
Një ngjarje e dyshuar fillimisht si aksidentale ka rezultuar, sipas hetimeve të policisë, zjarrvënie e qëllimshme për motive konkurrence.
Policia e Vlorës ka arrestuar një 33-vjeçar, të identifikuar me inicialet B. H., pasi dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit i ka vënë flakën derës së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”.
Në momentin e ngjarjes, brenda apartamentit ndodheshin dy shtetas, vëlla e motër. Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për pasoja në njerëz.
Sipas policisë, dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë konkurrenca mes palëve, pasi 33-vjeçari dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike: dhënien me qira të apartamenteve në Vlorë.
“Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë”, njoftoi policia.
Ndaj B. H. është ngritur akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.






















