Politika 2026-09-12 11:46:00 Nga VNA

Spahiu e nis detyrën pa bërë bilancin: Ministrja bën thirrje në Facebook për të bërë Check Up, por në qendrat shëndetësore mungojnë kitet

Ndaje në Whatsapp
Spahiu e nis detyrën pa bërë bilancin: Ministrja bën thirrje

Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e ka nisur komunikimin publik për sektorin që tashmë drejton me një mesazh optimist: qytetarët mbi 35 vjeç të paraqiten për të kryer Check Up-in falas.

“Mbi 35 vjeç? Bëj Check Up-in. Kujdesu për shëndetin tënd!”, shkruan Spahiu në Facebook.

“Kontrolli në kohë do të thotë parandalim, trajtim më i hershëm dhe më shumë vite me cilësi jete”, thekson ministrja, e cila u bën thirrje qytetarëve të shkojnë në qendrat e tyre shëndetësore për të kryer kontrollin.

Mesazhi tingëllon mirë në Facebook. Problemi nis kur nga rrjetet sociale kalohet në qendrat shëndetësore.

Ministrja e re duket se e ka nisur komunikimin pa bërë më parë një bilanc të plotë të situatës që ka trashëguar. Qendrat shëndetësore po përballen prej javësh me mungesa të kiteve dhe reagentëve të nevojshëm për kryerjen e Check Up-it, duke bërë që kontrollet të realizohen në numër të kufizuar.

Kjo do të thotë se, ndryshe nga përshtypja që krijon thirrja e ministres, qytetarët nuk mund të paraqiten domosdoshmërisht kur dëshirojnë dhe ta kryejnë menjëherë kontrollin. Në praktikë, infermierët i kontaktojnë në telefon dhe u caktojnë ditën kur duhet të paraqiten.

Situata bëhet edhe më problematike në një kohë kur vetë shteti ka zgjeruar grupin e përfituesve. Pas përfundimit të koncesionit është hequr kufiri i sipërm prej 70 vjeç, duke bërë që Check Up-i të ofrohet për të gjithë qytetarët nga mosha 35 vjeç e lart.

Pra, është zgjeruar ndjeshëm numri potencial i qytetarëve që mund ta kërkojnë shërbimin, por furnizimi i nevojshëm për të përballuar kërkesën e shtuar nuk është garantuar në kohë.

Në qendër të kësaj situate është Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, i cili tenderët për blerjen e materialeve të nevojshme i ka hapur në një moment kur rezervat tashmë janë drejt shterimit.

Neglizhenca dhe situata e krijuar, ka detyruar OSHIS të hapë pesë tenderë me vlerë totale rreth 17.7 milionë euro për furnizimin me materialet e nevojshme, ndërsa në katër prej loteve është aplikuar shkurtimi i afatit për pranimin e ofertave.

Nxitimi mund t’i shërbejë Operatorit për të rikuperuar kohën e humbur, por nga ana tjetër ngre pikëpyetje mbi kohën që u lihet kompanive të interesuara për përgatitjen e ofertave dhe pjesëmarrjen në garë, si dhe mbi ndikimin që afatet e shkurtra mund të kenë te konkurrenca.

Kështu, problemi nuk mbetet vetëm te rezervat e kufizuara për kryerjen e Check Up-it. Planifikimi i vonuar ka sjellë edhe nevojën për procedura të përshpejtuara pikërisht në momentin kur sistemi duhet të përballojë një numër më të madh përfituesish.

Për ministren e re, ndoshta një bilanc i situatës së trashëguar do të ishte një nisje më e dobishme sesa një video promovuese. Të kërkonte shpjegime nga strukturat përgjegjëse, të garantonte furnizimin normal të qendrave shëndetësore dhe më pas t’u thoshte qytetarëve “shkoni dhe bëni Check Up-in”.

Sepse thirrja “bëj Check Up-in” funksionon bukur në Facebook. Por në qendrën shëndetësore duhet të ketë pajisjet e nevojshme që të bëhet.

Lexo gjithashtu

Video

Përfitoi 9 hektarë për 1 euro me firmën e Ramës/ Kush është Shkëlqim Beshiri, biznesmeni i përfolur si “prestanome” i Shkëlzen Berishës

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news