Regjimi komunist në Shqipëri, në fazën e parë të tij, përqendrimi i vëmendjes në procesin e formësimit të një elite të re intelektuale, e perceptuar e tillë jo për shkak të moshës, por brumosjes ideologjike, konsiderohej moment i rëndësishëm. Kjo elitë në një të ardhme të afërt do ta ndihmonte atë në vendosjen e paqes së brendshme dhe në rezultat final do të kryente ndërtimin e socializmit. Krahas pjesës rishtare, që do të shkollohej në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Demokracive Popullore, elita e re nënkuptonte edhe reformimin e elitës së vjetër dhe edukimin e saj, me idetë e marksizëm-leninizmit.
Elita e vjetër, e arsimuar në Perëndim, me parime dhe ideologji të ndryshme nga ajo komuniste, që nuk ishte dakord me formën e regjimit që po vendosej, konsiderohej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit më në zë komunistë shqiptarë, si rrezik potencial.
Si e tillë, ajo duhej “reformuar”, që të bashkëpunonte me regjimin, në të kundërt konsiderohej e rrezikshme dhe duhej “eliminuar”.
Mënyra se si regjimi komunist u soll ndaj biologes Sabiha Kasimati, përfaqëson një model sjelljeje tepër të ashpër të shtetit karshi studiuesit, në përpjekje për të eliminuar atë, që për të konsiderohej kundërshtar politik dhe “armik i pushtetit popullor”, me rrezikshmëri të lartë. Dr. Ledia Dushku dhe Doris Pasha sjellin një artikull "Regjimi komunist dhe studiuesi’: rasti i biologes Sabiha Kasimati, ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së Sabiha Kasimatit, si intelektuale dhe studiuese, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza në radhë të parë synon, t’i japë përgjigje pyetjes, se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Sabiha Kasimati, para vendosjes së regjimit komunist, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit karshi saj.
Paraqitja në disa këndvështrime e personazhit, ndihmon lexuesin të kuptojë deri në çfarë mase sjellja e regjimit ndaj intelektualit, kushtëzohej nga veprimtaria shkencore, tiparet e profilit psikologjik, apo marrëdhënia me drejtuesit e lartë komunistë, në rastin e Sabiha Kasimatit me vetë Enver Hoxhën. Burimet kryesore arkivore të shfrytëzuara në përpilimin e profilit të Sabiha Kasimatit, janë: dokumentet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë, pjesë e fondeve të Ministrisë së Arsimit, Liceut Kombëtar të Korçës, Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, fondeve të Partisë (Strukturat dhe Organet Udhëheqëse), Kryeministrisë; dokumentet e dosjes së hetuesisë së të akuzuarve për bombën në Legatën Sovjetike dhe ato të dosjes formulare, të Eqrem Çabejt, konsultuar pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Të vlefshme për këtë punim, kanë qenë materialet e revistës së Institutit të Studimeve/Instituti i Shkencave; literatura mbi totalitarizmin, mbi komunizmin në Shqipëri dhe vendosjen e bombës në Legatën Sovjetike.
Dokumentacioni i munguar i Sigurimit të Shtetit për Sabiha Kasimatin, nuk ka dyshim se do ta kishte pasuruar profilin në fjalë.
