Ekstradohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Sokol Hoxha, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Hoxha është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos në mars të vitit 1997 dhe të Brunilda Dervishit në Belgjikë në të njëjtin vit.
Ai u kap pas tre dekadash në arrati, pasi fshihej me identitet të rremë.
Njoftimi
Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:
Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në SHBA.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kërkim që i fshihen sistemeve të drejtësisë të të dyja vendeve.






















