Astronomët kanë zbuluar për herë të parë një vrimë të zezë supermasive që nuk ndodhet në qendrën e galaktikës së saj, por endet në hapësirë. Ajo u identifikua vetëm pasi copëtoi një yll që kaloi shumë pranë saj, duke krijuar një shpërthim drite të dukshëm nga miliarda vite dritë larg.
Zbulimi u bë nga observatori hapësinor Neil Gehrels Swift i NASA-s. Normalisht, vrimat e zeza supermasive gjenden në zemër të galaktikave, por kjo u zbulua në periferi, larg çdo bërthame galaktike.
Kur ylli iu afrua shumë, graviteti gjigant e shkatërroi plotësisht. Gazi i yllit filloi të rrotullohej rreth vrimës së zezë me shpejtësi marramendëse, duke u nxehur aq shumë sa prodhoi një dritë që mund të shihej nga teleskopët në Tokë. Ky fenomen njihet si “tidal disruption event”.
Shkencëtarët besojnë se vrima e zezë mund të jetë “dëbuar” nga qendra e galaktikës së saj pas përplasjes me një galaktikë tjetër miliona ose miliarda vite më parë.
Zbulimi hap një kapitull të ri në astronomi, pasi sugjeron se universi mund të jetë i mbushur me vrima të zeza “endacake” që deri tani kanë kaluar pa u vënë re. NASA planifikon të përdorë observatorët e rinj për të kërkuar edhe raste të tjera të ngjashme.






















