
Marrëdhëniet e ngrira mes Indisë dhe Kinës, pas përplasjes së përgjakshme në Himalaje pesë vite më parë, duket se po shkrijnë nën presionin e tarifave të reja të Presidentit amerikan Donald Trump.
Për herë të parë që nga viti 2018, kryeministri indian Narendra Modi do të vizitojë Kinën këtë javë për të marrë pjesë në një samit të drejtuar nga presidenti kinez Xi Jinping. Vizita vjen pak ditë pasi Trump vendosi tarifa ndëshkuese prej 50% mbi importet nga India. Në një kthesë të papritur gjeopolitike, dy liderët – ushtarët e të cilëve u përplasën me grushta, gurë e shufra metalike në kufirin e kontestuar në vitin 2020 – pritet të shtrëngojnë duart, duke vënë stabilitetin ekonomik përpara rivalitetit të thellë.
Përveç Modit, në samitin e fundjavës do të marrin pjesë edhe liderë nga Rusia, Pakistani, Irani dhe Azia Qendrore. Takimi, i organizuar nën ombrellën e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një forum i krijuar nga Moska dhe Pekini, synon të riformësojë balancën globale të pushtetit.
Pjesëmarrja e Indisë shihet si treguesi më domethënës i afrimit mes dy fuqive aziatike – një rreshtim i ri që mund të minojë përpjekjet shumëvjeçare të Uashingtonit për ta përdorur Nju Delhin si kundërpeshë ndaj Kinës.
Sipas analistëve, politikat e “America First” të Trump e kanë shtyrë Modin të kërkojë një “partneritet nga nevoja” me Xi, veçanërisht pas pakënaqësisë që shkaktuan tarifat ndaj blerjeve indiane të naftës ruse. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nxitja kryesore e afrimit vjen nga interesat kombëtare të të dy vendeve për stabilitet.
Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë investuar shumë për të forcuar marrëdhëniet me Indinë përmes transferimeve të teknologjisë dhe stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, duke e parë atë si partner kyç në Indo-Paqësor. Humbja e Indisë, sipas analistëve, do të ishte “skanari më i keq” për SHBA.
Pas takimit të javës së kaluar në Nju Delhi mes ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit Modi, të dy palët pranuan përmirësimin e marrëdhënieve.
“Raportet Indi–Kinë kanë bërë përparime të qëndrueshme, të udhëhequra nga respekti për interesat dhe ndjeshmëritë e ndërsjella,” tha Modi. “Marrëdhëniet e qëndrueshme, të parashikueshme dhe konstruktive mes Indisë dhe Kinës do të kontribuojnë ndjeshëm në paqen dhe prosperitetin rajonal e global.”