Histori të harruara 2025-11-28 12:44:00 Nga VNA

Pavarësia/ Lef Nosi, një tjetër themelues pa varr

Ndaje në Whatsapp
Pavarësia/ Lef Nosi, një tjetër themelues pa varr

“Ka qenë 25-vjetori i Pavarësisë kur dajë Lefi, për të pamundësuar çdo falsifikim a manipulim të dokumentit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e shtypi në qindra kopje, duke ia shpërndarë më së pari familjarëve të firmëtarëve”, kujton Skënder Kosturi, një nga nipërit e Lef Nosit.

Ky gjest i thjeshtë por me vizion, ndihmoi jo vetëm në ruajtjen e vetmit kopje ekzistuese të aktit të Pavarësisë, por edhe në dështimin e përpjekjeve të mëvonshme për të shtuar në mënyrë të rreme emra të afërmve të sundimtarëve në listën e firmëtarëve.

Lef Nosi lindi në Elbasan, në prill të vitit 1877. Ai është një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë dhe një figurë e shquar e jetës politike, kulturore dhe shkencore shqiptare. Aktiv në Klubin “Vllaznia”, themelues i shoqërisë “Afëdita”, gazetës “Tomorri” dhe revistës “Kopështi letrar”, Nosi do të hynte shpejt në politikë si ministër i Postë-Telegrafëve në qeverinë e Ismail Qemalit.

Një pasion i tij i veçantë ishte filatelia: nën drejtimin e tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione të pullave postare shqiptare – mes tyre ato me shqiponjën dykrenore dhe mbishkrimin “Shqipënia” – duke hedhur bazat e filatelisë kombëtare.

Kontributet e tij vijojnë në fusha të ndryshme: në themelimin e Shkollës Normale, në kryesimin e Bashkisë së Elbasanit, në bashkëpunime me figura si Gurakuqi, Xhuvani, Konica, Noli e Mit’hat Frashëri, si dhe në botimin e dokumenteve me vlerë të rrallë për albanologjinë, etnologjinë e historinë shqiptare.

Një njohës i gjuhëve të huaja dhe bibliofil i rrallë, thuhet se zotëronte bibliotekën e dytë më të madhe në vend pas Mit’hat Frashërit. Një pjesë e këtij fondi, me vlerë të jashtëzakonshme për studimet ballkanologjike dhe shqiptare, ndodhet sot në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan.

Në vitet 1943–1944, Nosi ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945 ai arrestohet dhe akuzohet si kolaboracionist. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 20 shkurt 1946, në Kodrën e Priftit në Tiranë, bashkë me Atë Anton Harapin dhe Maliq Bushatin.

Një ironi tragjike e fatit: Lef Nosi, që u burgos nga osmanët për përhapjen e gjuhës shqipe dhe u internua nga italianët për aktivitet antifashist, u pushkatua nga regjimi komunist si bashkëpunëtor i pushtuesve. Familjarët ende nuk dinë ku ndodhet varri i tij, një plagë e hapur në kujtesën kombëtare.

Megjithatë, nderimet nuk mungojnë. Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës dhe shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, ku është ngritur edhe shtatorja e tij. Një rrugë dhe një shkollë në Elbasan, si dhe një tjetër në Prizren, mbajnë emrin e tij. Studimet e tij janë botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

 

 

Video

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Japoninë veriore të hënën Sipas Japan Meteorological Agency, lëkundja ndodhi në Oqeanin Paqësor pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia raportoi një magnitudë prej 7.7 ballësh, ndërsa United States Geological Survey e vlerësoi atë në 7.4. Menjëherë pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, me valë të mundshme deri në tre metra. Një valë deri në 80 centimetra u regjistrua në portin e Kujit, ndërsa valë më të vogla goditën zona të tjera të Japonisë veriore. Më vonë, alarmi për cunami u hoq.

U.S. Central Command ka publikuar pamje nga një operacion ushtarak në Detin Karaibe, ku forcat e Shtetet e Bashkuara goditën një anije të dyshuar për trafik droge. Sipas njoftimit, tre persona të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës u vranë gjatë operacionit.

Një grua në Filipine përjetoi një moment të rrallë teksa po bënte fotografi nën ujë, kur një peshkaqen balenë iu afrua papritur dhe e preku lehtë në krah. Momenti, i filmuar dhe i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ka tërhequr vëmendje. Ekspertët thonë se kjo specie është e padëmshme për njerëzit, por rekomandojnë ruajtjen e distancës dhe respektimin e jetës së egër.

Nuk është faji këtij që është anonim por s’ka mbetur askush tjetër

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news