Sociale 5 August 2025, 17:14 Nga VNA

Në emër të ligjit/ Studiuesi Krasniqi: Si u grabitën pronat me firmën e shtetit. Jala simbol i farsës

Ndaje në Whatsapp
Në emër të ligjit/ Studiuesi Krasniqi: Si u grabitën pronat

Studiuesi dhe analisti Afrim Krasniqi ka risjellë në fokus një nga aksionet më të bujshme të qeverisë “Rama 1”, të nisur në tetor të vitit 2013: fushatën për kontrollin e territorit dhe ndalimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare.

Në atë kohë, qeveria e sapoardhur në pushtet miratoi krijimin e një Task Force për mbrojtjen e territorit, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm. Qëllimi ishte i qartë: ndalimi i abuzimit me hapësirat publike, ndëshkimi i shkelësve të ligjit dhe vendosja e rendit në zhvillimin urban.

Kryeministri i kohës deklaronte me forcë në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KKRT):

“Bregdeti shqiptar, që është edhe një nga asetet më të mëdha që trashëgon ky vend, herë me leje dhe herë pa leje, është zhvilluar në një rrjedhë që përfundimisht duhet të ndërpritet.”

Sipas Krasniqit, atëherë kjo deklaratë gjeti mbështetje publike dhe profesionale. Kontrolli i territorit, lufta ndaj ndërtimeve abuzive dhe qasja antikorrupsion u konsideruan kushte minimale për shtetin e së drejtës, ekonominë e tregut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Por bilanci pas 12 vitesh tregon një realitet tjetër.

"Jala 2013 – Jala 2025", thotë Krasniqi, është fotografia simbolike e dështimit. Task Forca që nisi me entuziazëm, përfundoi me skandale.

Disa nga figurat kryesore të aksionit përfunduan të akuzuar për korrupsion apo shpërdorim detyre. Njëri prej tyre, drejtues i Task Forcës, përfundoi në burg. Një tjetër, që koordinoi marrjen nën kontroll të zonave bregdetare, përfitoi vetë prona në zonat e pasura dhe më pas u bë deputet, duke u promovuar në funksione të larta brenda partisë.

Madje, sipas Krasniqit, "ai që premtoi fundin e masakrës bregdetare, me një të rënë të lapsit krijoi pronarë të rinj të detit dhe tokës. Vijat bregdetare u privatizuan, nga Velipoja në Butrint, në favor të klientëve të pushtetit."

Në analizën e tij, studiuesi e cilëson këtë proces si një ilustrim tipik të degradimit institucional dhe autoritarizmit të mbështetur në korrupsion.

"Rivendosja e ligjit? Ekonomia e tregut të lirë? Rilindja urbane? Zhvillimi i qëndrueshëm? Fundi i abuzimit? Ishin premtime. Pasi u përkthyen në vota, humbën funksionin dhe u kthyen në slogane për konsum publik," shkruan ai.

Afrim Krasniqi e përmbyll analizën me një mesazh të qartë:

"Kështu nisi!", duke vënë theksin se për të ndërtuar një shtet funksional, nuk mjaftojnë fushatat e bujshme dhe deklaratat e forta, por duhen institucione të pavarura, zbatim i ligjit dhe transparencë reale.

 

 

 

 

Video

Demokratët protestojnë para Kryeministrisë.

Protesta tek Ministria e Arsimit, të rinjtë bëjnë pompa para policëve.

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme