edhe ata që i kritikojnë për krenarinë dhe lokalizmin) është njëkohësisht edhe ruajtësi më i mirë i traditave shqiptare. Ka vetëm një shpjegim për këtë: fryma dhe vetëdija e të qenit një familje e vetme e madhe shqiptare me emrin Gjakovë.

Video

Një re e dendur me pluhur portokalli ka mbuluar Gazën ndërsa një stuhi e fortë rëre ka përfshirë vendin. Erërat e forta dhe pluhuri kanë goditur kampet ku strehohen mijëra të zhvendosur, duke përkeqësuar më tej kushtet tashmë të vështira humanitare në këtë zonë të rrethuar. Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata kërkon ndihmë urgjente për banorët më të prekur.

Avokati i Tik Tok-ut kundër Gjykatës Kushtetuese

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Këto janë pamjet nga vendngjarja në Lezhë, pas shpërthimit me lëndë plasëse në automjetin e një efektivi policie. Sipas informacionit paraprak, rreth orës 05:55 dyshohet se një sasi lënde plasëse është vendosur në një automjet të parkuar tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit me inicialet G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme