Sociale 16 Mars 2025, 09:32 Nga VNA

Konsumatorët shqiptarë po orientohen drejt mallrave të lira

Ndaje në Whatsapp
Konsumatorët shqiptarë po orientohen drejt mallrave të lira

Në supermarkete, ndikimi i inflacionit te fuqia blerëse po orienton konsumatorin familjar për shpenzime drejt mallrave të lira. Po parapëlqehen më tepër produktet e gatshme nga rritja e tendencës së konsumit në mjediset e punës. Rënia e popullsisë po jep efekt negativ te konsumi i produkteve të bulmetit, brumit dhe ëmbëlsirave.

Në periudhën janar-shkurt 2025, sipas drejtuesve të supermarketeve, distributorëve të artikujve ushqimorë dhe përpunuesve, kërkesa për produktet e shportës ushqimore është më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Por si importuesit e mallrave ushqimore dhe prodhuesit janë në “luftë” për të ofruar çmime sa më të lira, pasi qasja e konsumatorit është për shpenzime të kujdesshme, madje duke u orientuar drejt produkteve me çmime më të lira.

Elona Koshi, CEO e rrjetit të supermarketeve “Big Market”, tha për “Monitor” se gjatë periudhës janar-shkurt 2025, kërkesa për produktet bazë të shportës ka pësuar luhatje të moderuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në përgjithësi, edhe pse në vlerë, konsumi ka shënuar rënie, rritja e numrit të produkteve të shitura sipas zonjës Koshi sugjeron një konsum të vazhdueshëm, por me një qasje më të kujdesshme nga ana e blerësve.

“Në muajin janar, kategoria ushqimore shënoi rënie në vlerë prej 5.4%, ndërkohë që numri i produkteve të shitura u rrit me 5.2%, duke treguar një zhvendosje të konsumatorëve drejt produkteve me çmim më të ulët ose blerjeve më të fragmentuara. Një tendencë e ngjashme u vu re edhe në sektorin e banakut, me një ulje në vlerë prej 1.3%, por një rritje të vogël të numrit të artikujve të shitur me 0.5%.

Në 15-ditëshin e parë të shkurtit, kjo tendencë vazhdoi me një rënie më të lehtë në vlerë në kategorinë ushqimore (-2.5%) dhe një rritje të mëtejshme të numrit të produkteve të shitura (+4.6%).

Kjo tregon një përpjekje të konsumatorëve për të optimizuar buxhetin, ndoshta duke zgjedhur produkte më ekonomike ose duke përfituar nga ofertat”, pohon ajo. Zonja Koshi thekson se arsyeja kryesore e lëvizjes së konsumit është ndikimi i inflacioni te fuqia blerëse, që po orienton konsumatorin familjar për shpenzime drejt produkteve më të lira.

“1.Ndikimi i inflacionit dhe fuqisë blerëse – Konsumatorët mund të jenë më të kujdesshëm në shpenzime duke u orientuar drejt produkteve më të lira brenda së njëjtës kategori.

2.Promocionet dhe strategjitë e çmimeve – Rritja e numrit të produkteve të shitura tregon që blerësit po eksplorojnë më shumë alternativa, ndoshta për shkak të ofertave të ndryshme në Big Market.

3.Ndryshimet sezonale dhe tendencat e konsumit – Periudha e pasfestave mund të ketë ndikuar në uljen e blerjeve në janar, ndërsa stabilizimi në shkurt reflekton kthimin në ritmet normale të konsumit”.

Rriten importet e makaronave dhe orizit

Sasia e importit të makaronave dhe orizit për 2024 pati rritje krahasuar me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të Doganave, në total për 2024 u importua një sasi prej 22,4 mijë tonë oriz.

Krahasuar me 2023, sasia e importit u rrit me 24%. Viti 2025 nisi me rënie importesh për këtë produkt. Për muajin janar, importet e orizit u ulën me 9% krahasuar me muajin janar 2024.

Në vitin 2024 ka pasur rritje edhe për importin e makaronave. Sasia e importit arriti në 18,4 mijë tonë, apo 7% më tepër se në 2023. Rritja e importeve vijoi edhe në 2025. Në muajin janar 2025, importet e makaronave rezultojnë me rritje 31% në raport me janarin e 2024-s.

Eleni Babameto, drejtuese e kompanisë “Teuta”, paketues dhe distributor i produkteve ushqimore, tha se gjatë 2024-s është shënuar rritje për shitjet e produkteve kryesore të shportës, përfshirë orizin, vajin e lulediellit, makaronat, sheqerin krahasuar me 2023.

Zonja Babameto pohon se te rritja e kërkesës kanë ndikuar investimet në rritje të kompanisë për menaxhimin e shpërndarjes së produkteve, por edhe sezoni turistik. Ajo thotë se për këto produkte nuk ka pasur rritje të çmimit të shitjeve.

Për sa i përket rënies së kërkesës, kryesisht tek orizi, drejtuesja e kompanisë “Teuta” tha se lidhet me tendencën e furnizimeve familjare, të cilat janë më të larta në periudhën e fundvitit sesa në muajt janar – shkurt.

Importet e 2024-s për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale”, sipas të dhënave të INSTAT, u rritën me 18% krahasuar me 2023. Në muajin janar 2025, importet e grupit u rritën 8.2% krahasuar me janar 2024.

Importuesit dhe ambalazhuesit e vajit të lulediellit pohojnë se për muajin janar-shkurt, ecuria e shitjeve është e njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ylli Aliaj, nga kompania paketuese e vajit “Bomira”, tha se rënia e popullsisë dhe emigracioni po ndikojnë në ngadalësimin e rritjes së kërkesës. Importuesit sivjet presin gjithashtu rritje të çmimit të vajit të lulediellit në tregjet e huaja.

Vjet, ardhja e turistëve në muajt e verës ndryshoi tërësisht konsumin për vajin e lulediellit. Deri në fillim të muajit qershor 2023, importuesit pohonin se shitjet ishin rreth 40% më të ulëta se vjet, për shkak të emigracionit dhe mbiprodhimit të vajit të ullirit.

Faktor tjetër që ka ndikuar te përmirësimi i kërkesës për këtë produkt është edhe ulja e çmimit, ku prej dy vitesh në treg janë stabilizuar çmimet me shumicë për këtë produkt. Vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (150 deri në 180 lekë për litër).

Rënia e çmimit të vajit të lulediellit nisi në muajin qershor 2022, periudhë në të cilën filloi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta.

Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul me 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.

Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit, çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 33%. Në muajin mars 2022, çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër, nga 249 lekë për litër në muajin shkurt (32,5% rritje).

Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.

Rritje është shënuar edhe për importet e grupit “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë”, sipas të dhënave të INSTAT që u shtuan 15.3% në 2024 krahasuar me vjet.

Për muajin janar 2025, importet e grupit u rritën 1,3% krahasuar me janar 2024.

Importuesit e preparateve larëse thanë se ka pasur shtim të shitjeve te produktet për paketim familjar, e nxitur nga rritja e numrit të turistëve që qëndrojnë në apartamente me qira ditore.

Rriten importet e drithërave

Për vitin 2024, sipas të dhënave të Doganave, u importuan një sasi prej 204 mijë tonësh grurë. Krahasuar me 2023, sasia e importit të grurit u rrit me 6,4%. Për muajin janar 2025, importet e grurit ranë me 7% krahasuar me muajin janar 2024.

Sasia e misrit të importuar në 2024 ishte rreth 93 mijë tonë. Në raport me 2023, importet u rritën me 36%. Shtim të importit të misrit pati edhe në 2025.

Për muajin janar, sasia e importeve u shtua rreth 61% krahasuar me muajin janar 2024. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, pohoi më herët se tendenca rritëse e importeve për 2024 nuk është nxitur nga shtimi i kërkesës, por nga masat e fabrikave të blojës për të krijuar rezervat e periudhës dimër-pranverë, pasi ende nuk parashikohej niveli i çmimit të grurit për korrjet e reja.

Sipas tij, grosistët e importit të grurit shfrytëzuan në maksimum magazinimin e drithërave me qëllim parandalimin e humbjeve nga ndryshimet e mundshme të çmimit pas korrjeve të muajit korrik.

Z.Haxhiymeri tha se rënia më e lartë e konsumit në 2024 ishte në muajt shkurt, mars edhe fundviti. “Shitjet nga muaji tetor deri në fund të vitit nuk kanë qenë të mira.

Nuk ka kërkesë, pasi nëpër fshatra nuk ka njerëz fare, por edhe qytetet janë dobët. Shpresat janë që konsumi të rritet disi me turizmin, pasi mendohet se bilanci i atyre që largohen në afatgjatë ose me pushime me ata që vijnë të jetë në favor të këtyre të fundit”, tha ai.

Në vitin 2024, pas përfundimit të sezonit turistik, shqetësimi për rënien e kërkesës së bukës dhe ëmbëlsirave, u ngrit edhe nga drejtuesit e disa prej furrave kryesore në vend.

Sipas tyre, vjet në muajin tetor, rënia e kërkesës për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave ishte 20% krahasuar me vitin paraardhës, përveç shitjeve të produkteve fast food që nuk shënuan pakësim.

Hysen Caka, drejtues i një prej furrave të bukës në Tiranë, pohon se tendenca rënëse e kërkesës vijoi edhe gjatë janar-shkurt 2025, tërësisht për shkak të ndryshimeve demografike në popullatë.

Z. Caka pohon se rënia e konsumit për produkte brumi dhe ëmbëlsira është më e lartë se në muajt janar-shkurt 2024. Ai tha se ardhja e turistëve përmirëson konsumin vetëm gjatë muajve të verës, për shkak të qëndrimit më të gjatë./ Monitor

Video

Mbërrin në Gjykatën e Shkodrës Ragip Gila, i dyshuar si autor i masakrës me dy të vrarë e dy të plagosur. Ai pritet të njihet me masën e sigurisë për akuzat vrasje në rrethana cilësuese, vjedhje, armëmbajtje, shkatërrim prone. Gila ekzekutoi Armando Palin e Liridon Lushin si dhe plagosi Erogen Vason që mendohet se ishte shënjestra dhe Meri Kacerin. Kamarierja e lokalit rrezikon të humbasë krahun dhe familja kërkon ndihmë për mjekim jashtë vendit. https://www.vna.al/kronika/njihet-me-masen-e-sigurise-ragip-gila-ne-gjykaten-e-shkodres-autor-i-dy--i14353

Reshjet intensive të shiut që përfshinë dhe qytetin e Vlorës, shkaktuan përmbytje në disa akse rrugore. Më të prekura rezultuan lagjja “Pavarësia 3”, zona pranë stadiumit “Flamurtari”, Bulevardi Kryesor dhe rruga “Gjergj Arianiti”, ku prania e ujit ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Kukës/ 21-vjeçari pa patentë shkakton aksident dhe largohet nga vendngjarja, shpallet në kërkim Policia e Kukësit ka shpallur në kërkim shtetasin A. Gj., 21 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar si autor i një aksidenti të ndodhur rreth orës 00:30 të ditës së sotme, në vendin e quajtur “Agjencia”. Sipas policisë, i riu drejtonte automjetin pa leje drejtimi kur është përplasur me mjetin që drejtohej nga shtetasi I. H.. Pas ngjarjes, A. Gj. ka braktisur automjetin dhe është larguar. Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar G. Ll. dhe R. G., pasagjerë në automjetin e drejtuar nga i riu, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu janë dëmtuar edhe dy automjete të parkuara.

Kanë kaluar mbi 24 orë nga sulmet ajrore të Izraelit mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, të cilat sipas Tel Avivit kishin në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit. Reagimet kanë vijuar gjatë gjithë ditës, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB-së shtyu mbledhjen e tij për nesër, për t’i dhënë mundësi kryeministrit të Katarit të marrë pjesë. Qeveria e Katarit kërkon që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mbahet përgjegjës për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, por Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli ishte “plotësisht i justifikuar” pasi synoi udhëheqësit e Hamasit që organizuan sulmet e 7 tetorit 2023. Ndërkohë, Izraeli kreu sot sulme të reja në Jemen, duke deklaruar se forcat ajrore goditën “kampe ushtarake”, selinë e “departamentit të propagandës ushtarake të Houthive” dhe një “depo karburanti”. Në zhvillime të tjera, kryeministri britanik Keir Starmer u takua sot me presidentin izraelit Isaac Herzog, i cili e përshkroi bisedën si “të drejtpërdrejtë” dhe “të ashpër” mbi situatën në Gaza dhe sulmet në Doha. Deri tani nuk ka një deklaratë nga Starmer pas takimit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme