Rajoni 10 Dhjetor 2024, 19:09 Nga VNA

Ambasadorja amerikane paralajmëron non-grata të tjera në Maqedoninë e Veriut

Ndaje në Whatsapp
Ambasadorja amerikane paralajmëron non-grata të tjera në

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka paralajmëruar për herë të dytë brenda javësh se Uashingtoni po shqyrton mundësi të reja për të vendosur sanksione ndaj personave të tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Aggeler e bëri këtë paralajmërim të martën, një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se ka vendosur ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler gjatë një konference për shtyp në Shkup.

Ajo nuk përmendi emra ose afate kohore, por shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës “aktorët e korruptuar”.

“[Futja në listën e zezë] e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.

Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Bexheti, sipas DASH-it, “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.

Aggeler, në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët, nuk dha hollësi specifike për rolin e Grubit në këtë çështjen e Mijalkovit, por theksoi se provat shqyrtohen me kujdes të veçantë para se të publikohen.

“Dhe vetëm pasi ka prova të qarta dhe të dukshme për shkelje, individët sanksinohen”, shtoi ajo.

Në listën e zezë janë përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.

Në një reagim në Facebook të hënën vonë, Grubi tha se u njoftua për vendimin e DASH-it nga mediat dhe e mohoi të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

BDI-ja tha të martën, përmes një komunikate të shkurtër, se e respekton vendimin e DASH-it për anëtarin e saj. Ajo tha “mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit shqiptar VLEN në Qeveri, vlerësoi se vendimi i DASH-it për vendosjen e Artan Grubit në listën e zezë është “konfirmim për angazhimet e drejta të koalicionit”.

Mexhiti i bëri thirrje anëtarësisë së BDI-së që ta braktisin, siç e quajti ai, “anijen që po fundoset”.

Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-DPMNE, e kryeministrit Hristijan Mickoski, e quajti sanksionimin e Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”.

Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja tha se ai mbante në sirtarë rastin e Sasho Mijalkovit, i cili, sipas saj, dëshmon për “partizimin” e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja, dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve, së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.

Ai u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit). Përveç në rastin “Perandoria”, Mijallkov u dënua edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.

Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Ai u dënua me tri vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Rasti i Sasho Mijalkovit ka bërë që gjyqësori në Maqedoninë e Veriut të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin erdhi rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Në listën e zezë amerikane janë edhe ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, biznesmeni Orce Kamçev, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski dhe të tjerë. /REL

 

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme