
Qytetarët janë mbledhur në protestën e tyre të 32-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Tubimi nisi fillimisht me grumbullimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, nga ku ata marshuan drejt bulevardit kryesor për t'u ndalur para godinës së Kryeministrisë, për të vijuar më pas me fjalimet e organizatorëve dhe aktivistëve.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit ritheksuan pesë kërkesat e tyre kryesore, duke specifikuar se pika e parë dhe e panegociueshme mbetet dorëheqja e menjëhershme e kreut të qeverisë dhe kabinetit të tij ministror. Në fjalën e tij, pedagogu Lush Susaj iu drejtua me një thirrje përfaqësive diplomatike në vend, duke kërkuar ndihmën e ambasadave të BE-së dhe SHBA-së për të ndalur atë që ai e quajti një qeverisje që po kriminalizon dhe dëbon shoqërinë, si dhe po shkatërron sistemin shëndetësor e arsimor.
Duket se protestat e qytetarëve nuk do të zhvillohen më vetëm përpara Kryeministrisë, por do të shtrihen edhe para Parlamentit sa herë që të ketë seanca plenare. Njëri prej protestuesve njoftoi se të enjten, në orën 10:00, do të mbahet një tjetër protestë përpara Parlamentit, si revoltë për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në tubimin e 30 qershorit.
Po ashtu, një tjetër thirrje iu drejtua qytetarëve që në protestën e radhës të paraqiten të pajisur me miell dhe vezë, pasi sipas tij, aty do të gatuhet brumi i demokracisë dhe i republikës së re.
Pasi përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.






















