
Çmimi Nobel për Paqen është një nga nderimet më prestigjioze në botë, i krijuar për të shpërblyer individët dhe organizatat që kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme për paqen ndërkombëtare. Së fundmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është propozuar për këtë çmim nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Nëse Trump do të fitonte, ai do të bëhej presidenti i pestë amerikan që merr Nobelin e Paqes, duke iu bashkuar listës së emrave si Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson, Jimmy Carter dhe Barack Obama.
Çfarë është Çmimi Nobel për Paqen dhe cilat janë kriteret?
Çmimi Nobel për Paqen themelohet mbi testamentin e industrialistit suedez Alfred Nobel, shpikësit të dinamitit. Sipas dëshirës së tij, çmimi duhet t’i jepet personit që ka bërë “më shumë ose më të mirën për të çuar përpara miqësinë midis kombeve, heqjen ose reduktimin e ushtrive të përhershme dhe krijimin dhe promovimin e kongreseve të paqes”.
Kryetari i Komitetit të Çmimit të Paqes, Jorgen Watne Frydnes, ka theksuar në faqen zyrtare të Nobelit se “në praktikë, kushdo mund të jetë fitues i Çmimit Nobel për Paqen”, duke vënë në dukje se historia e tij tregon se është dhënë për njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë në të gjithë botën.
Kush mund të nominojë kandidatë?
Nominimet nuk janë të kufizuara në një grup të vogël njerëzish. Mijëra persona kanë të drejtë të propozojnë emra, përfshirë:
- Anëtarë të qeverive dhe parlamenteve kombëtare,
- Krerë aktualë të shteteve,
- Profesorë universiteti në fusha si historia, shkencat shoqërore, drejtësia dhe filozofia,
- Ish-fitues të Çmimit Nobel për Paqen.
Askush nuk mund ta nominojë veten. Edhe pse listat e kandidatëve mbahen konfidenciale për 50 vjet, ata që bëjnë nominime janë të lirë të zbulojnë publikisht zgjedhjet e tyre, ashtu siç bëri Netanyahu me kandidaturën e Trump.
Kush vendos se kush fiton?
Fituesi përzgjidhet nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, i përbërë nga pesë individë të emëruar nga parlamenti i Norvegjisë. Anëtarët janë shpesh politikanë në pension, por jo domosdoshmërisht. Komiteti aktual drejtohet nga kreu i degës norvegjeze të PEN International, një organizatë që mbron lirinë e shprehjes.
Anëtarët emërohen në mënyrë që përbërja e tyre të pasqyrojë ekuilibrin e pushtetit të partive politike në parlamentin norvegjez.
Si zhvillohet procesi i përzgjedhjes?
Afati zyrtar për paraqitjen e nominimeve është data 31 janar e çdo viti. Nominimi i Trump nga Netanyahu ka ndodhur pas kësaj date, ndaj ai nuk do të merret në konsideratë për çmimin e këtij viti. Megjithatë, anëtarët e Komitetit mund të propozojnë kandidatë gjatë takimit të parë të komitetit në muajin shkurt. Nëse emri i Trump do të diskutohej nga vetë komiteti, ai mund të përfshihej në listë.
Çfarë merr një fitues i Nobelit të Paqes?
Përveç prestigjit global, laureati i Nobelit të Paqes shpërblehet me:
- Një medalje të artë,
- Një diplomë të posaçme,
- 11 milionë kurona suedeze (rreth 1.15 milionë dollarë),
- Një vëmendje të menjëhershme mediatike ndërkombëtare, nëse nuk është tashmë një figurë e njohur.
Kur shpallet fituesi dhe kur mbahet ceremonia?
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025 do të shpallet më 10 tetor në një konferencë për shtyp në Institutin Norvegjez të Nobelit në Oslo. Ceremonia e dorëzimit të medaljes dhe diplomës zhvillohet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit, në Bashkinë e Oslos.
Pse konsiderohet emri i Trump?
Kandidatura e Trump lidhet me përpjekjet e tij për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe disa vendeve arabe përmes marrëveshjeve të njohura si “Marrëveshjet e Abrahamit”. Mbështetësit e tij argumentojnë se këto marrëveshje kanë hapur një faqe të re në rajon, duke reduktuar tensionet historike. Kritiket, megjithatë, thonë se ndikimi i këtyre marrëveshjeve është i kufizuar dhe i diskutueshëm në kontekstin më të gjerë të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Megjithëse nominimi nuk garanton marrjen e çmimit, fakti që një ish-president amerikan propozohet zyrtarisht nga një kryeministër i një shteti aleat e vendos Trump mes figurave që mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Në një botë gjithnjë e më të përçarë politikisht, Çmimi Nobel për Paqen mbetet simbol i përpjekjeve për t’i dhënë përparësi dialogut dhe pajtimit – pavarësisht polemikave që mund të shoqërojnë emrat e kandidatëve.