Sport 2026-07-20 11:45:38 Nga VNA

Nga Mesi te idhujtaria: Pse fitorja e Spanjës ishte një leksion futbolli dhe një shuplakë për kultin e yjeve

Ndaje në Whatsapp
Nga Mesi te idhujtaria: Pse fitorja e Spanjës ishte një leksion

Ka disa vite kur dëgjova në një nga programet televizive me telefonata që një djalë nga veriu i vendit (po kjo nuk ka rëndësi) ishte gati të jepte jetën për Barcelonën dhe Mesin. Më kaploi një avull i nxehtë tensioni. Ai nuk ishte dhe nuk është një rast i izoluar.

Një miku më tregonte dikur që kishte dalë një mëngjes shumë herët. Ishte nga ato pak ditët e rralla të dimrit me temperatura nën zero gradë. Në gjysmë errësirë, nga cepi i rrugës kaloi dikush që tërhiqte me krahë një karrocë të ngarkuar, i cili pa nga ana tjetër e rrugës një të njohur, i cili gjithashtu ishte i ngarkuar. Ishin dy prej shumë fukarenjve të Tiranës që dalin shumë herët të punojnë për bukën e përditshme. Njëri i thërret pa e përshëndetur: “Ho mo, ku e ke atë Interin tat? E pe mbrëmë? Hongri tullën, dy petlla.” I kthehet tjetri: “Ik, u burrë, zhduku me atë Milanin tat të shëmtum, me atë ekip palaçosh.” “Po, po e pe Adrianon tim çfarë i bëri atij Pirlos tat, a e pe?”…

Dy njerëz, që luftojnë për mbijetesë, flasin për Interin dhe Milanin, për Adrianon dhe Pirlon sikur të flasin për gjëra të tyre shumë të shtrenjta, shumë personale, gati intime. Flasin në atë mënyrë që nuk flet as trajneri, as pronari i Interit dhe Milanit, flasin në një mënyrë sikur gjithë jeta dhe bota rrotullohet dhe ka në qendër Interin dhe Milanin.

Futbolli dhe çdo sport është një lojë, shijohet bukuria, qëndrueshmëria, mprehtësia taktike, veprimet inteligjente, gjërat e bëra me mjeshtëri. Është një gjë shumë e bukur, por të kthehet në idhujtari, të luajë mendsh njerëzit, t’i bëjë ata të kthehen në objekte që adhurojnë dhe imitojnë, është e tmerrshme. Ka njerëz që madje e thonë haptaz fare që e kam idhull filanin, e adhuroj filanin.

Idhujtaria është një prej gjërave më të rënda që mund t’i ndodhë një njeriu. Ajo shkatërron të vërtetën. Kur njeriu adhuron atë që ka krijuar vetë njeriu (statujë, baltë, hënën, Mesin, Barcelonën, Kanye West), ai përmbys rendin natyror, duke e vendosur krijesën mbi Krijuesin. Idhujtaria është një formë skllavërie, sepse njeriu bëhet rob i asaj që adhuron. Idhujtaria sjell domosdo padrejtësinë, të keqen, sepse kur humbet orientimi drejt Zotit, dobësohet edhe përgjegjësia morale ndaj njerëzve. Shumë filozofë dhe teologë e kanë përkufizuar idhujtarinë si dashurinë e çrregullt (amor perversus), ku njeriu e do një të mirë të fundme (pasurinë, famën, kënaqësinë, Mesin, Barcelonën, kryetarin e partisë, liderin politik) sikur të ishte e mira më e lartë.

Futbolli, duke qenë një nga skenat më të mëdha, më popullore, përdoret nga pushteti, përdoret nga FIFA, biznesi dhe qeveritë që t’i bëjë njerëzit të kthehen në qenie konsumi, qenie të drejtueshme, të dominueshme, qenie që pëlqejnë dhe bëjnë atë që do ky pushtet. Dhe ka më mirë? Ku ka karrem, ku ka joshje më të mirë se sa Mesi, Barcelona, Taylor Swift, Madonna (dhe të tjerë sigurisht) për të shpëlarë trurin e njerëzve? Shumë njerëz kësisoj luajnë mendsh dhe me ta nuk flitet kur vjen puna për ta, për Mesin. Vetë FIFA është gati të shkatërrojë çdo nuancë futbolli vetëm e vetëm që kjo vitrinë e rreme të rrijë në këmbë.

