Kritikat e vazhdueshme gjatë fëmijërisë mund të lënë pasoja që vazhdojnë shumë kohë pasi njeriu është rritur. Një studim i ri i publikuar më 18 gusht sugjeron se një teknikë psikologjike që punon drejtpërdrejt me kujtimet negative mund të ndihmojë njerëzit që vuajnë nga frika e fortë e dështimit.
Studiuesit e SWPS University analizuan një teknikë të njohur si imagery rescripting, ose “rishkrimi përmes imagjinatës”. Gjatë terapisë, personi rikthehet mendërisht në një kujtim të dhimbshëm dhe e rindërton skenën në mënyrë që nevojat emocionale të fëmijës të plotësohen ndryshe.
Për shembull, një i rritur që kujton vazhdimisht momentin kur është poshtëruar nga një prind ose mësues pas një gabimi mund ta rishikojë skenën duke imagjinuar një ndërhyrje mbrojtëse, mbështetje ose një reagim më të drejtë.
Qëllimi nuk është të bindet pacienti se ngjarja nuk ka ndodhur. Kujtimi mbetet i njëjtë, por studiuesit kërkojnë të ndryshojnë ngarkesën emocionale dhe kuptimin që ai vazhdon të ketë në jetën e personit.
Rezultatet treguan se ndërhyrja mund të reduktojë frikën e dështimit dhe vetëkritikën që lidhet me eksperiencat e hershme. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar sa zgjasin efektet dhe cilët pacientë përfitojnë më shumë.






















