
Tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, autoritetet në Kosovë do ta përkujtojnë atë këtë të enjte me një sërë aktivitetesh.
Ceremonitë nisin në orën 10:00 me një vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 10:40 do të zhvillohen homazhe pranë varrit të tij. Në mesditë, në Banjskë të Zveçanit, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Bunjakut. Aktivitetet do të përmbyllen në orën 20:00 me një akademi përkujtimore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ngjarjen përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se autorët e sulmit duhet të përgjigjen para drejtësisë.
Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar në trevjetorin e ngjarjes, duke përsëritur akuzat e autoriteteve të Kosovës ndaj Milan Radoiçiqit për rolin e tij në grupin e armatosur.
Afrim Bunjaku u vra në orët e para të 24 shtatorit 2023, pasi një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Një vit më vonë, më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë në lidhje me ngjarjet në Banjskë.
Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në shkallë të parë Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burg. Vendimet mund të ankimohen.
Radoiçiq, i cili ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, ndodhet në Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë.
Në trevjetorin e sulmit ka reaguar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, e cila ka përkujtuar Afrim Bunjakun dhe ka vlerësuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur dhe rikthimit të sigurisë në zonë.
Ambasada britanike ka theksuar se llogaridhënia për sulmin mbetet thelbësore dhe u ka bërë sërish thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vendosjen para përgjegjësisë të personave të kërkuar, përfshirë Milan Radoiçiqin.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 shkaktoi një prej episodeve më të rënda të sigurisë në veri të Kosovës në vitet e fundit dhe u dënua nga autoritetet kosovare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.






