Për herë të parë në jetë isha me Spanjën dhe më pëlqeu shumë, shumë fare (nga pikëpamja futbollistike po them). Dominim në kontroll topi, shumë raste dhe gjuajtje në portë, asfiksim i plotë i sulmit të Argjentinës, virtuozitet me veprimet teknike dhe sjellje shumë fisnike ndaj sjelljeve banale të Argjentinës.

Rodri caktoi tempon e lojës, merrte topin nga portieri ose nga dy qendërmbrojtësit, lidhte Olmon dhe Ruiz me repartet e tjera, hynte vetë në disa raste mes linjave, bllokoi të gjitha vijat e pasimit të Argjentinës për Alvarez dhe Mesin.

Ruiz, inteligjencë e lartë në gjetjen e hapësirave, lëvizje të shkëlqyera mes linjave, rondo e lezetshme me Olmon, Jamalin, Porron. Lamine Yamal nuk rrinte ngjitur me vijën anësore, hynte vazhdimisht në qendër për të krijuar epërsi numerike.

Befasia ishte që, ndryshe nga herët e tjera, ku Kukureja merr shumë krahun, mbrëmë Pedro Porro ngjitej shumë në krahun e djathtë, pothuajse si anësor sulmues, ndërsa Kukureja ishte më i kujdesshëm dhe shpesh qëndronte prapa, duke formuar një treshe në mbrojtje gjatë sulmit.

Spanja e shndërronte në mënyrë mbresëlënëse 4-2-3-1 në 3-2-5, në 2-3-5 ose edhe 3-4-3.

Argjentina shpresonte tek presingu i dhunshëm (duke e ditur që gjyqtari do t’i mbronte siç i mbrojti turpshëm) ndaj Olmos, Ruizit, Rodrit, Baenës etj (mundësisht t’u jepte ndonjë karton të kuq me provokime), shpresonte që në ndonjë top të lartë në zonën e Spanjës të merrte ndonjë penallti ose të bënte ndonjë gol, qoftë edhe me faulle dhe të shtyra, sepse gjyqtari mund t’ia lejonte.

Mac Allister, Fernandez, Gonzalez dhe Paredes më vonë në mesfushë nuk patën asnjë mundësi të kontrollonin tempon dhe topin. Dolën jashtë loje. Mesi ishte pak a shumë shikues dhe Alvarez luftoi më shumë si mesfushor dhe mbrojtës sesa si sulmues. Një Argjentinë skandaloze.

Më e turpshmja, ai pushtet që ishte në anën e Izraelit dhe Netanyahut ishte me Argjentinën, sepse në fakt ata që adhurojnë idhuj ose duan që bota të adhurojë idhuj kanë probleme të rënda morale.

Video

Një avion ngarkese Boeing 777-300ER i kompanisë Kalitta Air ka prekur pistën me pjesën e pasme gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Cincinnati/Kentucky Verior. Pas këtij incidenti, mjeti ajror arriti të ngrihej sërish për të bërë një xhiro dhe u ul i sigurt pak më vonë. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur menjëherë një hetim zyrtar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje. Klikoni artikullin për të mësuar më shumë detaje rreth manovrës së pilotëve dhe gjendjes së avionit.

Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ka goditur sot Shkupin, duke shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha materiale. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë mbi automjete të parkuara në qendër të qytetit, si dhe kanë dëmtuar çati e semaforë. Ndërkoh shumë rrugë kryesore kanë mbetur të bllokuara.

Nis protesta e 52 e qytetarëve. Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë.

Sepse në Londër shteti nuk të pret ta mbarosh ndërtimin pa leje dhe pastaj ta shemb.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news