Protestuesit që prej 32 ditësh zhvillojnë tubime kundër kryeministrit Edi Rama janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të SPAK, ku kanë dorëzuar simbolikisht librin “Albanian Files”, të cilin e cilësojnë si një provë që dokumenton shkelje në lidhje me projektet zhvillimore në vend.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrjet “Rama, SPAK you”, si reagim ndaj deklaratës së kryeministrit në një intervistë për mediat e huaja, ku ai iu drejtua protestuesve me shprehjen “Fuck you”.
Aktivistët deklaruan se libri përmban të dhëna për projekte turistike të realizuara ose të planifikuara në zona të mbrojtura, të cilat janë miratuar pa konsultim publik dhe me ndryshime ligjore të bëra për t’u hapur rrugë investimeve.
Aktivistja Sidorela Vatnika bëri të ditur se, përveç dorëzimit të librit, grupi po përgatit edhe një kallëzim penal që do t’ia paraqesë SPAK-ut në ditët në vijim. Ajo deklaroi se në material evidentohet konflikt interesi në miratimin e projekteve, si dhe shmangia e procedurave të konsultimit publik.
“Ne jemi këtu për të mbështetur SPAK-un, jo për të bërë drejtësi popullore. Rama duhet të hetohet si çdo qytetar tjetër”, u shpreh Vatnika.






















