Bota 2025-09-25 20:12:00 Nga VNA

Amazon paguan një gjobë historike 2.5 miliardë dollarë pas marrëveshjes me FTC

Ndaje në Whatsapp
Amazon paguan një gjobë historike 2.5 miliardë dollarë pas

Amazon ka rënë dakord të paguajë një shumë rekord prej 2.5 miliardë dollarësh, pas një marrëveshjeje me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), duke i dhënë fund një beteje dyvjeçare ligjore mbi akuzat se kompania mashtroi konsumatorët për t’u regjistruar në shërbimin Prime dhe më pas ua vështirësoi anulimin e tij.

Sipas njoftimit të FTC-së, marrëveshja parashikon 1 miliard dollarë gjobë civile dhe 1.5 miliardë dollarë rimbursime për rreth 35 milionë klientë të prekur nga praktikat mashtruese të regjistrimit. Kjo konsiderohet gjobitja më e madhe civile në një rast që lidhet me shkelje të rregullave të FTC-së dhe shuma e dytë më e lartë e dëmshpërblimeve e siguruar ndonjëherë nga agjencia.

Marrëveshja u arrit vetëm disa ditë pasi kishte nisur gjyqi mes FTC-së dhe Amazon, i cili u ngrit në vitin 2023 gjatë administratës Biden.

“Sot, FTC-ja e Trump-Vance bëri histori dhe siguroi një fitore monumentale për miliona amerikanë të lodhur nga abonimet mashtruese, të cilat duken të pamundura për t’u anuluar,” deklaroi kreu i FTC-së, Andrew Ferguson. Ai shtoi se provat tregonin qartë se Amazon kishte përdorur “kurthe të sofistikuara” për të joshur klientët drejt Prime dhe më pas ua kishte bërë shumë të vështirë largimin nga shërbimi.

Nga ana tjetër, kompania mohoi çdo shkelje. “Amazon dhe drejtuesit e saj gjithmonë kanë respektuar ligjin. Ky kompromis na lejon të ecim përpara dhe të përqendrohemi tek inovacioni për klientët tanë,” tha zëdhënësi i kompanisë, Mark Blafkin.

Në bazë të marrëveshjes, Amazon nuk do të mund të përdorë më butona të tipit “Jo, nuk dua transport falas”, të cilët konsideroheshin si mashtrues. Gjithashtu, kompania duhet të sigurojë informim të qartë e të dukshëm për termat e Prime gjatë regjistrimit dhe të ofrojë mënyra të thjeshta anulimi.

Shërbimi Prime, që kushton 14.99 dollarë në muaj ose 139 dollarë në vit, gjeneron miliarda dollarë për Amazon dhe përfshin jo vetëm shpërndarje të shpejtë, por edhe filma, muzikë, shpërndarje ushqimore dhe oferta ekskluzive.

Sipas të dhënave të Emarketer, dëmshpërblimi i paguar përbën 5.6% të të ardhurave vjetore të Prime (44 miliardë dollarë në 2024). Analisti Zak Stambor theksoi se marrëveshja mund të sjellë thjeshtim të procesit të anulimit, por nuk pritet të ndikojë në dominimin e këtij shërbimi.

Ndërkohë, një analizë e Consumer Intelligence Research Partners vlerëson se Amazon kishte 197 milionë abonentë vetëm në SHBA deri në mars 2025.

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news