Sistemi Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. u zhvilluan më 2 dhjetor 1945 dhe pa ndonjë surprizë, ato u fituan nga Fronti Demokratik. Nëpërmjet tyre, Enver Hoxha kreu lëvizjen përfundimtare, që i duhej atij dhe PKSH-së, për të krijuar legjitimitetin ndërkombëtar dhe për të marrë pushtetin përfundimisht. Në kushtet e problemeve me gjuhën italiane, lëndët e vështira dhe mungesën e teksteve, sezoni i verës konsiderohej prej tyre i pamjaftueshëm për të kryer plotësisht detyrimet shkollore. Nënshkrimi i kërkesës, tregon edhe një anë të karakterit të vajzës së Kasimatëve, guximin për të kërkuar të drejtat e saj. Kjo e bën atë, përveçse të zgjuar dhe inteligjente, edhe një njeri të vendosur, për të ngritur zërin, për të reaguar kundrejt asaj që ajo e konsideronte si padrejtësi. Pasi u kthye nga Italia, Sabiha Kasimati, më 13 nëntor 1940, doli fituese në konkursin e shpallur për postin e ndihmës-sekretares, në personelin e administratës arsimore. Pasi kaloi periudhën e provës, ajo u emërua ndihmës-sekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941, filloi punë. Statusi i saj ndryshoi shpejt, kur më 17 nëntor të vitit 1941, u bë pjesë e trupës mësimore të Shkollës Normale Femërore “Nana e Skanderbeut”, (ish-Instituti “Nana Mbretneshë”), si mësuese e shkencave, kimisë dhe higjienës. Arsyet shëndetësore e detyruan në maj të 1943-it, të largohej nga mësimdhënia dhe të shtrohej në spital në Itali. Sabihaja ishte shëndetligë dhe vuante nga tuberkulozi. Ajo u nxor “në prituni”, për një vit, deri në maj të 1944-ës. Pavarësisht se nuk ishte pjesë aktive në procesin mësimor, gjatë periudhës së “pritunies”, ajo mori rrogë të plotë, e cila tashmë ishte 200 franga në muaj, pasi kishte kaluar në gradë X-të, të grupit A. Mos-përmirësimi i gjendjes shëndetësore, ndikoi që Kasimatit t’i zgjatej pritmëria, deri më 1 maj të 1945-ës. Gjatë kësaj kohe, ajo do të gëzonte jo më një pagë të plotë mujore, por gjysmën e saj. Nuk mund të lihet pa u përmendur fakti që ekziston një vendim, gjatë kohës që Sabiha Kasimati ishte në kurim në Itali, që e gradoi atë nga profesoreshë e klasit IV-ët, në profesoreshë të klasit II-të, grupi A, me pagë mujore 260 franga. Nga sa më sipër, kuptojmë që Sabiha Kasimati, ka qëndruar 2 vjet në pritmëri dhe vitin e parë, është paguar me pagë të plotë, ndërkohë që vitin e dytë, është rritur në gradë, pa qenë mësuese aktive në Institutin Femëror “Nana e Skanderbeut” dhe është paguar me gjysmë page. Kjo na bën të mendojmë që në këtë periudhë, ajo gëzonte një status të privilegjuar. Marrëdhëniet e Sabiha Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri, nisin në janar të vitit 1943. Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institutin “Nana e Skanderbeut”, ajo pati një bashkëbisedim me Ernest Koliqin, kryetar i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, themeluar si Institut i Studimeve Shqiptare, në prill të vitit 1940. Marrëdhënia e saj me Koliqin, i kishte fillesat më herët, në periudhën e shkollimit në Itali, kur, sikurse vetë Kasimati shprehej: “Shkëlqesa e Juaj më përkrahu, si Titullar i Arsimit, që ishit”. Menjëherë pas bashkëbisedimit, ajo i dërgoi një letër/raport, kryetarit të Institutit, prej nga ku kuptojmë edhe arsyen e takimit. Sabiha Kasimati i paraqiti Ernest Koliqit një projekt mirëfilli shkencor, nëpërmjet të cilit ajo kërkonte që pranë Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, të formohej “një koleksion zoologjik, tue filluar nga Dega e Iktiologjisë”, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; të përgatitej “një erbario mbasi flora shqiptare, siç dihet, ka provuar interesimin më të gjallë të botanistëve më të shquar, sidomos gjerman dhe t’Europës përgjithësisht”; të grumbulloheshin “në bashkëpunim të ngushtë dhe me Drejtorinë e Minjerave pranë Ministrisë s’Ekonomisë, llojet e ndryshme të mineraleve dhe të fosileve që gjinden në shtresat e tokës në Shqipni”.
Memorie.al






















